Lubonja: Gazetaria – mes pluralizmit oligarkik dhe fashizmit ekonomik

Para disa ditësh botova një shkrim me titull avancimi i fashizmit ekonomik. Një pjesë lexuesish më kanë kërkuar një lloj sqarimi për përdorimin e termit. Veçanërisht ata që, për shkak të historisë komuniste, vazhdojnë ta identifikojmë Partinë Socialiste me të majtën dhe jo me të djathtën. Le të përpiqem ta shpjegoj.

Kur flas për fashizëm ekonomik kam parasysh një kategorizim që i bën filozofi italian Norberto Bobbio të majtës dhe të djathtës, të cilit i jam referuar dhe herë tjetër. Shkurt, sipas shtjellimit që i bën Bobbio kësaj teme, ata regjime që i quajmë të ekstremit të majtë janë një kombinim i barazisë me mungesën e lirisë, kurse regjimet e ekstremit të djathtë – që ndryshe mund t’i quajmë fashiste – janë një kombinim i pabarazisë me mungesën e lirisë. Kurse në demokraci, gjithë sipas Bobbios, duhet të kemi dialektikën e lëvizjes së lavjerrësit të pushtetit politik nga qendra e majtë në qendrën e djathtë – që janë kombinime të barazisë me lirinë dhe të pabarazisë me lirinë.

Prej kohësh kam shkruar se ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, është një kalim i shpejtë i lavjerrësit nga ekstremi i majtë, drejt ekstremit të djathtë, pa u ndalur në qendër. Një pakicë oligarkësh ka kapur shtetin dhe politikën, ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet medieve dhe politikanëve të vet, duke abuzuar mbi shumicën dhe duke rrezikuar edhe liritë e të drejtat e saj themelore. Këtë prirje e kam quajtur rrezik fashizmi ekonomik. I shtoj epitetin “ekonomik” për ta dalluar nga fashizmi i Hitlerit dhe Musolinit sepse sot kjo oligarki nuk mbështetet mbi ideologjinë nacionaliste apo të racës superiore, por ka fetishizuar kultin e pabarazisë ekonomike së kapitalizmit dhe, pasi ka kapur shtetin, përdor mjete të tjera dhune si atë të bazuar mbi presionin ekonomik, monopolizimet, manipulimin dhe presionin mediatik, korruptimin e drejtësisë. Nuk përjashtohet që në rrugën drejt këtij ekstremi në momente të veçanta, kur t’i kërcënohet pushteti dhe pasuria, kjo oligarki të përdorë edhe ushtrinë e policinë kundër shumicës.

Po pse flas për avancim?

E vërteta është se, deri më sot, kjo oligarki është përfaqësuar politikisht nga tri partitë kryesore (që prandaj dhe i konsideroj të trija të djathta, duke bërë thirrje për kthimin e lavjerrësit majtas). Ndërkaq, ajo që po vihet re në këtë fazë të ecjes drejt ekstremit të djathtë, sipas meje është rreziku i kalimit nga ky lloj pluralizmi oligarkik në përqendrimin e të gjithë oligarkëve rreth një partie të vetme.

Historinë e lejes së Parkut e trajtova pikërisht në këtë kontekst. E vërteta është se ajo leje e dhënë kundër interesit të 99%-shit të qytetarëve mban firmat e të tri partive politike në fjalë, si provë se punojnë për të njëjtën oligarki, por, ndërkaq, nuk mohohet se shpesh i shohim ato në një luftë të egër për pushtet, së fundi lidhur me reformën në drejtësi. Nuk është vështirë që  prapa kësaj reforme të lexohet synimi i Ramës & Co për eliminimin e rivalit kërcënues: LSI-në e Metës dhe dobësimin e mëtejshëm të PD-së.  Duke parë këtë luftë dhe duke iu referuar varfërimit të vendit, unë kam ngritur pyetjen: “pse duhen tri parti për të përfaqësuar interesat e të njëjtës kompani oligarkësh? Pse duhen kaq shumë media?”.  Prandaj them se me rrjedhën që po marrin ngjarjet ka shumë gjasa që “mbetjet” të eliminohen e të falimentojnë ose të shiten me çmim të lirë tek kompania e madhe socialiste. Ja ky është, sipas meje, avancimi i fashizmit si rritje e  pabarazisë dhe e mungesës së lirisë.

Përsëri për rolin e medieve në këtë avancim

Në kontekstin e rrezikut të kalimit nga pluralizmi oligarkik tek fashizmit ekonomik shkruaja midis të tjerave edhe për heshtjen e frikshme të thuajse të gjitha medieve ndaj lejes së ndërtimit tek Parku i Liqenit, duke pasur parasysh edhe faktin se disa vjet më parë, kur Lulzim Basha ndërmori cënimin e Parkut për të zgjeruar rrugën e Elbasanit (sipas shumë informatave që dolën në atë kohë i shtyrë nga lobimi i të njëjtëve oligarkë) pati një zhurmë të madhe mediatike.

