Edi Rama: Shqiptarët po humbasin durimin me Bashkimin Europian

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, akuzon Brukselin për marrëdhënie të padrejta me vendin e tij. Ai thekson se shqiptarëve u është sosur durimi me Bashkimin Evropian dhe se qëndrimi i Brukselit në çështjen e hapjes së negociatave është një çmenduri pasi sipas tij, BE po i jep më shumë përparësi procesit të integrimit të Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa ka anashkaluar vendin tonë.

Në një intervistë për gazetën gjermane, “Frankfurter Rundschau”, Rama shprehet se nuk e kupton frikën e udhëheqësve europianë, të cilët sipas tij, e lidhin hapjen e negociatave të pranimit në BE, me zgjedhjet në vendet e tyre apo rebelimin e opinionit publik. Sipas Ramës, e gjitha kjo është një çmenduri.

Z.Rama, në Shqipëri janë ngritur disa komisione vetingu, për rishikimin e pozicionit të atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë të korruptuar, apo që kanë abuzuar me detyrën. Çfarë prisni nga ky proces?

Ky proces është vendimtar për një arkitekturë të re të sistemit të drejtësisë, të cilin ne e kemi ndryshuar përmes reformave të thella. Ne kemi – figurativisht – një Pallat të ri të Drejtësisë. Dhe këto kontrolle, do të sigurojnë që banorët e këtij Pallati Drejtësie të skanohen, dhe disa prej tyre nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë atje. Së shpejti, do të shohim rezultate konkrete.

Sa thellë është i rrënjosur korrupsioni në sistemin gjyqësor shqiptar?

Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve me siguri që do të përjashtohen. Procesi aktual nuk lë hapësirë ​​për t’i shpëtuar, ose për të depërtuar në sistem.

Reforma në gjyqësor, lidhet gjithashtu me fillimin e negociatave me Brukselin për pranimin në BE. Kur mund të fillojnë ato?

Kjo nuk na është bërë asnjëherë e ditur nga BE, pasi pozicionet dhe kushtet ndryshojnë vazhdimisht. Na u tha që negociatat do të fillonin kur Reforma Kushtetuese të realizohej në kuadër të Kapitullit mbi Drejtësisë në negociata. Pra, ndryshuam Kushtetutën, por bisedimet e pranimit nuk kanë filluar.

Pastaj na u tha se ligji ishte i rëndësishëm për komisionet e vetingut. Pastaj na u tha se ishin të rëndësishme zgjedhjet parlamentare, që ne të çelnim negociatat. Tani kemi bërë gjithçka, dhe do shohim se çfarë do të ndodhë. Nisja e bisedimeve mund të ndodhë vitin e ardhshëm nëse Këshilli i BE-së jep një mendim pozitiv, por mund të mos ndodhë as vitin e ardhshëm.  Procesi i zgjerimit, është bërë gjithnjë e më i padrejtë, dhe më pak i parashikueshëm për shtetet kandidate. Dhe ky nuk është një problem i Shqipërinë, ai ka të bëjë me vetë Evropën.

 Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka folur në fjalimin e tij “Gjendja e Unionit” mbi perspektivën e zgjerimit. Megjithatë, në letrën e tij drejtuar Presidentit të Këshillit, ai përmendi vetëm Serbinë dhe Malin e Zi për mundësinë e anëtarësimit në vitin 2025, ndërsa Shqipërinë as që e zuri në gojë…

Unë nuk mendoj se ju duhet ta lexoni në këtë mënyrë. Ai nuk i ka përjashtuar të tjerët, por ka përmendur vetëm Serbinë dhe Malin e Zi, sepse këto vende janë tashmë duke negociuar.

Ekziston një shqetësim i dytë, sipas së cilit Ballkani nuk trajtohet më sipas performancës së vendeve të veçanta, por po i afrohet BE-së si rajon…

Unë nuk dua që parimi i lidhur me performancën të braktiset, dhe nuk besoj se BE-ja do ta bëjë këtë. Ai është i rëndësishëm që shtetet të përmirësohen realisht. Nëpërmjet integrimit në BE, ne mund të modernizojmë vendet tona, dhe ndërtojmë institucione demokratike dhe të sundimit të ligjit. Por edhe BE-ja ka nevojë të reformohet.

Unë jam i bindur se boshti i ripërtërirë midis Berlinit dhe Parisit, do ta shtyjë këtë përpara këtë proces. Unë gjithashtu bie dakord me presidentin francez, Emanuel Macron, se duhet të ketë shpejtësi të ndryshme. Sepse nëse doni të keni një BE më fleksibile dhe funksionale, duhet të ecni përpara dhe të mos e ndërtoni gjithçka mbi vendimet konsensuale.

A prisni një ndryshim të kursit në strategjinë e zgjerimit?

