Ekskluzive/Paloka: Edhe Trump-i kishte kundër mediat dhe analistët, por fitoi !
Flet për “Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së dhe kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka: Rama e di që me zgjedhje të lira do të merrte mbi një milion shkelma e grushte me atë që ju ka bërë shqiptarëve
Intervistoi: Redjon Shtylla
A po e pengon Partia Demokratike hapjen e negociatave për anëtarësimin drejt BE-së me kundërshtinë e saj ndaj Vettingut? “Jo, pasi PD-ja ka një të vërtetë që bërtet fort. Nuk ka ngatërresë fjalësh”,- shprehet nënkryetari i PD-së Edi Paloka, në një intervistë për “Koha Jonë”. Paloka shpjegon se pse këmbëngul PD-ja tek debati i fundit për përkthimin e Vetingut. “Ka një fjali të tërë që thotë se kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar do të përcaktohen me ligj. Pra me këtë fjali, që nuk ekziston tek neni kushtetues,” përkthyesi” i jep maxhorancës në Parlament, një të drejtë që në fakt nuk ia jep Kushtetuta”,- deklaron Edi Paloka. I pyetur për kritikat që PD ka marrë për strategjitë e saj opozitare, Paloka merr si shembull presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. “…Donald Trump dukej sikur ishte i vetëm kundër të gjithëve. Kundër media e politikanë, disa dhe brenda partisë së tij, sondazhe që vulosnin humbjen, trysni dhe presion i paparë nga gjithë anët. Por në fund një fitore spektakolare. Ku ishte sekreti? Përgjigja shumë e thjeshtë; kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët, aleancë me qytetarët. Ky është dhe thelbi i nismës së z. Basha”,- shprehet Paloka.
Debati më i fundit është i ligjit të Vettingut dhe dërgimi, sipas PD, i një varianti të përkthyer gabim në Komisionin e Venecias. Ambasadori Amerikan i quajti gënjeshtra çështjet e përkthimit dhe tha se reforma në drejtësi po vonohet nga ata që kanë frikë. Përse PD është vendosur dhe një herë në pozicionin kundër ndërkombëtarëve?
Qëndrimi i PD lidhur me këtë çështje është më se i qartë dhe në përputhje të plotë me një të vërtetë që bërtet fortë. Mendoj që në konferencën për shtyp të ekspertëve të tanë u evidentuan dhe detajet demaskuese lidhur me manipulimet, për mua të qëllimshme, në përkthimin e materialeve të dërguara në Komisionin e Venecias. Unë do të përmend vetëm një prej këtyre elementëve që nuk ka nevojë të komentohet dhe që është më evidenti dhe më skandalozi e ka të bëjë me çështjen e shumë debatuar të vëzhguesve ndërkombëtare. Siç e kujtoni dhe po të lexoni ndryshimet kushtetuese që u miratuan nga Parlamenti, roli i vëzhguesve ndërkombëtar në procesin e Vettingut përcaktohet qartazi dhe në mënyrë ezauruese tek neni kushtetues përkatës. Kjo u bë pikërisht që ky nen aq shumë i debatuar, të mos linte vend për asnjë keqinterpretim. Por çfarë ka ndodhur me materialin që është dërguar në anglisht tek Komisioni i Venecias pikërisht për këtë nen? Nuk ka ngatërresë fjalësh. As fjalë që në anglisht mund të interpretohen ndryshe. Jo! Ka një fjali të tërë të shtuar, një fjali që thotë se kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtare do të përcaktohen me ligj. Pra me këtë fjali, që nuk ekziston tek neni kushtetues,” përkthyesi” i jep maxhorancës në Parlament, një të drejtë që në fakt nuk ia jep Kushtetuta. Kushtetuta i ka përcaktuar në mënyrë definitive kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar por maxhoranca i ka ndryshuar këto kompetenca në ligj ashtu si dhe të shumë institucioneve të tjera që janë në varësi të Ramës. Pra ligji i miratuar vetëm me votat e maxhorancës, ju ka dhënë këtyre institucioneve, kompetenca që nuk ju a jep Kushtetuta , madje ju a ndalon Kushtetuta e miratuar me 140 vota. Pikërisht me këtë lidhet ky akt skandaloz që as nuk do të imagjinohej se mund të ndodhte në një vend me nocionet minimale demokratike; tentohet të mashtrohet Komisioni i Venecias duke i dërguar për të gjykuar mbi një material praktikisht të rreme. Është si ti kërkosh një komisioni ekspertësh të jap vlerësimin për një vepër të Salvador Dali-së dhe pastaj vlerësimin që komisioni ka dhënë për Dali-në ta paraqesesh si vlerësim të tij për zhgarravinat e Edvin Rames. Pra me dy fjalë, PD është krejtësisht në mbrojtje të së vërtetës dhe së drejtës, ata që mbrojnë të kundërtën, mbrojnë manipulimin dhe abuzimin skandaloz që po bëhet me këtë të vërtetë.
Ambasadori Lu, ka folur konkretisht dhe pa doreza ku u shpreh se duhet të presim që politikanë të korruptuar, nga e dajthta në majtë, të përballen me drejtësinë. Është PD-ja e hapur që të përballet me ligjin e së drejtës?
