Ekspozita brilante e piktorit Avni Delvina
Piktori i talentuar Avni Delvina hapi pasditen e sotme në Tiranë një ekspozitë me punimet e tij më të fundit. Tema kryesore e punimeve është përqendruar në protestën për “Teatrin Kombëtar” dhe vjen si mbështetje ndaj artistëve që ruajnë prej 20 muajsh godinën nga fadromat. Ekspozita është titullar “Notre Dame de Tiran”.
Artisti Delvina tha se ekspozita është një mënyrë e veçantë për të shprehur revoltën e artistit ndaj cënimit të institucioneve demokratike dhe planeve për të shembur Teatrin Historik Kombëtar të Shqipërisë.
Ekspozita ka 40 grafika me shumë mesazhe të forta politike, ku paraqiten drejtues të institucioneve dhe personazhe politikë.
Delvina thotë se nuk mund të mungonte në Tiranë me veprat e veta “në këto kohë protestash qytetare ndaj abuzimeve të administratës në çdo nivel dhe dhunimit të demokracisë në çdo institucion. Nëse njeriu mungon në këto protesta për demokraci, atëherë mohon veten e vet, theksoi ai”.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë shumë dashamirës të Teatrit, mes tyre edhe ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.