Fakte për ish-ministrin Ksera nga prokurori. Video e foto fallse

Ministria e Punës, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati i minoritetit grek, ka abuzuar hapur me fondet publike. Spiro Ksera dhe të paktën tetë vartës të tij, kanë falsifikuar me qëllim vjedhjen duke shpërdoruar detyrën. Ata kanë përpiluar dhjetëra dokumente për disa organizime fiktive, me qëllim zhvatjen e parave. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur të paktën gjashtë episode, ndërsa thotë se materialet e KLSH-së apo edhe të Ministrisë së Punës, kanë qenë për dhjetëra të tjera. Dje, një ditë pas ndalimit të Kserës, akuza qendrore reagoi nëpërmjet një njoftimi zyrtar, duke theksuar se ai ka bërë disa procedura fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore gjatë vitit 2013. Grupi hetimor, i kryesuar nga Ndini Tavani, ka zhvilluar hetime në bazë të kallëzimit të KLSH-së, ku janë krijuar dyshime të arsyeshme se ish-ministri Ksera, në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e kabinetit, Kleves Bitro, si edhe me mbështetjen e disa zyrtarëve të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit. “Këto shuma financiare, ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar ose janë realizuar me kosto shumë më të ulëta nga ato që janë shënuar në dokumente. Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer”, thotë akuza qendrore. Sipas saj, aktivitetet janë “Prioriteti i minoriteteve – barazi në të drejta”, “Kapërceni paragjykimet – njihni romët”, “Ne sfidojmë të gjithë së bashku”, “Të ndryshëm, por të barabartë”, “Përfshirje sociale – drejtësi sociale” dhe “Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.

“Takimi” në Dropull

Akuza ka faktuar të paktën gjashtë raste. Një nga eventet ka qenë “Prioriteti i minoriteteve – barazi në të drejta”. Pretendohet të jetë zhvilluar nga data 27 qershor deri më datë 3 korrik të vitit 2013. Aktiviteti është zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës dhe në zonën e Dropullit të Poshtëm dhe kishte synim promovimin e vlerave të minoriteteve në Shqipëri. Pretendohet të jetë realizuar hapja e një ekspozite me relikte, botime, kujtime etj., nga personalitete të minoriteteve të ndryshme. Gjithashtu, në këto shtatë ditë janë organizuar konferenca, dreka dhe darka për 70 persona, si dhe akomodimi në hotel për 32 persona. Sipas urdhrit, rezulton se për zhvillimin e këtij aktiviteti janë shpenzuar 9 600 000 lekë me TVSH. Në dosje gjendet një raport përmbledhës, i cili është nënshkruar nga Kleves Bitro dhe Artevis Mene, faturë tatimore, urdhër shpenzimi, situacion, raport përmbledhës, një kopje posteri e ftesë, si dhe një DVD. Pamjet e kësaj DVD-je pasqyrojnë zhvillimin e një aktiviteti të kryer më datë 9 mars 2013, në nder të ish-futbollistit Lefter Millo, disa pamje pasqyrojnë aktivitete të zhvilluara në ambientet e MPÇSSHB-së. Akuza thotë se nuk gjenden në dosje fatura që të justifikojnë shpenzimet e kryera për këtë aktivitet lidhur me fjetjen në hotel, drekat dhe darkat, posterat dhe fletëpalosjet.

“Njihni romët”

Akuza ka faktuar edhe abuzimet për organizimin e aktivitetit “Kapërceni paragjykimet – njihni romët”, zhvilluar sipas dokumentacionit nga data 28 qershor deri më datë 1 korrik 2013. Sipas prokurorisë, takimi ishte konceptuar për t’u zhvilluar në Tiranë. Parashikohej mbajtja e një panairi ndërkulturor të artizaneve rome, konferenca dhe seminare. Panairi pretendohet të jetë shtrirë në një sipërfaqe 500 m², në një zonë jashtë Tiranës dhe është pajisur me stenda, tavolina ekspozuese, çadra etj. Sipas urdhër shpenzimit të datës 11.07.2013, rezulton se për zhvillimin e këtij aktiviteti janë shpenzuar 4 356 000 lekë me TVSH. Në dosje gjendet një raport përmbledhës, i cili është nënshkruar nga Kleves Bitro dhe E.D. faturë tatimore, urdhër shpenzimi, situacion, raport përmbledhës, një kopje posteri e ftesë, si dhe një DVD. Nga këqyrja që u bëhet pamjeve të DVD, rezulton se ato pasqyrojnë të tjera aktivitete, të cilat janë zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, si konkretisht “Me romët – për romët”, zhvilluar në prill të vitit 2013 etj. Këto aktivitete janë mbështetur dhe financuar nga organizma ndërkombëtare (PNUD, Shqipëri) dhe jo nga ish-MPÇSSHB-ja. Akuza thotë se në raportin përmbledhës janë pasqyruar aktivitetet që janë zhvilluar në kuadër të këtij eventi. Fotot dhe DVD pasqyrojnë zhvillimin e aktiviteteve, por që nuk përkojnë me datat në të cilat pretendohet të jenë zhvilluar aktivitetet e këtij eventi. Për shembull, pretendohet se, më datë 01.07.2013 në orën 20:00 deri 20:45, trupa e të rinjve të komunitetit rom, me pjesëmarrjen dhe të studentëve të Akademisë së Arteve, realizuan dramën “Të mjerët”. Rezulton që kjo dramë është shfaqur më datë 11 prill 2013 në orarin 19:00-21:00 dhe është zhvilluar në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Romëve organizuar nga PNUD, Shqipëri. Sipas CD-ve dhe DVD-ve të administruara nga subjekti “Sh… shpk”, rezulton se është ndërhyrë nëpërmjet montazhit në fotot për këtë aktivitet duke e pasqyruar si një aktivitet të organizuar nga “Sh…”. Akuza thotë se nuk gjenden në dosje fatura që të justifikojnë shpenzimet e kryera për këtë aktivitet.

