Eurodeputetët thellojnë krizën politike në Shqipëri

Delegacioni i Parlamentit Europian që vizitoi dje Tiranën në vend të afrimit të palëve dhe gjetjes së konsensusit i ka dhënë një “ndihmë” thellimit të krizës politike në Shqipëri.

Parlamentarët europianë sikur të ishin porositur i hodhën benzinë zjarrit, zjarr që do të shikohet më vonë kur të plasin rrëmujat shqiptare dhe vala e emigrantëve të mbushi brigjet italiane dhe të zbarkojnë nëpër aeroportet e Europës.

Shtatë eurodeputetë, që në sytë e shqiptarëve paraqesin Brukselin, u shfaqën në një konferencë para mediave duke paraqitur një realitet të përmbysur të zhvillimeve në Shqipëri. Në gjithë komunikimin e tyre me mediat ra në sy retorika e përdorur, qëndrimet politike dhe çdo gjë që lidhet me Shqipërinë ishte sipas optikës së qeverisë dhe jo asaj çfarë ndodh realisht në vend. Në komunikimin e tyre eurodeputetët kishin vetëm kritika për opozitën dhe as një fjalë për problemet që ka prodhuar qeveria në mandatin e dytë të Edi Ramës si kryeministër.

Kështu, thanë se zgjedhjet ishin të rregullta, por harruan se në raportet përfundimtare të ODIHR thuhet se zgjedhjet kanë parregullësi. Thanë se parlamenti është legjitimin, por nuk shpjeguan sesi një parlament mund të quhet i tillë kur nuk ka opozitën e ligjshme brenda tij. Thanë se qeveria tranzitore është e pakuptimtë, por nuk shpjeguan se çfarë kuptimi ka vijimi i një qeverie e dalë nga zgjedhje të blera. Për akuzat për vjedhje vote dhe trafik droge thanë se janë çështje të drejtësisë, por nuk u treguan shqiptarëve se ku duhet ta gjejnë drejtësinë, përsa kohë s’ka më gjykata dhe Prokuroria është e gjitha e qeverisë. Thanë se dhuna në protesta është e papranueshme por nuk komentuan në asnjë rresht dhunën e policisë, provokimet dhe qindra qytetarët e helmuar nga gazi kimik i Gardës së Republikës. Në fund dolën kundër djegies së mandateve por thanë se parlamenti duhet të vijojë punën! Deklarata për Parlamentin është dhe më e rrezikshme dhe ishte gjëja e fundit që presin shqiptarët prej ndërkombëtarëve. Direkt apo indirekt qëndrimi i eurodeputetëve për të vijuar punën parlamenti është lejimi i qeverisë “Rama” për të bërë zëvendësimin e deputetëve që dogjën mandatin. Që nga nisja e krizës, Edi Rama dhe qeveria kanë tentuar që të zëvendësojnë deputetët që ikën me emra të tjerë të blerë nga listat e partive opozitare. Është një skemë sa e papërgjegjshme politikisht, aq dhe e rrezikshme për stabilitetin e vendit, e cila nuk ka as mbështetjen e shumicës së deputetëve brenda PS. Sepse në momentin që opozita ligjore dhe morale ndodhet jashtë Kuvendit, blerja e mandateve është vetëm provokim dhe jo thjesht për opozitën, por për gjithë shoqërinë. Edi Rama duket i vendosur të bëjë dhe zëvendësimin e opozitës dhe për fat të keq, dje i erdhën në ndihmë dhe një grup eurodeputetësh që duket se e kanë ndarë mendjen të bëjnë eksperimente me Shqipërinë. Po dje një pjesë e këtyre eruodeputetëve u panë në kafenetë e Tiranës me ndonjë emër që ëndërron të zëvendësojë mandatet zyrtare të opozitës. Nëse ky qëndrim është dhe ai i zyrës së BE në Tiranë, atëherë eurodeputetët jo vetëm nuk po zgjidhin krizë, por po e thellojnë më tej atë duke çuar vendin drejt konfliktit të pashmangshëm.

Në kulmin e krizës politike në vend, deklaratat e djeshme të eurodeputetëve nuk ishin ato që shqiptarët prisnin të dëgjonin nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian. Jo vetëm qëndrimet e gabuara, por edhe ironia e ndonjë eurodeputeti ndaj opozitës të krijon përshtypjen se një pjesë e tyre dje nuk ishin në Tiranë si përfaqësues të vlerave të BE ku besojnë shqiptarët, por si zëdhënës të pashpallur të qeverisë “Rama”. Madje në heshtjen e tyre për drogë, krimin, vjedhjen dhe koncesionet ndonjë eurodeputet ja kaloi dhe çdo avokati të qeverisë “Rama”. Sepse asnjë deputet i PS nuk mund të fliste në mënyrë atë të papërgjegjshme, sa që në kulmin e krizës gjithë fajin e sheh të opozita dhe nuk sheh asnjë problem te qeveria.

Eurodeputetët  hodhën benzinën në mes të Tiranës, ndërsa shkrepsen e kanë në protestuesit në ditët në vijim.

Qamil Xhani

SHKARKO APP