Edi Rama te FRESH, për herë të parë, nuk përmendi fare Koalicionin e sotëm

Janari ka filluar me akull e ngrica si mot. Edhe si politikë ngrica duken, sidomos brenda mazhorancës. PS dhe LSI nuk duken si në ditët e fundvitit 2016. Kjo u manifestua edhe në 25-vjetorin e Forumit Rinor Socialist. Një nga ish-kryetarët më të mirë, nuk ishte. Mungesa e Ilir Metës ra në sy edhe gjatë fjalimit të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk përmendi asnjëherë koalicionin, kur foli për reformat e qeverisë së tij në këtë mandat.

“Kur Shqipëria është në kushtet që rrit rrogat dhe ul borxhin, a ia vlen vota? Nëse sot paguajnë më pak 97 përqind, si nuk vlen vota? Këtë e bëri vota për Partinë Socialiste. Që politika të jetë më e mirë, sa më shumë njerëz duhet të votojnë për Partinë Socialiste”, tha Rama.

Për të treguar se ku ndryshojnë socialistët nga demokratët, kryeministri Edi Rama mori shembull Bashkinë e Tiranës gjatë drejtimit të Lulzim Bashës dhe Erion Veliajt: “Si qenka njësoj të votosh për një kryetar bashkie që fle në zyrë apo për një kryetar bashkie që i fillon takimet e punës në orën 6 e gjysmë të mëngjesit”.

Kryeministri foli për disa gabime të qeverisjes, pa i detajuar ato, por, siç thotë, shqiptarët kanë një zgjedhje të qartë për veten.

“Nuk është zgjedhje mes të bardhës apo të zezës, por mes të ardhmes dhe së shkuarës. Kush shikon nga e ardhmja, nuk ka asnjë zgjedhje tjetër përveç Partisë Socialiste”, tha Rama.

Mungesa e Ilir Metës në festën e organizatës rinore, të cilën ai e ngriti dhe e forcoi, tregon se ai nuk ka shkuar për inat të FRESH, por mundet për moskorrektesë të kryeministrit Rama në raport me disa kërkesa të LSI. Futja e PDIU në koalicion, pa pyetur LSI, aq me tepër deklarata e Edi Ramës në një takim politik ku tha se “koalicioni do ketë tre koka….”, ndërkohë që siç tha Ministri Manjani te Sokol Balla se ” ne kemi ardhur në pushtet me PS e jo me Shpëtim Idrizin e PD-së”; kjo e gjitha solli një ftohje te raporteve. Dhe jo vetëm kjo. Por edhe disa lojëra të PS-së për të zbehur rolin e LSI shkaktojnë ftohje deri në ngrica.

Edi Rama foli te FRESH sikur qeveriste vetëm , pra pa LSI. Me sa duket po përgatitet për tu futur në zgjedhje me PDIU, pa LSI.

Me sa duket po shkon drejt opozitës!

SHKARKO APP