Edi Rama tregon dhëmbët e forcës. Fillon përplasja civile në Shqipëri
Në shumicën e qyteteve të vendit sot ka përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Qytetarët kërkojnë që të mos zhvillohen zgjedhje pa opozitën me 30 qershor duke qenë se tashmë nuk ka as datë të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Por forcat e rendit vijojnë të zbatojnë urdhrat politikë të Edi Ramës dhe anëtarëve të PS në KQZ, të cilët kërkojnë zgjedhje me çdo kusht. Policia ka përdorur forcën dhe gaz lotsjellës për të larguar qytetarët nga Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ).
Nga Veriu në Jug qytetarët janë ngritur në revoltë kundër vendimit të qeverisë dhe janë përplasur me forcat e rendit. Tensione ka pasur në Shkodër, Kamëz, Berat, Bilisht, Lezhë, Kavajë, Tropojë, Pogradec, Skrapar.
Kryeministri Edi Rama deklaroi pak më parë se zgjedhjet do bëhen dhe pa opozitën. Një deklaratë e tillë e çon vendin drejt kaosit. Ai po kërcënon si dikur në vitin 1996 ish-presidenti Berisha. Por dihet se si përfundoi situata asokohe.
Policia godet për vdekje një protestues të PD. Demokratët: Do përgjigjemi!
Përplasjet e ndodhura sot në Burrel ku qytetarët kërkojnë mos zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën kanë lënë pas të plagosur dhe të dëmtuar.
Një protestës është plagosur rëndë nga forcat speciale. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar me urgjencë drejtë Tiranë.Partia Demokratike njoftoi se qytetari i plagosur për vdekje është Alfred Lika.
“Alfred Lika është goditur nga Forcat Speciale, të cilat, në paligjshmëri të plotë me veprimet e tyre, i kanë shkaktuar fraktura te renda ne koke. Alfred Lika, vëllai i Kryetarit të PD, Burrel, është nisur me helikopter drejt Tiranës”,- njoftoi PD.
Plagosja e një qytetari nga forcat e policisë ka sjellë reagime të forta në qytetin e Burrelit. Duke e cilësuar si kriminale sjelljen e forcave të rendit të urdhëruara nga drejtuesit politik, përfaqësues të PD deklarojnë se qytetarët do të përgjigjen.
Gaz lotsjellës në Kamëz
Një situatë kaotike ka mbizotëruar sot në Kamëz, një bashki që drejtohet nga Xhelal Mziu i PD. Pas ultimatumit të një dite më parë që bashkia dha për lirimin e KZAZ, sot kanë shpërthyer përleshjet. Punonjës të bashkisë, polici bashkiakë e mbështetës të PD kanë tentuar të hyjnë në ambientet e KZAZ, por janë përplasur me policinë dhe forcat speciale, të cilat nuk i kanë kursyer shkopinjtë e gomës. Më pas edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Ndërkohë një polic bashkiak ka mbetur i plagosur.
Të lënduar në Burrel
Tensione edhe në Bashkinë e Matit. Në Burrel ka pasur tensione pas përplasjes mes qytetarëve dhe policisë. Edhe në këtë bashki, kërkohet lirimi i ambienteve zgjedhore. Raportohet se ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ 16. Si rrjedhojë e përplasjes së dhunshme ka disa të lënduar. Mbështetës të PD tentojnë të futen në KZAZ numër 16. Përplasja ka qenë fizike, ku janë përdorur edhe shkopinj dhe sende të tjera të forta. Bëhet me dije se ka pasur të plagosur si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e policisë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Burrelit.
Përplasje në Pogradec
Tensionet e forta për bllokimin e procesit zgjedhor kanë përfshirë edhe Pogradecin. Raportohet se është acaruar situata në KZAZ 67 të këtij qyteti. Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, shoqëruar nga militantë të PD dhe LSI, kanë kërkuar të lirohen ambientet e KZAZ dhe të nxirren materialet zgjedhore. Ka qenë ish-deputeti Balliu, i cili ka debatuar me shefin e komisariatit, duke i kërkuar këtij të fundit të zbatojë ligjin për lirimin e ambienteve të KZAZ, referuar dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve. Sipas Klevis Balliut, më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe askush nuk do të votojë në këtë ditë. Ish-deputeti demokrat ka theksuar se opozita nuk do të lejojë instalimin e diktaturës në Shqipëri.
Përplasje në Skrapar
Përplasje mes policisë dhe bashkisë ka pasur edhe në KZAZ 66 në Skrapar. Mbështetës të opozitës kërkojnë që të lirohen ambientet në Pallatin e Kulturës, pas vendimit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve.
KZAZ-ja është e rrethuar me forca të shumta policie, ndërsa punonjës të bashkisë dhe mbështetës të opozitës tentojnë të hyjnë me forcë për të liruar ambientet.
Plas në Kavajë
Ashtu sikurse edhe në disa bashki të tjera të vendit që drejtohen nga përfaqësues të opozitës së bashkuar joparlamentare, edhe në njësinë vendore të Kavajës, janë shënuar përplasje mes forcave policore dhe qytetarëve.
Mësohet se zyrtarë të Bashkisë dhe simpatizantë të kryebashkiakut demokrat, Isa Sakja, kanë kërkuar lirimin e ambienteve që po përdoren nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në kundërshtim me vendimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Ata i dhanë ultimatum Policisë për lirimin e mjediseve të palestrës së Shkollës 9-Vjeçare “3 Dëshmorët”, ku është vendosur KZAZ-ja, deri në orën 16:00 të mesditës së sotme.
Edhe Bilishti përplaset me policinë
Edhe në Bashkinë e Bilishtit po zhvillohet me tensione të forta procesi për grumbullimin e materialeve zgjedhore. Raportohet se forca të shumta të Policisë së Rendit dhe Forcat Speciale kanë rrethuar KZAZ 70 të qytetit, për të penguar protestuesit, të cilët tentojnë të bllokojnë punën, duke zbatuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Mësohet se KZAZ 70 është vendosur në ndërtesën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ndërsa është hapur dhe po vijon punën.
Edhe Vlora e Gjirokastra
Tension dhe në Vlorë e Gjirokastër. Njoftohet se pritet të marrin KZAZ-të me turma të egërsuara që votimet të mos bëhen pa opozitën.
Lexoni edhe
- Polici i përgjimeve të Bild që vidhte votat për PS, dhunon qytetarët në Kamëz
- Deputeti Maliqi, apel policisë: U flas si koleg, mos ju bindni Ramës
- Rama: Kush kryen krim elektoral, nuk do lejohet jashtë (ligji nuk vlen kur vjedh zgjedhjet PS)
- Aleanca qytetare Vlorë thirrje Presidentit: Shpërndaje Parlamentin
- Arrestimet në Tropojë, Berisha: Reprezalje hakmarrëse e Edi Ramës