Fatmir Mediu: Jo marrëveshje kulisash, të përfshihet edhe media
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, thotë se marrëveshja që do të arrihet për reformën elektorale me Partinë Socialiste duhet të jetë transparente për mediat dhe publikun. Në një intervistë për “Ora News”, aleati i PD-së shprehet se komisionin e reformës nuk e pengon asgjë të mblidhet 4 herë në ditë dhe të diskutojë mendimet e të gjithëve.
“Për t’i dhënë zgjidhje (krizës politike), meqë ne na kërkohet nga faktori ndërkombëtar kjo lloj tryeze, po ashtu edhe PS-së, mos të injorojë kërkënd PS, komisioni që ajo ka në Parlament le të ulet 4 herë në ditë, t’i dëgjoj me vëmendje të gjithë propozimet që vijnë nga nënkryetari i Parlamentit, nga Hajdari, nga Kujtim Gjuzi nga këdo. E rëndësishme është që produktet që vijnë për diskutim mos jenë një marrëveshje kulisash, por të jetë një marrëveshje transparente ku përfshihen edhe media, edhe opinioni publik”,- tha Fatmir Mediu.
Lidhur me qëndrimet brenda opozitës për këtë reformë, Mediu shprehet se opozita ka dakordësi për qëndrimet e përbashkëta. Ai shton se, gjithsesi, reforma zgjedhore nuk sjellë zgjidhje të krizës së rëndë politike.
“Ne kemi ndërtuar një raport të qartë me njëri-tjetrin, që edhe nëse nuk do të jemi dakord, do biem dakord për të mos qenë dakord, sepse kemi mendime dhe interesa të ndryshme dhe përfaqësimi duhet të jetë opozitar në diskutimin që do të bëhet me pjesën tjetër. Padyshim edhe në nivel teknik dhe në nivel politik ka nevojë për facilitim, po nuk është reforma zgjedhore thelbi i të gjithë krizës politike, është një element i saj. Madje nga pikëpamja juridike ka elementë që përjashtojnë dekriminalizimin, përjashtojnë mundësinë e vjedhjes, ndëshkojnë vjedhësit por nuk zbatohet, nuk implementohet në mënyrë të qëllimshme dhe kjo është provuar këto kohë”,- tha Mediu.
Opozita ka kërkuar nga qeveria pranimin e një platforme prej pesë pikash për reformën zgjedhore. Në këtë platformë, mes të tjerash, kërkohet ndryshimi i sistemit dhe funksionimi i komisionit me ndërkombëtarë dhe një përfaqësues të Kuvendit monopartiak dhe një përfaqësues të opozitës reale.
Basha i përgjigjet Ramës: Plotëso pikat e planit të opozitës ose hap krahun