Ekspozita personale në Berlin. PD: T’i hiqet mandati Edi Ramës
Partia Demokratike e cilëson të paprecedentë hapjen e një ekspozite me piktura nga kreu i qeverisë, Edi Rama në Gjermani. Deputetja e PD, Albana Vokshi në një konferencë për mediat deklaroi se kreu i qeverisë ka braktisur detyrën për t’u marrë me pasionet personale, si dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim për mënyrën e financimit të këtij aktiviteti privat.
Sipas PD, arti i Ramës në vendet e BE po prezantohet me paratë e taksapaguesve shqiptarëve dhe kjo është një shkelje që duhet të dënohet me heqjen e mandatit të tij si deputet i Parlamentit të Shqipërisë. “Edi Rama e ka braktisur detyrën, për të hapur në Berlin një ekspozite të re për shitjen e krijimeve të tij, në shkelje të hapur të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, e cila detyron heqjen e mandatit për deputetin Edi Rama”,- tha sot Albana Vokshi.
Deputetja e PD shpjegoi se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, përcakton në nenin 27 të tij se, “Kryeministri nuk mund të ushtrojë veprimtari private që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar”.
Veç përgjegjësisë politike, PD kërkoi sqarime nga kreu i qeverisë dhe se nga burojnë paratë me të cilët paguan galeritë luksoze që promovojnë punimet e tij. “Beri në vitin 2014, Edi Rama ka deklaruar zero lekë nga krijimtaria artistike. Pasi bëhet Kryeministër, Edi Rama, nis të hapë ekspozita në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Për 3 vjet rresht, në 2015-2016-2017, ka deklaruar 79 milionë lekë të ardhura nga krijimtaria artistike. Gjithçka është në kundërshtim me ligjin dhe detyrën e tij si kryeministër dhe si deputet”,- tha deputetja e PD.
Duke renditur disa shkelje ligjore të kreut të qeverisë, që sipas opozitës lidhen me pasurinë dhe ushtrimin e detyrës, Vokshi shtoi se Kuvendi duhet të marrë masa për të ndaluar që kreu i qeverisë të tallet me shqiptarët.
“Duke shitur krijimtarinë e tij artistike dhe duke krijuar të ardhura të deklaruara 79 milionë, kryeministri Edi Rama ka vepruar në cilësinë e personit fizik tregtar, siç e përcakton ligji për të drejtat e autorit. Kjo përbën qartazi papajtueshmëri me funksionin e Kryeministrit dhe deputetit, duke shkelur hapur Kushtetutën. Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë i takon të mos sillet si vegël në duart e Edi Ramës, por të ushtrojë të drejtën e vet: të konstatojë papajtueshmërinë me funksionin e Kryeministrit/deputetit dhe të deklarojë mbarimin e mandatit të Edi Ramës në bazë të nenit 71 të Kushtetutës”, tha Vokshi.
(Në foto më poshtë): Nenet e Kushtetutës dhe ligjit të parandalimit të konfliktit të interesit ku bazon akuzat ndaj Ramës Partia Demokratike
VIDEO/Deklarata e deputetes Albana Vokshi
https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/632567553879912/
LEXONI EDHE