Edi Rama pritet me entuziazëm në Londër nga diaspora shqiptare dhe premton…

Kryeministri Rama mbajti sot një fjalim të mirëshkruar dhe me frymë krenarie kombëtare për emrin e Shqipërisë. Ndër të tjera Kryeministri Edi Rama nuk kurseu sulmet ndaj ish-ministres së brendshme britanike Suella Braverman, e cila doli hapur me një gjuhë kundër shqiptarëve kur ishte në pushtet.

Rama tha se ajo i tregoi shqiptarët si të ishin pushtues e rrezik për vendin, ndërkohë ata punojnë dhe kanë ndihmuar në ngritjen e ekonomisë britanike.

“Para disa ditësh këtu erdhi për një takim partia tjetër, që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj dhe kishin çuar një ftesë për ambasadorin tonë. Ambasadori ktheu përgjigje dhe ata nuk u bënë më të gjallë. Për tu kthyer te biseda, ju e mbani mend një ish ministre të brendshme të këtij vendi, që u bë mishërimi i politikës djallëzore duke na treguar ne shqiptarët si rrezik për Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo tha se prurja e shqiptarëve ishte pushtim, na bëri pushtues sikur shqiptarët ishin ushtare të një armate plaçkitëse, jo pjesë e matjes njerëzore që punon në këto toka. Na quajti pushtues a thua se kishim ardhur për të marrë kokën e Mbretëreshës, jo për të ndihmuar ekonominë britanike e cila vuan për krah pune. U ngritën dhe disa të tjerë që na treguan me gisht.”

Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendje “Paketën e Maleve” për të gjithë emigrantët që duan të investojnë në vendin tonë.

Gjatë takimit me diasporën në Londër, ai u bëri thirrje që të rikthehen në Shqipëri.

Ai tha se  “Nuk dua t’ju gërvisht plagën, por ku kur del dielli këtu duket si bora kur bie në Tiranë, çdo shqiptari të Britanisë që e ka lënë pas një shtëpi të vjetër në fshat i them sot investo tek ajo shtëpi tek ai truall, të ardhurat do të jenë shumë më të larta se dy palë punë këtu. Nga Britania e Madhe është kthyer atje në Malësinë e Madhe Gëzimi i cili mikpret turistë nga e gjithë bota dimër verë, pyeteni si del më mirë llogaria”.

Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët e diasporës që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Ai u shpreh se do vijojnë përpjekjet diplomatike për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë në Britani, të cilët janë detyruar të falsifikojnë identitetin e tyre për një jetë më të mirë.

Rama: Edhe disave prej jush ju është dashur të fshihni identitetin e tyre. Disa ende sot kalojnë vështirësi burokratike për regjistrimin e fëmijëve. Do ndërmarrim së shpejti një nismë ligjore për regjistrimin e të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë në Angli, do vijojnë përpjekjet diplomatike për të mundësuar të gjithëve ju që keni një kohë rikthimin e emrit të babës dhe nënës në të gjitha rastet që ju e dëshironi këtë.

Me tej gjatë takimit me diasporën në Britaninë e Madhe komentoi edhe vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

Viktima po merret si mish për top nga një grup personash, theksoi Rama, i cili shtoi se nisën aludime të pabaza pa u kryer ende ceremonia mortore e adoleshentit.

Sipas kreut të qeverisë, askush nuk pyeti për viktimën dhe të afërmit e tij që la pas.

Rama: Paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare në shtet ishte 370 euro. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar i vendit tonë ishte më pak se 10 miliardë euro dhe angazhimi i forcave të punës në punë ishte nën 50%. Siguria ishte përtokë, vrasjet kishin arritur në 115 mesatarja vjetore ose 1 në 3 ditë, por ishin bërë të zakonshme si kronika e motit dhe këtu më lejoni të bëj një parantezë. Çdo vrasje është një fatkeqësi dhe pastaj kur ndodh të merret një jetë krejt e re, tragjedia është e madhe, jo vetëm për familjen e atij që humbet jetën, por për të gjithë shoqërinë, por kur tragjedia e një vrasjeje e prek sot vendin tonë shumë më rrallë se deri dje, del në pah edhe për një arsye tjetër nevoja që Shqipëria ka nevojë për ju dhe për votën tuaj dhe të të gjithë atyre që jetojnë në botën e lirë.

Pse e them këtë në këtë pjesë?

Një fëmijë vritet tragjikisht nga një fëmijë tjetër, por në vend se të ketë respekt e vetëpërmbajtje në nderim të viktimës dhe të familjarëve, reflektim të përbashkët dhe angazhim të të gjithëve në kërkim të më të mirës,  siç ndodh për shembull në Amerikë, kur plumbat  e armëve prodhojnë masakra nëpër shkolla apo dhe këtu në Britani, ku krimi prek një jetë të pafajshme, ndërsa në Shqipëri fryhen me një ngut kriminal, kanalet e ujërave të zeza të politikës dhe të medias.

Askush nuk pyet më për viktimën, as për familjen e viktimës, as për dhimbjen e të afërmve, as për nevojën e komunitetit për të gjetur rrugë dhe për të kuptuar së bashku cili është roli i gjithësecilit në rrugën më tutje, por kush të mundet përpiqet ta tërheqë opinionin publik në ato kanale, duke ushqyer urrejtje, nxitur ndasi, duke e përzier shqetësimin e të vërtetës me helmin e gjithëfarë gënjeshtrave e duke tjerrë me ditë e net lloj-lloj fjalësh e teorish, sajuar lloj-lloj marifetesh dhe deri në protesta kundër qeverisë për ta kthyer viktimën në mish për topat e interesave të politikës dhe biznesit mediatik.

Ku bën vaki, ju jeni këtu, ju jetoni këtu, ju ndiqni këtu jetën e përditshme të një vendi kaq të madh, të një vendi kaq të pasur, të një vendi me kaq shumë gjëra për të admiruar, por edhe me plot probleme. Ku bën vaki, në cilin vend demokratik që pa u varrosur ende kufoma e një viktime të pafajshme të dalin të gjithë djajtë nga shishet dhe t’ia marrin valles, valles të luftës për pushtet, valles së mllefeve, inateve, të ndasive duke shkelur mbi trupin e të ndjerit dhe duke shqelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejtë prej tragjedisë?

Sa më shumë bien shifrat e vrasjeve në Shqipëri, sa më shumë rritet siguria e Shqipërisë, se jo më kot miliona e miliona turistë të huaj që vijnë, tre gjëra përsërisin; shqiptarët, mikpritja e tyre, ushqimi dhe siguria dhe ju e dini më mirë sesa kushdo që e shikon Britaninë e Madhe nga larg se ç’do të thotë të çosh fëmijën në një shkollë aty ku është një lagje të pasurish dhe të çosh fëmijën në një shkollë aty ku është një lagje jo dhe aq e pasur. Kudo ka probleme, kudo ka sfida, kudo ka përpjekje, por në Shqipëri gjithçka, çdo hap përpara, çdo arritje, çdo afrim me Europën përpiqet të zhbëhet me patjetërsinë e mllefit.

 

Shiko videon…

SHKARKO APP