Edi Ramës i ikën sërish ”Treni i Europës”

”Treni i Europës” ikën dhe qeveria me vrap për ta kapur. Kjo karikaturë e mjeshtrit Bujar Kapexhiu, e botuar në gazetën ”Mapo”, tregon më së miri situatën ku ndodhet qeveria, e dëshpëruar për të marrë mbështetjen e Europës, sidomos për çeljen e negociatave të Integrimit dhe për Reformën në Drejtësi.

Treni i BE-së, gjatë qeverisjes së Rilindjes, ka kaluar disa herë në stacion por nuk është ndalur. Vitin e shkuar pas rekomandimit të KE-së, Edi Rama hapi shampanjën dhe tha se “negociatat janë hapur por presim vetëm zyrtarizimin në qershor të 2019-ës”. E vërteta është që kjo datë është shtyrë sërish dhe madje do të pritet edhe një raport i ri, i cili do të rivlerësojë plotësimin e kushteve që i janë vënë qeverisë.

Qeveria nuk ka ngelur në klasë vetëm me Integrimin, por është kthyer në rrezik për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe pengesë e Kosovës, që kjo e fundit të marrë liberalizimin e vizave. Holanda e ka marrë tashmë vendimin për kthimin e vizave, kurse Franca del kundër liberalizimit të vizave të Kosovës, për shkak të Shqipërisë. Sipas burimeve të Deutsche Welle-s, Presidenti francez, Emmanuel Macron e kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë.

SHKARKO APP