PD është forca që i dha fund rregjimit të padrejtësisë 50 vjeçar, të baballarëve shpirtërore e biologjik të këtyre që sot janë në pushtet e që po përpiqen me të gjitha format të rikthejnë dhe një herë hijet e zeza të baballarëve. PD si forcë politike gjykohet nga historia dhe besoj çdo anëtar i saj ndjehet krenar për çfarë i kemi dhënë këtij vendi në 25 vjet pavarsisht gabimeve të cilat i njohim, për të cilat mbajmë përgjegjësi dhe kemi paguar koston në zgjedhjet e 2013. Sa për marrëdhëniet me drejtësinë në jo vetëm jemi deklaruar hapur, se jo vetëm mbështesim por këmbëngulim në luftën kundër korrupsionit në cilindo krah të shfaqet. Po ne jemi po kaq të vendosur në pavarsinë dhe mos ndikimin e drejtësisë nga politika apo çdo pushtet tjetër që korrupton si krimi apo paraja. Pikërisht në këtë betejë ne jemi në krah të kundërt me Edvin Ramën. Rama bërtet për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Nuk lë rast pa lëshuar dhe konet e tij që lehin pas çdo vendimi që marrin gjykatat. Po Vini Re! Kjo ndodh vetëm kur gjykatat marrin vendime që nuk i pëlqejnë Ramës. A e keni dëgjuar Ramën të sulmojë apo të quaj të korruptuar e të denjë për tu kapur nga reforma gjyqtarët që liruan djalin e Luiza Xhuvanit? Po ata që çuan në shtëpi Armando Prengën e Elvis Ervin Roshin? Dëgjuat ta sulmojë prokurorinë kur tha se Bushi i Ramës megjithëse ndalimet e burgosjet për drogë e trafiqe në disa vende të Europës, nuk është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit? Jo! Në asnjë rast! Po kur gjykatat lirojnë super kriminelë të njohur për lidhje me rilindjen, eksponentë të fushatave të Ramës? Kurrë! Ky pra është ndryshimi midis “reformës” sorrosiane të Ramës dhe asaj reforme e drejtësie që kërkojme ne. Rama kërkon institucione që të zbatojnë urdhërat e tij, për të mbrojtur ministra të korruptuar e kriminelët që i shërbejnë e për të dënuar të pambrojturit, të dobtit por sidomos për ti bërë presion e për ti mbyllur gojën opozitës. Ne kërkojmë një drejtësi që të japë drejtësi për këdo por sidomos të mbrojë të drejtën dhe të dobtit nga padrejtësia dhe arroganca e të pushteteshmve.
Do pranohet nga PD-ja opinioni final për sa i përket ligjit të Vettingut të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese?
Ne kemi treguar se respektojmë çdo vendim gjykate por sigurisht që nuk jemi të detyruar ta konsiderojmë të drejtë kur ato dukshëm janë dhënë nën presionin e qeverisë, siç ishte p.sh rasti i dënimit tim dhe z.Ristani nga gjykata e lartë me një nen që as nuk ekziston më si i tillë në Kodin Penal… Edhe një herë e përsëris, ky është ndryshimi ynë me Edvin Ramën.
Maxhoranca thotë se nga ndërkombëtarët kushti kryesor për çeljen e negociatave është ligji i Vetingut. A po rrezikon PD-ja që më këmbënguljen te reforma në drejtësi të marrë dhe kostot e mos hapjes së negociatave?
Tanimë këtij justifikimi bajat të Rames ia kanë nxjerrë bojën me të gjitha mënyrat, mediat, institucionet dhe personalitet ndërkombëtare. E dëgjuat në monologun e tij përpara se të shkonte në Berlin se si u përpoq deri në neveri t’iu mbushte mendjen shqiptarëve se Kryetari i komisionit për Europën në Bundestag, fliste pa asnjë kompetencë. Pastaj vajti në Berlin ku e nxorrën në konferencë për shtyp pa e ulur ende në takim dhe i thanë në sy, këtë herë vetë Kancelarja, të njëjtat gjëra që i kishte thënë “i paautorizuari” Krichbaum. E keni dëgjuar atë dhe lehësit pranë tij që në mënyrë po aq të neveritshme, pas çdo diskretitimi që i bëhet qeverisë së tij në mediat më prestigjioze në botë për drogën, të deklarojnë se ato janë shpifje që financohen nga opozita se në Shqipëri nuk ka kanabis… E keni dëgjuar të përdridhet e rrotullohet në jargët e ti duke i quajtur kërkesat e BE-së disa kushte e disa kritere. Çdo të thotë që zgjedhjet e dekriminalizimi qenkan kritere kurse reforma në drejtësi qenka kusht?! Ku është ndryshimi sipas këtij “gjeniu”?! A nuk janë të gjitha kërkesa për tu plotësuar? Apo kriteret mund edhe të mos plotësohen…?!! Së fundi u detyrua të pranojë se nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë në dhjetor, pasi kishte mashtruar publikisht duke deklaruar që negociatat ishin hapur e në dhjetor do kishte vetëm një formalitet. Unë nuk e di se si mund të ketë ende shqiptarë apo ndërkombëtarë që mund ti besojnë e ca më shumë të mbështesin Ramën në këto palacolliqe, vetem nëse edhe arsyet e tyre nuk janë aq të purifikuara sa ç’faqen.
