Erion Veliaj nderon Michael Granoff, Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)

Erion Veliaj nderon Michael Granoff, Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Kryebashkiaku para këshillit bashkiak të Tiranës foli me supërlativa për zotin Granoff.

“Ai dhe AADF janë mbështetëse të projekteve transformuese të Tiranës, që nga Pazari i Ri e deri te Piramida, e mezi pres të bashkëpunojmë edhe për vepra të tjera që do të ngelen në qytetin tonë”- theksoi kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në të vertetë Fondacioni njihet si financues i shumë projekteve në Shqipëri.

Në ceremoninë e veçantë, e zhvilluar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Veliaj tha se Granoff është personifikimi i raporteve të shkëlqyera të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkrahjes së tyre, veçanërisht në momente të vështira të vendit, përfshirë edhe sulmet e fundit kibernetike.

Kryebashkiaku nënvizoi se projektet e realizuara bashkë me AADF-në, e forcojnë edhe më shumë miqësinë mes Shqipërisë dhe SHBA.

“Një gjysmë urë nuk mund të rrijë dot në këmbë, ndaj besoj se duhet t’ia forcojmë këmbët urës së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA. Projektet që realizojmë bashkë me AADF janë si ato kavot që na lidhin me njëri-tjetrin, që na e bëjnë më të fortë dhe më të sinqertë marrëdhënien tonë. Së bashku po vizatojmë një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë dhe gjeneratat që do të vijnë. Jam shumë i lumtur që para pak ditësh Kongresi Amerikan hartoi një rezolutë për Shqipërinë, për të reflektuar mbi sulmet e fundit që kemi pasur nga Irani dhe forcave të errëta që nuk i duan të mirën vendit tonë dhe fakti se SHBA-të janë sërish të parët që na japin këtë lloj mbështetjeje, na bën të ndihemi të sigurt, na bën të bindur se kemi marrë vendimin e duhur në këtë raport special mes SHBA, Tiranës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim”, tha Veliaj.

Ai theksoi se falë këtij bashkëpunimi është bërë i mundur jetëzimi i Pazarit të Ri dhe hapja e TUMO-s.

Kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff falënderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe siguroi se shumë punë të mira do bëhen edhe në të ardhmen. “Për mua çdo gjë është për të ardhmen: zgjedhjet janë për të ardhmen, njerëzit mendojnë për jetën dhe gjithmonë mendojnë për të ardhmen e jetës së tyre. Edhe ne duhet të mendojmë për gjërat që kemi bërë dhe shpresoj që ajo që do të kemi mundësi t’i zgjerojmë ato, t’i bëjmë edhe më mirë, por gjithashtu të flasim edhe për gjerat e së ardhmes, se çfarë mund të bëjmë tjetër, si të realizojmë punë që të tjerët nuk i bëjnë dot”, deklaroi Granoff.

SHKARKO APP