Erion Veliaj: Kemi kuptuar se me LSI kemi shumë gjëra që na bashkojnë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në darkën e një nate më parë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, ka folur i pari pas takimit duke dhënë dhe sinjalet mbi përmbajtjen e asaj çfarë është diskutuar.
Paraditen e sotme, gjatë inspektimeve të punimeve në shkollën “Betim Muço” në zonën e Kombinatit, Veliaj ka lënë të kuptohet se pakti mes PS-së dhe LSI-së është arritur.
“Kemi kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të ruajmë këtë ritëm të zhvillimit të Tiranës, të zhvillimit të Shqipërisë, vetëm duke u fokusuar te gjërat që na bashkojnë, duke qenë konstruktivë, duke ofruar konsensus, për të kuptuar se Shqipëria është përtej çdo diference tjetër. Mund t’i ofrojmë vendit një qeverisje të qëndrueshme si në Shqipëri, ashtu edhe në qytetin Tiranës, ku besoj se kemi vënë një standard në mënyrën e ofrimit të shërbimeve”, tha Veliaj.
Deklarata e Veliajt edhe pse nuk përmend me emër LSI-në, u bë vetëm pak orë pas takimit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, ku ishte i pranishëm dhe kryebashkiaku i Tiranës.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur replika mes PS dhe LSI dhe për çështje të ndryshme, ku nuk kanë munguar tonet e forta dhe akuza.
Ndryshe nga politikanë të tjerë në PS, Veliaj ka qenë gjithmonë mbështetës i idesë së vazhdimit të koalicionit mes PS dhe LSI. Edhe në momentet ku ka pasur krisje të forta nga eksponentë të dy partive, Veliaj ka bërë apel për gjeten e rrugëve të përbashkëta.
Duket se kreu i Bashkisë së Tiranës ka luajtur një rol jo të vogël edhe në uljen e tensioneve të ditëve të fundit mes PS dhe LSI. Kujtojmë se vetëm dje në mëngjes, ish-ministri Saimir Tahiri në Asamblenë e PS-së foli ashpër kundër aleatëve në qeveri dhe deklaroi se PS-ja fitonte dhe e vetme.
Ndryshe ka qenë gjithë qëndrimi i Veliajt, i cili edhe sot nga “Kombinati” ka theksuar se “së bashku (me LSI) mund t’i ofrojmë vendit një qeverisje të qëndrueshme”.