Festa në malin e Tomorrit. Meta: Progres në ripërtëritjen e besimeve fetare
Në malin e Tomorrit, në Berat zhvillohet pelegrinazhi i përvitshëm me rastin e festës së Abaz Aliut. Në këtë ceremoni ku marrin pjesë besimtarët bektashinj ishte sot i pranishëm Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.
Në pelegrinazhin e përvitshëm, Presidenti Meta ka qenë së bashku më familjen e tij, djalin Besar, vajzën e vogël Era dhe bashkëshorten Monika Kryemadhi.
Meta ishte i pranishëm dhe në ceremoninë zyrtare që u zhvillua malin e Tomorrit, ku morën pjesë autoritete fetare dhe përfaqësues të trupit dipomatik.
Në cilësinë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Baba Mondi bekoi dhe uroi të gjithë besimtarët që i janë bashkuar këtij pelegrinazhi. “Sheshet e kësaj teqeje mbushen kurdoherë me besimtarë që rriten nga viti në vit duke e kthyer këtë vend të shenjtë në një qendër të rëndësishme të faljes, mëshirës dhe afrimit me krijuesin”,- u shpreh ai.
Nga ana e tij Presidenti Meta, shprehu mirënjohje për kryegjyshin e atëhershëm, Baba Reshatin dhe kryegjyshin e sotëm, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. “Personalisht nuk do ta kisha imagjinuar 25 vite më parë kur bashkë me kryegjyshin e atëhershëm botëror të Bektashinjve, Baba Reshatin erdhëm këtu për të rifilluar një traditë të ndërprerë për gati disa dekada.
Atëherë ishin shumë pak njerëz e besimtarë këtu, ndërsa sot, mbrëmë e gjatë këtyre ditëve kanë qenë kaq shumë duke e shndërruar në një nga pelegrinazhet më të njohura dhe më të suksesshëm jo vetëm brenda vendit por dhe në nivel ndërkombëtar. Bektashizmi ka vlera të jashtëzakonshme sa i takon lirisë së besimit”,- u shpreh Meta.
Presidenti i Republikës gjithashtu tha se ripërtëritja e besimeve në Shqipëri është në një progres të pandalshëm dhe se një gjë e tillë është e mirë për vendin. “Në 25 vite ripërtëritja e këtyre besimeve ka ardhur gjithnjë e më shumë në një progres të pandalshëm. Theksoj rolin e bektashizmit për vaditjen e atdhedashurisë, dhe sot jemi dëshmitarë të mësimeve të mira që vazhdon të na japë. Mali i Tomorit përfaqëson një fuqi hyjnore për të frymëzuar jo vetëm besimtarët, por të gjithë njerëzit për të luftuar për vlerat më të mira njerëzore, për dinjitetin njerëzor, për të shprehur mirënjohjen për sakrificat ndaj dhe kjo fuqi e mbinatyrshme do vazhdojë të tërheqë si magnet akoma më shumë qytetarë e njerëz që përpiqen të gjejnë forcë për sfidat që kanë për të ardhmen e tyre”,- tha Meta.
Sot shënohet 25 vjetori i rihapjes së peligrinazhit dhe me këtë rast Baba Edmond Brahimaj i dhuroi Presidentit një medaljon prej floriri, me fytyrën e Baba Reshatit dhe Shqiponjën mbrapa.Ndërkohë Unioni Artistik i Kombit Shqiptar i dha Baba Mondit dekoratën ‘Misionar i Kombit’.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve falenderoi mediat për rolin e tyre, “veçanërisht “Ora News” dhe presidentin Ylli Ndroqi që e ndihmuan në pasqyrimin e këtij pelegrinazhi të përvitshëm historik”,- u shpreh Baba Mondi.
Janë qindra pelegrinë që kanë vërshuar drejt këtij vendi të shenjtë, për të kremtuar festën pranë teqesë së Abaz Aliut, vend i cili çdo vit frekuentohet mbi dhjetëra mijëra besimtarë. Po ashtu rruga tashmë është e kalueshme dhe për mjetet e vogla.
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1003925246399264/