Eurodeputetët: Vetëm Konsensus për reformën. Treni europian po ikën

-BE është me “ dhimbje koke” nga ikja e Britanisë së Madhe dhe nuk do ta ketë më mendjen tek Tirana, nëse Rama-Meta-Basha nuk gjejnë zgjidhje kompromisi

 Partia Socialiste ka këmbëngulur që reforma në drejtësi të hyjë në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Si datë për miratimin e saj socialistët kanë parashikuar 21 korrikun. Ndërkohë dje Komisioni i Posaçëm i Reformës ka vijuar mbledhjen me diskutimin e projektligjeve ku është caktuar statusi i gjyqtarëve dhe sistemi i pagave sipas kritereve europiane. Futja në kalendar nuk ka miratimin e PD-së dhe diskutimet e vendimet në komision janë bërë pa deputetët e Partisë Demokratike, çka nuk jep garanci për jetësinë e saj. Në këtë situatë kur ligjet e reja sipas PS-së po bëhen sipas standartëve europiane, ndërsa miratimi i tyre po bëhet me modelin “shqiptar”, vetëm me një palë. Pra në mënyrë të njëanshme.

Ndërkohë nga Brukseli dhe europarlamentarë të ndryshëm janë shtuar zërat për gjetjen e konsensusin mes palëve, nga selia rozë nuk ka asnjë ndjeshmeri për të gjetur kompromisin ligjor e politik. Dy eurodeputetë sllovenë Tanja Fajon dhe Ivo Vajgl kanë bërë thirrje për vazhdimin e negociatave dhe gjetjen e konsensusit mes palëve. Edudeputetja Fajon, një njohëse e mirë e problematikës në Shqipëri, e ka cilësuar miratimin e reformës me konsensus si domosdoshmëri për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Kjo është një reformë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ajo do sjelli shumë ndryshime dhe ky është momenti kyç për ta shtyrë përpara këtë reformë”,- u shpreh Fajon në një prononcim dhënë për Syri.net. Një pikë kryesore e qëndrimit të saj ka të bëjë me gjetjen e konsensusit mes palëve. Konsensus që sipas eurodeputetes është jetësor në reforma të tilla. Eurodeputetja njihet si mike e së majtës kohët e fundit, por përsëri kërkon konsensus e jo miratim në mënyrë të njëanshme.

“Për çdo shoqëri është e rëndësishme dhe ekstremisht e shëndetshme qëndrimi i bashkuar i qeverisë me opozitën dhe padyshim me shoqërinë civile në angazhime të tilla. Kjo është një reformë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Do sjellë shumë ndryshime dhe mendoj se ky është momenti për ta çuar përpara atë. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të vazhduar përpara në rrugën europiane dhe besoj qeveria shqiptare dhe opozita do gjejnë një zgjidhje.Ne do ju japim të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe kemi besim të madh se do ia dilni”,- tha eurodeputetja Fajon.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe europarlamentari tjetër slloven Ivo Vajgl, i cili ka vënë theksin të bashkëpunimi Qeveri-Opozitë si çelësi për zgjidhjen e situatës. “Unë e theksoj gjithmonë në të gjitha vendet ku kam qenë qoftë si gazetar, parlamentar, apo në pozicione të tjera se përgjegjësia e një shteti, e çdo shteti, shtrihet midis qeverisë dhe opozitës” – shprehet Vajgl.

Ai ka deklaruar se për vendime të rëndësishme bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është i rëndësishëm. “Unë mendoj se të gjitha vendimet e rëndësishme të çdo shteti, apo të gjitha reformat e nevojshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian duhen të arrihen si bashkëpunim i opozitës me qeverinë, duke përfshirë sigurisht edhe shoqërinë civile”,- tha ai.

Reagimi i dy eurodeputetëve vjen në vazhdën e qëndrimeve të personaliteteve të Parlamentit Europian për arritjen e konsensusit. Pak ditë më parë, dy raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kërkuan gjetjen e konsensusit mes PS dhe PD për kalimin e reformës në drejtësi. Por si asnjë herë tjetër më parë, ata reaguan ashpër ndaj idesë së Partisë Socialiste për “blerje” votash nga PD-ja për kalimin e reformës.

Pavarësisht se palët janë larg për nenin e famshëm “88” të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, sinjalet nga BE janë të qarta. Mundësia e marrëveshjes ekziston dhe ajo është në dorë të Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Ndërsa kreu i Parlamentit Ilir Meta ka qenë i gatshëm për gjetjen e një ure bashkëpunimi dhe arritjen e konsensusit mes PD e PS. Bile ka lenë të kuptohet se pa këtë konsensus Reforma do ketë probleme.

Konsensusi ka nevojë me shumë se kurrë tani në këto momente të vështira për BE me daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni, e ku në Bruksel nuk e ka kush mendjen tek Shqipëria nga hallet e dhimbjet e kokës që u shkaktoi Londra. Ndaj ka nevojë për një takim Rama-Meta-Basha dhe ta mbyllin këtë histori pafund sherri, pasi trenit të Europës i ka ikur vagoni kryesor i politikës dhe i forcës. Shqipëria nuk është as në tren, as në vagon nga fundi. Ndaj jemi në stacion duke pritur dhe treni i dërmuar i BE mund të vijë, bën një ndalesë të vogël, shikon trenisti se “këta nuk janë gati” dhe ikën. Nuk e kapim më trenin!

Merruni vesh pasi nëse fillon sherri e rrëmuja politike e destabiliteti nuk ka më as Tanja Fajon, as Fleckenstein, as Kukan që vjen më në Tiranë kur po u digjet BE nga ikja e Britanisë së Madhe.

SHKARKO APP