Erion Veliaj: Duhet marrëdhënie PS- LSI. Nuk heq asnjë të LSI nga Bashkia
Ndryshe nga deklaratat paksa arrogante që vijnë nga PS-ja kundër LSI-së pas zgjedhjeve, Erion Veliaj ka një qëndrim tjetër.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka thënë sot në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit se spastrimet në administratën shtetërore nuk do ta prekin atë të Bashkisë së Tiranës Sipas Veliajt, administrata e Bashkisë nuk është njësoj si tepsia e qeverisë. “Unë e kam diskutuar edhe me Ramën. I kam thënë se unë njeri nga puna nuk heq se është i LSI-së”, tha Veliaj.
Veliaj u shpreh se ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me LSI dhe PDIU në Bashkinë e Tiranës. “Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me aleatët dhe nuk i kam parë si përfaqësues të partive, por si ekip. Unë nuk i shoh nga “targa”, por nga “motori”,- tha Veliaj.
Veliaj komentoi dhe marrëdhëniet mes PS dhe LSI. Ai tha se pavarësisht asaj që ndodhi në politikë nuk ka gjëra të prera dhe nuk duhet thënë kurrë. “PS-LSI duhet të shohin përpara. Të shohim përtej debateve të fushatës, sepse gjatë fushatës e kemi kaluar cakun….”,- tha Veliaj.
Lidhur me një koalicion të mundshëm PS-PD, Veliaj tha se mundësitë janë më të pakta se kurrë. Sipas tij, vota e 25 qershorit ishte e qartë për qeverisjen.
Veliaj tha se kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do t’i duhen 12 vite për të ardhur në pushtet. Në emisionin “Studio e hapur” me gazetaren Eni Vasili, kryebashkiaku Veliaj tha se “News24”, se për shkak të situatës në PD, kreu i kësaj partie e ka të vështirë të vijë në pushtet. Sakaq ai shoi se “Opozita e sotme përfaqësohet nga familja e kryetarit”. “PD po menaxhohet si biznes familjar. Mendoj se mund të dalin forca të tjera për opozitë. Kështu si është situata në PD do t’i duhet 12 vite për të ardhur në pushtet”, tha kryebashkiaku i Tiranës.