Fahri Balliu flet për arrestimin e të birit: Një akt i turpshëm i qeverisë
Gazetari Fahri Balliu, në studion e “Top Channel” ka folur sot për arrestimin e djalit të tij, Klevis Balliu i cili u ndalua nga policia për “kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, Balliu u shpreh se: “Pas paraqitjes së kërkesës së prokurorisë për arrest shtëpiak gjykata ka vendosur detyrim paraqitje, çështje të tyre. Por një gjë mund ta them me bindje: të çojmë prapa hekurave, e nëpër gjykata djemtë që kanë studiuar në Londër dhe që janë si Klevisi, apo qindra të tjerë që nuk po gjejnë përgjigje në Shqipëri është një trishtim shumë i madh“.
Gazetari shtoi se “nga pikëpamja shoqërore, është i Fahriut apo i dikujt tjetër, por kur gjithë trafikantët e drogës e kokainës i ke rrugëve, edhe për hajdutët e Rinasit që skemi asnjë lajm, megjithë këto të zeza, shkojmë çojmë deputetët e opozitës në dyert e gjykatave është një trishtim shumë i madh”.
Ndërkohë që u shpreh se në gjithë këtë çështje policia ka luajtur një rol negativ dhe ka akuzuar qeverinë. “Policia ka luajtur një rol ekstremisht negativ, në gjithë këtë histori. Ne zotërojmë me dokumenta të gjithë dhe në momentin e duhur do i shpallim. Unë jam gazetar, dhe di t;i lexoj veprimet. Një shëmti, e gjitha një histori që nuk na nderon, na turpëron, por turoi është i qeverisë dhe i atyre që i shkaktojnë dhe që u bëjnë presion duke u nisur nga fuqia e postit dhe e mandatit të vjedhur. U bëjnë presion drejtorëve të policisë, shefave të rendit, prokurorisë, i dimë emrat e të gjithëve”, tha Fahri Balliu.
I pyetur nëse ka një apel për Markun e cila sonte në mbrëmje është e ftuar në “Open” me Eni Vasilin ai tha: “ Ajo vetëm prokurore që nuk është. Për ndonjë punë tjetër thirreni e pyeteni. Shqipëria dhe shqiptarët i kanë zorrët e së keqes jashtë. Unë po iu them që në një mbledhje të komisionit juridik në Kuvend, ish-ministri Nasip Naço ka dhënë një shifër që të ngjeth mishin. Ka 1500 vrasës me pagesë dhe vrasës të ndryshëm që janë në kërkim dhe asnjë nuk flet për këtë gjë. Unë do thoja që vrasësi i parë është kryeministri i cili i shkakton gjithë këto të zeza”.