Edi Rama uron Ditën e Pavarësisë me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë sot urimin për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit, përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale. Ai ka zgjedhur të bashkojë jehonën e kësaj dite me tingujt frymëzues të këngës “Për ty, Atdhe”, duke ndarë një kolazh pamjesh që përfaqësojnë krenarinë dhe historinë shqiptare: Sheshi i Flamurit në Vlorë, ku më 1912 u shpall Pavarësia, Kalaja e Rozafës në Shkodër, simbol i qëndresës dhe legjendave, dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, zemra e kombit shqiptar.
Në postimin e tij, Rama uroi:
“Mirëmëngjes dhe me jehonën e këngës ‘Për ty, Atdhe’, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”
Një ditë e veçantë me një domethënie të madhe
28 Nëntori, më shumë se një festë, është një ditë ku shqiptarët kudo në botë rikujtojnë sakrificat, guximin dhe përkushtimin që sollën lirinë dhe identitetin kombëtar. Është dita ku flamuri ynë kuq e zi valëvitet më krenar se kurrë, duke bashkuar breza dhe duke forcuar ndjenjën e përkatësisë ndaj një kombi që ka kaluar sprova të mëdha, por gjithmonë ka ditur të qëndrojë.
Në këtë ditë të bekuar, mesazhi i flamurit nuk është vetëm një kujtesë historike, por edhe një thirrje për bashkim dhe optimizëm, për të ndërtuar një të ardhme që nderon sakrificat e së shkuarës dhe pasqyron ëndrrat e çdo shqiptari për progres dhe dinjitet.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit!
Albert Vataj