Fatmirësisht nuk ka rrezik jete në Lushnjë, por edhe një mësim për shërbimin zjarrfikës
Ajo që ndodhi sot në Lushnjë tregon kushtet e zjarrfikësve, pasi siç raportohet se në Lushnjë nuk ishin në gatishmeri dhe nuk kishin mjetet e duhura. U desh ardhja e zjarrfikësve nga Tirana dhe qytete të tjera për të shuar zjarrin.
Por ishin forcat speciale të policisë së shtetit të cilat shpëtuan njerëzit që ishin në godinën 12 katshe.
Godina ku ishte dhe një qendër biznesi nuk kishte as shkallë emergjence. Kjo që ndodhi i dha mësim qeverisë se duhet të investojë me shumë në shërbimin zjarrfikës me mjete moderne.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj tha se asnjë pacient nuk rrezikon jetën, pas zjarrit në qendrën tregtare në Lushnjë.
“Një është në observim në këtë moment, nuk ka kode të kuqe, nuk rrezikon njeri jetën, thjesht intoksikime nga tymi, nuk ka djegie, më shumë se asfiksim, intoksikim, sepse nuk ka pasur asnjë rast me ndryshim të koshiencës apo pasoja të tjera. Nga informacioni që mora dhe nga zjarrfikësit janë tre godina, e fundit sepse po hyet në çdo derë pavarësisht përgjigjet ose jo njeri për të parë nëse ka akoma banorë, të gjitha shërbimet e urgjencës janë këtu, policia, organizimi ishte sipas ngjarjes, nuk besoj se do të ketë pasoja për pacientët që janë në spital, edhe po të ketë janë nën dispozion spitali i Fierit, Memoriali si dhe ai i djegieve në Tiranë, apo Nënë Tereza. Fëmijët dy ishin 14 vjeç, një 7 vjeç, ai 7 vjeç i cili po mbahet nën vëzhgim”, tha Brataj.