“Vendet e rezervuara”/ Fatmir Xhafa thotë “Jo”, Vasili: “Duhet kompromis”
Fatmir Xhafa kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformen në Drejtësi ka thënë për mediat se nesër do fillojë diskutimi i projektit final kushtetues për Reformën në Drejtësi. Do diskutohet nen për nen dhe me pas do ti kalojë Parlamentit për votim. Xhafa preku me mjeshtri çështjen e “vendeve te rezervuara” dhe tha se kjo nuk ka qenë dhe nuk është projekt i ndërkombëtarëve. Por sidoqoftë e la një derë hapur zoti Xhafa, pasi duke mbetur politikan i regjur me pazaret politike, shtoi se kjo mund të ndryshojë nga kompromisi mes partive. Ai tha se për mua kjo nuk duhet lejuar, pra “vendet e rezervuara”, sepse e parcelizon drejtësinë, duke e kthyer që iks anëtar i Keshillit të Lartë të Drejtësisë apo Keshillit të Lartë të Prokurorisë të shikohet si përfaqësues partie e jo i sistemit të drejtësisë.
Fatmir Xhafa theksoi se deri nesër orët e mbetura para se të fillojë diskutimi final e total në Komision duhet që partitë të ulen e gjejnë kompromis. Në të kundërt do ta kaloj në Komision Parlamentar e me pas drejt sallës së Parlamentit.
LSI-ja flet për kompromis
Propozimi i demokratëve për formulën e “vendeve të rezervuara” për emërimin e Këshillave të gjyqësorit dhe prokurorëve ka dominuar të gjithë diskutimin mes aleatëve qeverisës Ilir Meta dhe Edi Rama.
Kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, delaroi pak orë pas takimit në Kryeministri se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të gjetur konsensusin mbi këtë pretendim të vetëm të opozitës.
Meta: Kemi shprehur besimin se janë të gjitha mundësitë që në përputhje me opinionin final të Venecias dhe rekomandimet e OBDAT dhe EURALIUS ekzistojnë të gjitha mundësitë për gjetjen e një zgjidhje për këtë pretendim të vetëm që ka PD dhe që pengon miratimin e reformës në drejtësi për të gjithë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe sa më emergjente se koha nuk pret.Duke shpresuar dhe sugjeruar që dhe opozita duhet të tregojë fleksibilitetin më të madh të mundshëm janë të gjitha mundësitë për të pasur një zgjidhje gjithëpërfshirëse që i siguron reformës në drejtësi legjitimitet, integritet dhe standarte të plota të përputhura me kriteret e Venecias dhe që e bëjnë solide dhe të gjithëpranuar.
Vasili tha se Meta e informoi Ramën dhe lidhur me takimin e një ditë më parë me kreun e PD-së, Basha.
Vasili: Meta informoi kryeministrin Rama lidhur me takimin më të fundit një ditë më parë me Bashën dhe krahas informacionit që ka të bëjë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me procedurat parlamentare tepër të rëndësishme që duhen respektuar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, informoi dhe për pretendimin e vetëm që Basha ngriti lidhur me miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi.