Edi Rama tërhiqet, shtrin dorën e pajtimit Bashës dhe Berishës

Kryeministri socialist pranon të takohet me Bashën apo me Berishën.

A do të pranojë lideri i opozitës të ulet në tavolinë me “terroristin kushtetues Edi Rama” apo e ka thënë sa për të kaluar rradhën? 

Ajo që kërkohej që në fillim të reformës në drejtësi, një dialog politik i nivelit të lartë, duket se do të ndodhë. Është dashur vizita e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johanes Hahn që forcat kryesore politike të pranojnë zhvillimin e një takimi Rama-Basha. Në konferencën e dhënë dje për mediat, kryeministri Edi Rama u tregua i gatshëm të takohej me kreun e opozitës, pa praninë e ndërkombëtarëve, për të arritur marrëveshje për çështjet që i ndajnë për miratimin e reformës.

Nuk është e kotë që sot unë ta ftoj publikisht në sy edhe të mikut tonë të përbashkët Komisionerit Hahn, Partinë Demokratike, lidershipin e saj, që të ulemi në një tryezë dialogu të nivelit të lartë politik mes nesh, pa praninë e çmuar të miqve. Jemi të gatshëm ta dëgjojmë me vëmendje dhe me respekt Partinë Demokratike, sepse unë besoj që ekziston mundësia që të biem dakord që mos dakordësitë tona t’i trajtojmë në mënyrë të civilizuar”,- tha kreu i qeverisë.

Deklarata e kreut të qeverisë edhe pse e vonuar është një hap drejt zgjidhjes së ngërçit politik. Në krahasim me qëndrimet e mëparshme, ku shprehej se nuk kishte nevojë për dialog politik të nivelit të lartë, pasi parlamenti duhet të miratojë vetëm draftin e reformës, qëndrimi i djeshëm i kreut të qeverisë është një dorëzim ose më saktë tërheqje. Por një dorëzim që në fund të fundit i shërben vetë mazhorancës për të miratuar reformën në drejtësi. Në fund të fundit tregon cilivizim dhe ndjenjë përgjegjsie për reformat që i duhen vendit.

Komisioneri Hahn tha në Tiranë se pa u miratuar reforma në drejtësi është gati e pamundur që Shqipëria të marrë çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sipas tij, reforma nuk duhet të ndërlikohet me çështje të tjera dhe tryeza politike duhet t’i jap fund ngërçit. Në këtë situatë, me mosmiratimin e reformës pala politike që dëmtohet më shumë është vetë mazhoranca duke mos realizuar hapjen e negociatave për në Bashkimin Europian. Ndaj pavarësisht qëndrimit që do të mbaj PD-ja pas dialogut, formalisht Kryeministri “i ka dalë borxhit” opozitës duke i plotësuar një tjetër kërkesë. Dje Rama ishte më shumë se kurrë i prirur për dialog duke deklaruar se “unë jam i gatshëm ta përqafoj çdo ditë opozitën”. Qëndrimi i kryeministrit është dhe një njohje e lidershipit të Partisë Demokratike. Zakonisht Kryeministri ka ngatërruar Bashën me Berishën, duke bërë diversione me një parti “që nuk di kë ka kryetar”. Me takimin e nivelit të lartë, Rama i dha një mundësi reformës në drejtësi që të mos dështoj vetëm për një shtrëngim duarsh mes tij dhe kreut të PD-së. Tek e fundit, akuzat dhe luftën politike në Parlament mund ta bëjë me Berishën, por formalisht marrëveshja politike realizohet me Bashën.

 Bile, mbrëmë tek Ilva Tare shkoi edhe më tej kur tha se është gati të takoj edhe Berishën apo të dy Basha-Berisha.Nëse ky takim do të ishte realizuar që më parë do ishin shmangur vajtje-ardhjet në Venecia, bojkotet dhe justifikimet që e kanë mbajtur peng deri më sot reformën në drejtësi. Në të vertetë është tërheqje e madhe e Ramës kundrejt lidershipit të PD-së. Mbetet nëse Berisha apo Basha do të takohen me “terroristin Rama”, siç e kanë quajtur para tre ditëve në media. Nëse po ka nevojë që Basha t’i kërkojë falje publike kryeministrit për akuzën e rëndë “terrorist”.

Rama e bëri pjesën e vet, tashmë mbetet reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Por në qëndrimin pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, Basha nuk la të kuptohet se do të kishte një takim. Ai përsëriti edhe një herë kushtet e Partisë Demokratike për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garantimin e zgjedhjeve të ndershme. Pak orë më vonë Grupi Parlamentar i opozitës mori vendimin për bllokimin e seancës së sotme të Kuvendit. Bojkot që do të vazhdojë derisa mazhoranca të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Por kjo duket se nuk do të realizohet nga mazhoranca, e cila nëse e bën del e humbur në kredon politike, pasi gjithçka e bën nën presion e frikë nga Basha-Berisha. Këtë e kanë vështirë ta kapërdijnë deputetët e PS-së, të cilët janë kthyer si ushtarë shahu që i luan, sakrifikon apo i hedh si të dojë Rama.

PD-ja duke ditur se PS-ja humb autoritet si forcë politike serioze nëse njëherë voton për “jo” e më pas nën presion për “po”, po insiston si opozitë ta ul në gjunjë Edi Ramën, i cili në këmbim të reformës duket se është për çdo “kokë turku”. Mund ti votojë ndryshe dy deputetët e t’i nis drejt Kushtetueses siç nisi Gramoz Ruçi kokën e Kokëdhimës për në “thertoren” e Kushtetueses.

 

 

 

SHKARKO APP