Elisa Spiropali i përgjigjet Gazment Bardhit: Mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar, por ju po bëni dhunë!

Kryetarja e parlamentit Spiropali i është përgjigjur Gazment Bardhit dhe PD për aktin e sotëm. Ja statusi i saj i plotë:

Nga Elisa Spiropali-

Mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar e politik në historinë e njerëzimit.

Thelbi i saj i pandryshueshëm, qysh me Sokratin në Greqinë e Lashtë, i cili predikonte vënien në pikëpyetje të së drejtës morale të autoriteteve për një ligj të padrejtë, e deri tek Mahatma Gandi. Ai e gjunjëzoi Perandorinë Britanike, duke u ulur i pari në gjunjë derisa me miliona vetë u ulën pas tij në rrugët e Indisë. Ballë për ballë grykëve të pushkëve të batalioneve të regjimit kolonial, i cili hapte zjarr në trupat e tyre dhe të mosbindurit civilë nuk lëviznin nga vendi, është refuzimi absolut, i dhunës si mjet për imponimin e një të drejte të mohuar.

Beteja të tëra epike të njerëzimit për heqjen e skllavërisë, të drejtën e votës për gratë, anullimin e ligjeve raciste, fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut, u furnizuan me energjinë e pandalshme morale dhe rezistencën e hekurt shpirtërore të mosbindjes civile.

Mosbindja civile e përjashton kategorikisht ngritjen e dorës për të demonstruar forcë dhe synon krijimin e një kontrasti moral paralizues, mes trupave të protestuesve paqësorë dhe korpusit të një padrejtësie shtetërore të perceptuar si të tillë nga shoqëria.

Mosbindja civile mishërohet nga individë që i kundërvihen ligjërimit të një padrejtësie, duke marrë përsipër ta thyejnë paqësisht ligjin e padrejtë dhe duke pranuar paqësisht pasojën personale të shkeljes së atij ligji.

Mosbindja civile përmes guximit po edhe sakrificës vetjake, i kontribuon arritjes së zgjidhjes me drejtësi, jo përmes dhunës, po përmes masivizimit të ndjeshmërisë popullore që në fund ia del ta imponojë të drejtën e mohuar, si një lloj shah mati për autoritetet.

Kjo është, me fjalë të shkurtra, përmbajtja e konceptit të mosbindjes civile dhe kështu e ka çarë rrugën e historisë forca krijuese e mosbindjes civile, në një sërë ngjarjesh të jashtëzakonshme politike e shoqërore për liritë e të drejtat njerëzore.

Asgjë më e largët me përmbajtjen e thellë morale dhe formën cfilitëse të durimit të mosbindjes civile, nuk mund të imagjinohet dot, se sa përçudnimi i dhimbshëm i opozitarizmit politik e mediatik të kësaj vjeshte.

Keqardhje e madhe!

Por sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt.

SHKARKO APP