Ekskluzive/ Kroatët dhurojnë spektakël në Hamburg, një ditë para ndeshjes me Shqipërinë
Nga Hamburgu i Gjermanisë, aty ku nesër do të luhet sfida që do të vendosë për fatin e Shqipërisë në ”EURO 2024”, gazetari i ”Koha Jonë”, Rozalb Lika sjell këto pamje sesi po festojnë sot tifozët nga Kroacia, edhe pse moti nuk është në favorin e tyre.
Lika raporton edhe se tifozët kanë pushtuar një pjesë të mirë të lokaleve në qendër të Hamburgut si dhe në St Pauli. Gazetari Lika bën me dije se sipas informacioneve që ka marrë aty, pritet që nesër tifozët kuqezi të grumbullohen në mëngjes për të bërë marshimin drejt stadiumit.
Pas një sfide me polemika dhe me një rekord historik nga kuqezinjtë, përkatësisht nga Nedim Bajrami që shënoi gol në 23 sekondat nga nisja e lojës kundër Italisë, kombëtarja shqiptare do të përballet nesër me Kroacinë, në një duel historik.
Të dy ekipet, të fundit në grupin B të EURO 2024, zbresin në fushë me zero pikë dhe dueli shihet si një përballje për kalimin në raundin e dytë. Kjo ndeshje do vulosë fatin e një prej ekipeve për vijimin e rrugëtimit europian.