Presidenti Nishani dekretoi të hënën datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Ndërkohë ende nuk ka një draft të reformës zgjedhore. Shpesh herë nga seli blu është kritikuar Kodi Elektoral. Do kërkoni ndryshime, apo PD do të hyj në zgjedhje me këtë Kod?
PD është shprehur që herët se reforma më thelbësore e më të cilën duhet të merremi më së pari është ajo zgjedhore. Ne paraqitem dhe dhjetë pika të cilat do të ishin një arritje e madhe në reformën zgjedhore dhe rikthimin e besimit të shqiptarëve tek vota e lirë. Kryesorët ishin; votimi e numërimi elektronik si dhe kontrrolli i financave të partive në zgjedhje. Rama jo vetëm nuk i pranoi këto kërkesa por ka bllokuar praktikisht dhe punën e komisionit të reformës zgjedhore duke mos trajtuar as kërkesat e paraqitura nga OSBE-ODHIR. Kjo sigurisht nuk bëhet pa qëllim. Rama e di që me zgjedhje të lira e të ndershme do të merrte mbi një milion shkelma e grushte me atë që ju ka bërë shqiptarëve në mandatin e tij qeverisës. Për këtë arsye gjithë shpresa e tij është që edhe në qershor të blejë varfërinë e shqiptareve, të marri “frytet” e terrorit që ka ushtruar me institucionet që nëvend t’iu shërbenin qytetarëve u përdoren si mjete represioni për ti trembur e nënshtruar, të shërbehet nga mafia e drogës dhe e koncesioneve e në fund të mbaj në kundershtim me vullnetin e shqiptarëve, një mandat që e ka humbur me kohë. Për këtë arsye PD-ja ka vendosur si objektiv të saj të parë largimin e Ramës e qeverisë së tij, si kusht elementar për të krijuar premisa për zgjedhje të lira në Shqipëri.
Disa javë më parë Kryetari Basha deklaroi hapjen e partisë për elementë nga shoqëria civile, duke deklaruar se në opozitë ka vend për gjithë qytetarët që e ndershëm. Por para se të ftoni qytetarët a nuk mendoni se vetë e djathta nuk i ka gjithë elementët e saj, siç është përshembull FRD-ja e Bamir Topit etj?
Hapja e PD është ndaj qytetarëve dhe gjithë faktorëve që e shohin si kërkesë parësore përmbysjen e rregjimit të “rilindjes”. Isha pak ditë më parë në një takim me grupin që organizoi fushatën e Presidentit Trump. Një nga kuriozitetet e këtyre zgjedhjeve në SHBA ishte fakti që Donald Trump dukej sikur ishte i vetëm kundër të gjithëve. Kunder media e politikane, disa dhe brenda partisë së tij, sondazhe që vulosnin humbjen, trysni dhe presion i paparë nga gjithë anët. Por në fund një fitore spektakolare. Ku ishte sekreti? Përgjigja shumë e thjeshtë; kontakt i drejtëpërdrejtë me qytetarët, aleancë me qytetarët. Ky është dhe thelbi i nismës së z. Basha . Ky është thelbi i fitores, jo të PD, por të qytetarëve të bashkuar.
Partia Demokratike ka deklaruar se do të nis protestat, por këto nisma janë shtyrë disa hërë. Dikur protestat kanë qenë aksioni më i fortë opozitar i PD-së, përse ky hezitim?
Në objektivin për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme PD do përdor gjithë arsenalin e saj dhe potencën e gjithë qytetarëve që kërkojnë si kusht të parë për realizimin e tyre, largimin e Ramës nga pushteti. Protestat sigurisht që do të jenë zgjidhja finale e këtij procesi.
Seancave të fundit në kuvend, opozita është më “e egër” sa u takon toneve dhe debateve, ku edhe nuk kanë munguar as përjashtimet. E shihni si opozitarizëm këtë taktikë dhe produktive ndaj maxhorancës?
Sigurisht që grupi parlamentar ka një strategji veprimi në Parlament por kjo nuk ka lidhje me ate që ju e quani “egërsim” të opozitës. Reagimet tona kanë qenë në proporcion të drejtë me rritjen e arrogancës së qeverisë e cila nga ana e saj është në proporcion të njëjtë me rritjen dhe trashjen e zullumit të saj. Të shohësh personazhe si Beqja që grabisin e pasurohen mbi shëndetin e jetën e shqiptarëve apo lolo të krimit si Tahiri që të bëjnë dhe arrogantin në Parlament, duke pretenduar ti mbyllin dhe gojën opozitës sigurisht që çojnë dhe në reagime që dikujt mund ti duken si të padenja për Parlamentin . Por ju siguroj që janë minimumi i asaj që duhet të bëj një opozitë për të mbrojtur të drejtat e saj dhe atyre që përfaqëson.
Edvini nuk ka parë gjë akoma…