Unë nuk e pres diçka të tillë. Problemi nuk është ajo që thotë, por ajo që bën Evropa. Në rastin tonë është krejtësisht e padrejtë, sepse ne jemi një shtet anëtar i NATO-s. Mali i Zi është anëtarësuar në aleancë shumë më vonë. Për më tepër, ne jemi shumë më përpara Malit të Zi në kapitujt vendimtarë që kanë të bëjnë me gjyqësorin. Serbia gjithashtu duhet të vazhdojë t’i kryejë këto reforma.

Ne i kemi bërë realizuar ato tashmë. Është diçka fantastike që negociohet. Por është thjesht e padrejtë që ne nuk po negociojmë. Nuk e kuptoj këtë frikë të pabesueshme të udhëheqësve europianë, kur e lidhin vazhdimisht fillimin e negociatave të pranimit në union, me zgjedhjet në vendet e tyre apo rebelimin e opinionit publik. Kjo është çmenduri. Do të qe ende e kuptueshme që vetë anëtarësimi të shtyhet disi. Por kjo ka të bëjë me negociatat. Dhe negociatat, janë diçka që vetëm sa na ndihmon në rrugëtimin tonë.

A mendoni se vendet e BE-së, duan të ngadalësojnë procesin e zgjerimit?

Kjo s’ka të bëjë me atë që mendoj. Kjo është diçka e prekshme, e dukshme dhe e qartë. Ndonjëherë pyes veten nëse këta liderë evropianë, e kanë menduar realisht se çfarë janë duke bërë. Apo ndoshta ka të bëjë me faktin, se është në axhendën e tyre, dhe kjo është arsyeja pse ata dëgjojnë vetëm administratat apo këshilltarët e tyre.

Çështja është politikisht shumë e qartë. Ata mund të thonë se po negociojmë me të 6 shtetet në Ballkan, se bisedimet do të jenë shumë të vështira, dhe se s’do të ketë anëtarësim nëse vendet nuk janë të gatshme. Por është absurde të thuhet: Ju jeni një kandidat për t’u bashkuar me ne, por ne nuk negociojmë me ju. Kjo është si të thuash:Duam të martohemi, por nuk mund të flasim për martesën.

Ata kanë thënë se “unione më të vogla” do të krijohen, nëse nuk ka një unifikim të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo ka forcuar frikën në Serbi për krijimin e një Shqipërie të madhe, pra një bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës. A i kuptoni këto frikëra?

Këto frikëra do të rriten. Nuk është se unë e dua këtë, por kjo është logjike. Kosovarët qenë nën një regjim shumë brutal, dhe gjithësesi mund të lëviznin në Evropë. Tanimë ata kanë shtetin e tyre, dhe nuk mund të udhëtojnë më. Jo vetëm që ka një lodhje të vazhdueshme, por ka edhe një lodhje nga durimi.

Nëse përmendni “unione më të vogla”, është e qartë që ju flisni për një bashkim me Kosovën… 

Ne nuk jemi më në komunizëm, dhe për këtë arsye mund të flasim lirisht. Gjyshërit e kosovarëve aktualisht të rinj, jetonin në një shtet që nuk e njihte kombësinë e tyre dhe statusin e republikës. Tani ata kanë shtetin e tyre, por janë të kapsuluar në një shtet të izoluar. Ata janë populli i vetëm në të gjithë Evropën, që nuk mund të largohet nga vendi i vet. Për shkaqe të pakuptimta.

Ata kanë qenë subjekt i kushteve për liberalizimin e vizave me vendet e hapësirës Shengen. BE-ja është shprehur se në fillim duhet të arrihet një marrëveshje kufitare me Malin e Zi, por në të njëjtën kohë Brukseli po negocion tashmë me Serbinë, një shtet që as nuk e ka njohur Kosovën, dhe aq më tepër kufijtë e Kosovës.

A e shihni veten si një mbrojtës të shqiptarëve në rajon, pasi ju shohim të flisni shpesh në emër të tyre? 

Do të kisha thënë të njëjtën gjë edhe nëse do të kishte të njëjtën padrejtësi ndaj serbëve. Nëse Serbia do të qe e izoluar, do të thosha sërish:Ç’është kjo marrëzi?

Por gjatë muajve të fundit, partitë shqiptare nga Maqedonia erdhën këtu në Tiranë që t’i ndihmonit të arrinin një marrëveshje. Ata janë shqiptarë nga një vend fqinj. Kështu që unë ju pyes nëse e konsideroni veten si mbrojtës të shqiptarëve. Së fundmi jemi në Ballkan, ku mendimi etnik është në qendër, dhe është i lidhur me çështjet e stabilitetit dhe integritetit të territoreve shtetërore. 

Unë nuk mendoj se do të shpërthente ndonjë skandal, në rast se qeveria austriake do të punonte për austriakët jashtë shtetit, dhe shqiptarët në Maqedona nuk janë një minoritet, por një komb  shtet-formues. Nëse ne i ndihmojmë ata, ndihmojmë edhe konsolidimin e shtetit maqedonas. 

Intervistoi: Adelheid Wölfl

 Përshtati: Tirana Today

SHKARKO APP