Efikasiteti nuk varet nga numri i ministrive, por nga aftësia e ministrave
Kryeministri Rama ka thënë se diku nga mesi i gushtit do të tregojë emrat e ministrave dhe ministrive të reja, të cilat do bashkohen ose shkrihen. Mania e Edi Ramës për t’i thënë publikut se gjoja po shkrin ministri dhe agjensi në numër të madh, në emër të shkurtimit të administratës dhe burokracisë, mbetet thjeshtë populizëm i pastër. Edhe dëgjesat që po bën kryeministri janë “komunizëm enverian”, pasi asgjë nuk zgjidh me këto mënyra enveriane dëgjimi. Edi Rama ka marrë 78 mandate deputetësh, me aleatët PDIU dhe PSD. Nuk ka nevojë më për asnjeri. Timonin e ka vetëm, makinën plot me pasagjerë të PS dhe nuk ka se si të justifikohet më vonë se ma “morën tepsinë”. Ai me dëgjesat po luan për të krijuar idenë popullore se vertet ia paskan patur fajin partitë e tjera në qeveri sepse uji që rrjedh nga udhëheqësi Rama, del i pastër, por është turbulluar udhës!
Edi Rama tani ka krejt “tepsinë”. Ai ka nevojë të përzgjedhë emra ministrash profesionistë dhe me integritet, të cilët të bëjnë punën. Edi Rama nuk ka nevojë, realisht, të shkrijë ministritë, siç po e ysht një pronar universiteti. Kryeministri duhet të dijë të zgjedhë ministrat dhe stafin drejtues. Ka nevojë që administratën ta motivojë dhe jo të përzgjedhë sipas kritereve politike se “ky voton majtas apo kjo djathtas”. Natyrisht që një numër agjensish si ajo për pronat, legalizimin etj kanë nevojë për ristrukturim. Edhe agjensi të tjera. Edhe ndonjë ministri. Por mania për të futur sëpatën, kudo e sido, nuk i bën mirë qeverisjes dhe të qeverisurve.
Nuk e dëmton qeverisjen numri i ministrive, por kush e drejton ministrinë. E drejton ministër me integritet apo servilë e dallkauk partie apo që e ka mendjen vetëm për të vjedhur.
Edi Rama ka nevojë të lerë dëgjesat populiste dhe të dëgjojë e debatojë me specialistët për administratën dhe prioritetet e katër vitëve.
Një dështim i Edi Ramës është dëmtim edhe i interesave të jetës së qytetarëve. Nuk duhet të niset edhe opozita se si të dështojë kryeministri, por se si mund të kontrollohet qeverisja që të jetë më produktive për shqiptarët. Në të vertetë kryetarja e partisë opozitare LSI, Monika Kryemadhi tha në një intervistë se do bëjmë opozitë të fortë, por nuk mundet që LSI të thotë “Jo” për gjithçka. Ajo që do bëhet mirë do ketëm mbështetje, tha ajo.
Edi Rama ka nevojë për këshilltarë profesionist dhe jo shërbetorë pushtetesh, të cilët e nxisin të dalë me “sëpatë” në dorë, si dikur kur doli realisht si kryetar bashkie, pra e miklojnë që të masakrojë administratën , ministritë, shtetin.