Si i “përzgjidhte” aktivitetet ish-ministri. Organizimet, pas humbjeve të zgjedhjeve të qershorit

Në dosjen e prokurorisë për Kserën, faktohet se abuzimet janë bërë pasi PD-ja humbi zgjedhjet e qershorit 2013. Prokuroria ka regjistruar procedimin penal pas kallëzimit të KLSH-së. Janë administruar dokumentet e aktiviteteve që rezultojnë se janë zhvilluar gjatë vitit 2013 nga Ministria e Punës. Me shkresën e datës 11 prill 2013, drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale dhe Drejtoria e Monitorimit të Strategjive Ndërsektoriale i drejtohen ministrit Spiro Ksera, duke i kërkuar miratimin për organizimin e “Ditëve të eventeve të Shërbimeve Sociale”. Është parashikuar organizimi i gjashtë eventeve, të cilat do të zhvilloheshin në datat 27 qershor deri 11 korrik të vitit 2013. Kërkesa parashikonte mënyrën dhe kohën e zhvillimit të eventeve dhe detaje specifike lidhur me zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Gjithashtu propozohej kontraktimi i një kompanie të specializuar për përcaktimin e specifikimeve teknike të nevojshme për realizimin e këtyre aktiviteteve. Ky projekt është miratuar nga ministri i asaj kohe, personi nën hetim Spiro Ksera, i cili ka urdhëruar edhe komisionin e blerjeve të vogla, të fillojë procedurat për kontraktimin e “operatorit të specializuar të fushës”. Ksera, thotë prokuroria, në cilësinë e autoritetit më të lartë të MPÇSSHB-së ka kërkuar një listë aktivitetesh në lidhje me programin e mbrojtjes sociale për të gjitha institucionet që mbuloheshin nga politikat sociale. Fillimisht është bërë një listë me disa aktivitete, të cilat lidhen me fëmijët në nevojë, me moshën e tretë. Personi nën hetim ka kërkuar në vazhdimësi që të rishikohet lista e aktiviteteve, duke bërë nga ana e tij një përzgjedhje të aktiviteteve të kërkuara nga drejtoria përkatëse, një nga të cilat kishte të bënte me fëmijë të familjeve në skemë të ndihmës ekonomike dhe tjetri me moshën e tretë. Nga lista e përgjithshme e aktiviteteve, titullari i institucionit, Spiro Ksera, ka kërkuar verbalisht që këto aktivitete të zhvillohen në komuna të përcaktuara prej tij, duke përcaktuar numrin e fëmijëve që do të përfshiheshin, duke përzgjedhur zonat dhe e njëjta gjë ka ndodhur me aktivitetin për të moshuarit, ku ai ka përzgjedhur Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë me përfituesit e së cilës është zhvilluar aktiviteti. Sipas deklarueses I.B., ajo ka plotësuar një kërkesë bashkë me D.S., një kopje të së cilës e ka vënë në dispozicion të organit procedues. Konstatohet se datat e ushtrimit të aktivitetit janë ndryshuar dhe në kopjen e kësaj shkrese të sekuestruar nga organi procedues, datat nuk janë të njëjta me ato të paraqitura në kopjen e dokumentit të paraqitur nga deklaruesja. Akuza thotë se janë falsifikuar përmbajtja e kërkesës e bërë nga I.B. dhe D.S., lidhur me datat e ushtrimit të këtyre aktiviteteve dhe të dhëna të tjera.

Të arrestuar

Spiro Ksera

Ish-ministri i Punës u kap pardje në Gjirokastër, pas lëshimit të urdhrit të ndalimit nga Prokuroria e Tiranës. Akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën

Kleves Bitro

Ndodhet i arrestuar që prej shtatë muajsh. Është dënuar disa herë nga gjykata për abuzime me detyrën. Sërish është vënë nën akuzë për vjedhje duke shpërdoruar detyrën

Të tjerët

Në pranga ka rënë edhe Artevis Mane, ish-punonjës në ministrinë e Kserës. E arrestuar është edhe 31-vjeçarja Elda Kozaj dhe Pranvera Lila. Akuzohen për falsifikim dokumentesh

Në kërkim

Prokuroria ka shpallur edhe disa persona të tjerë. Ata janë Alban Karabashi, si dhe personat me iniciale A.J. dhe D.F. Akuzohen nga prokuroria për shpërdorim detyre.

SHKARKO APP