Sot më duhet të shkruaj përsëri se ma konfirmoi këtë heshtje ogurzezë edhe një ngjarje tjetër e ngjashme e së shtunës 23 janar. Së bashku me dy grupime qytetare, pjesëtar të shoqërisë civile, protestuam mu në qendër të Tiranës për parkimin që i është dhënë atje njërit prej oligarkëve të lidhur me PS. Atje mësova se Bashkia nuk ka dhënë vetëm një parkim, por nëntë parkime, një pjesë e të cilëve do të prishin edhe disa nga lulishtet e mbetura të qytetit. Atje aktivistë të shumtë folën se si këto vendime janë marrë fshehurazi, hajdutshe, në kundërshtim me vizionet e sotme mbi qytetet, mbi nevojën e një Tirane policentrike, në kundërshtim me shumë ligje si ata që parashikojnë konsultimin me qytetarët, Konventën e Ahrusit, raportin ndërtim gjelbërim të qytetit, e deri në kundërshtim me faktin se shumica e tyre do të ndërtohen në qendrën historike që është edhe monument kulture e prandaj ligjërisht e mbrojtur.

Në mbrëmjen e asaj dite hapa lajmet për të parë a do të jepej informacioni për këtë. E pra,  tre televizionet kombëtare Klan dhe Top Chanell si dhe ai publik nuk e dhanë fare lajmin. As edhe në kryetitujt e gazetat kryesore nuk e gjeta të nesërmen. Po pse? Nuk do mend se shkaku do kërkuar në faktin se shumica e pronarëve të tyre, si ata privatë ashtu dhe pronari i radhës  i Kryeministrisë, duhet të jenë në një mënyrë apo tjetrën të përfshirë në këto afera; se parkingjet janë ndarë midis një grupi klientësh sponsorë ashtu siç ndaheshin edhe lejet e ndërtimit në kohën e Ramës kryebashkiak për një grup ndërtuesish pronarë mediesh – dhe këto, pastaj, heshtnin për masakrën që i bëhej qytetit.

***

Po cili është reagimi i gazetarëve ndaj këtij avancimi të fashizmit? Kur pashë lajmin për lejen tek Parku i Liqenit dhe heshtjen e thuajse çdo televizioni, pasi kontrollova edhe ata pak ishuj opozitarizmi që kanë mbetur, ku hyn edhe portali Lapsi.al, i bëra forword Andi Bushatit linkun me titull: “Filloi shkatërrimi i Parkut të Liqenit” duke i shkruar: “Kjo që po bëhet këtu është më tmerr se vila e Sandrit te Laguna. Pse s’thoni një fjalë apo se është e Samirit.” Kur pashë që as më ktheu përgjigje dhe as e botuan lajmin – që për mua është shumë më i rëndësishëm se shumë nga lajmet që jepen në atë faqe të tipit “Bleona kërkon burrë”, “Kardashian na trondit përsëri me të pasmet e saj”,, – shqetësimin tim e bëra publik duke hedhur idenë se reagimi për lejen tek Laguna dhe heshtja për lejen tek Parku ishte shembull emblematik se si mediet tona, edhe kur denoncojnë, shpesh e bëjnë në mënyrë selektive, në  emër te interesave të 1% dhe jo të 99%-shit. Në përgjigjen e tij Bushati, çuditërisht, as e trajtoi shqetësimin tim shumë më të gjerë, as nuk u përgjigj se pse Lapsi.al nuk e botoi këtë lajm – por u kufizua me hallin e përmendjes së emrit të vet duke thënë se këtu ndodhin aq shumë të këqija sa nuk mund të shkruash për të gjitha. Dhe pastaj, pasi e lau ndërgjegjen duke thënë se ishte kundër atij ndërtimi – çka, siç e thashë, nuk ishte thelbi i shkrimit tim –  duke imituar fjalën e Mark Antonit në funeralin e Qezarit shkruante se Lubonja është burrë i ndershm, por edhe ai s’ka folur kur i mbylli Berisha Mero Bazes gazetën, kur Klani heshti për plagosjen e gazetarit të tij në 21 janar, madje më ngriti dhe pyetjen se pse kur ishte Berisha në pushtet thosha se dy bandat janë njësoj kurse tani pretendoj se banda e Ramës është më e rrezikshme – duke u bërë zëdhënës gazetarësh llogoresh, duke synuar të të delegjitimojnë, përhapin fjalë se këtë e ka blerë Berisha apo Meta, apo e ka personale me Ramën.

Gjithsesi po merrem me përgjigjen e kësaj pyetjeje provokese sepse ajo lidhet bash me temën në fjalë: avancimin e fashizmit ekonomik. Më vjen keq, por si provokim është ngritur mbi një shpifje  apo keqlexim i çfarë kam shkruar e thënë prej shumë kohësh e që është e dokumentuar. Ky keqlexim sipas meje vjen nga kufizimi që kanë ata që i kam quajtur gazetarë llogoresh që ndryshe mund t’i quash berishologë, nanologë, ramalogë, metalogë. Karakteristikë e këtyre gazetarëve është se militantizmi partiak, mungesa e profesionalizmit si dhe shërbimi ndaj padronit të radhës i bën të paaftë për të konceptualizuar, për të parë fenomenet që qëndrojnë përtej emrave të përveçëm. Kështu që ata “harrojnë” të merren me aktorët e tjerë të sistemit, mbeten në cicmicet se kush është Sali Berisha apo Edi Rama apo Ilir Meta – duke bërë kështu lojën e oligarkëve që janë shpesh pronarët apo sponsorët e tyre të medieve, që janë kolona që i mban këta në pushtet. Personalisht, pa dashur të mburrem, sepse nuk resht së qortuari veten pse s’kam bërë sa duhet kundër kësaj gazetarie, pavarësisht se nuk kam kontestuar çdo pallat apo tender të Koços, ndërtimet e Irfanit apo të gjitha bëmat e Sandrit (po përmend vetëm disa nga pronarët e mediave ku kam punuar), konfliktin e interesave si fenomen të medieve tona private e kam kontestuar vazhdimisht dhe po ashtu, të paktën që kur kam shkruar shkrimin “Kukullat në skenë oligarkët në prapaskenë” (Koha Jonë, 12 nëntor 2003), qoftë Edi Ramën qoftë Sali Berishën i kam konsideruar si kukulla fijet e të cilave në skenën e politikës i tërheqin ata që kanë interesat ekonomike dmth. oligarkët. Nga ky këndvështrim, duke folur për partitë që i kam cilësuar herë si banda dhe herë si kompani biznesi të lidhura me oligarkët e 1%-shit (në këtë kuptim kam thënë se janë njësoj), kam kundërshtuar tezën e së keqes më të vogël me argumentin se e keqja më e vogël bëhet e keqja më e madhe kur vjen në pushtet, sepse kush ka pushtetin ka më shumë para dhe mundësira korrupsioni dhe prandaj janë këta që bëjnë dëmin më të madh. Gjë që po e provon sot edhe partia e Edi Ramës. Po ashtu, që para zgjedhjeve, duke parë se tri partitë përfaqësojnë interesat e 1%-shit kam deklaruar se kush fiton këto zgjedhje ka shumë rrezik të bëhet Putini i Shqipërisë sepse ekzistenca e tri partive që mbrojnë interesat e të njëjtëve njerëz është e panevojshme qoftë për interesat e shumicës së shqiptarëve, thellësisht të zhgënjyer me këto parti, qoftë për interesat e 1%. Kam shkrime të panumërta me këtë temë, por gazetarët e llogoreve dhe të cicmiceve nuk kanë  sy për t’i lexuar.

Po e përsëris, pra, edhe një herë: Ajo çka i shton antropologjia e Ramës apo e Berishës këtij avancimi drejt fashizmit ekonomik është diçka dytësore, që meriton të mos neglizhohet, por as të mbivlerësohet, se pastaj bëjmë pikërisht lojën e oligarkëve që zëvendësojnë Ramën me Berishën si kuajt e një karroce për të vazhduar rendjen e tyre drejt thellimit të pabarazisë. Pra nëse sot kemi një  Kryeministër që një dy e i del nga goja fjala “burg”, që paratë që i ka mbledhur me taksidarët, duke përdorur edhe dhunë policore, ia shpërndan paturpësisht oligarkëve rreth tij, duke i varfëruar edhe më tej shqiptarët; nëse për herë të parë në historinë e gazetarisë shqiptare, të paktën që nga viti 2000, i gjejmë thuajse të gjitha televizionet kryesore të kapura nga Kryeministria, që, duke mos i mjaftuar kjo, ka krijuar edhe një portal on line për të dhënë informimin “e vërtetë”, kjo, sipas meje, nuk duhet parë thjesht si rezultat i një individi të sëmurë nga etja e shfrenuar për pushtet. Sikur kjo punë të ishte thjesht çështje individi të etur për pushtet Rama mund të dilte edhe me parulla dhe akte populiste të majta, alla Çaves, por kjo do ta rrëzonte menjëherë sepse janë oligarkët me paratë dhe mediet e tyre ata që e kanë sjellë në pushtet dhe e mbajnë në pushtet. Jo, ky avancim i së keqes i dedikohet kryesisht një procesi degjenerimi të sistemit që e tregoi edhe mbushja e Parlamentit me kriminelë nga PS-ja. Prandaj ngulmoj se ky rrezik duhet parë (dhe luftuar pastaj) si çështje sistemi më së pari dhe për këtë na ndihmon edhe Lordi Action kur thotë: “Dhe mos harroni. Atje ku ka përqendrim pushteti në pak duar tendenca është që kontrollin e pushtetit ta marrin njerëzit që kanë mendësi gangsteri. Historia e ka provuar këtë.” (Panorama, 26 janar 2016)

SHKARKO APP