“Fiks Fare” kap mat dy avokatë të njohur dhe një prokuror në pazare eurosh
Fiks Fare denoncoi dy avokatë të njohur në Tiranë dhe Vlorë, të cilët duke bërë “sekserin” e prokurorëve arritën të lironin dhe t’i pezullonin hetimin një qytetari kundrejt pagesës-ryshfet prej 4 mijë eurosh.
Një qytetar ankohet se avokatët Vladimir Sadikaj (Vlora) dhe Baftjar Rusi (Tiranë) i kanë marrë këtë shumë, për t’i pezulluar çështjen që i ishte hapur padrejtësisht nga Policia e Himarës. 38-vjeçari thotë se i kanë fabrikuar disa akuza nga Policia e Himarës për vjedhje, madje i kanë renditur rreth 10 vjedhje të ndodhura në vitin 2018. Sipas tij dhe nga aktet e dosjes, për këto vjedhje nuk kishte asnjë provë, veç një dëshmitari që i kishte bërë njohjen. Madje, gjatë një ballafaqimi të qytetarit me dëshmitarët, këta të fundit i thonë se “na kanë detyruar të bëjmë letrat”.
Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiksi arriti të provonte se për lirimin e qytetarit ishin paguar plot 3 mijë euro. Madje, këtë e deklaron vetë avokati Vladimir Sadikaj. Ndërkohë, në biseda, avokati Baftjar Rusi i thotë qytetarit se duhet të paguajë edhe 1 mijë euro, shumë që të mundësonte pezullimin e çështjes.
Qytetari thotë se në datën 23 gusht 2018, pasi ka çuar fëmijët në plazh, është ngjitur në fshatin Vuno, Himarë, ku rreth 50 forca policore e kanë rrethuar. “Erdhën dhe më rrethuan sikur të isha krimineli më i rrezikshëm” thotë ai. Më pas e kanë shoqëruar në komisariatin e Himarës dhe e kanë akuzuar për 10 vjedhje në zonën e Himarës.
“Në polici më thanë se do firmosësh ca letra dhe unë s’kam pranuar t’i firmos. I kam lexuar letrat dhe s’kishte asnjë lloj prove. Kishte vetëm 1.3 gramë kokainë, lëndë narkotike gjatë arrestimit tim. Këtë lëndë e kisha për përdorim vetjak, jam përdorues. Në këtë zonë janë vjedhur vegla dhe materiale dhe siç është vjedhur në shtëpinë time. Në gjithë Vunoin ka vjedhje edhe sot e kësaj dite. Dhe asnjë nuk është zbuluar. Unë dyshoj që shefi i komisariatit dhe shefi i krimeve e kanë bërë personale, s’e di ku bazohen te x banor, më kanë marrë peng. Kanë nxjerrë dy dëshmitarë, babë e bir” thotë ai.
Më tej pohon se ka qëndruar 20 ditë në polici dhe ka qëndruar vetëm për lëndën narkotike.
“Për vjedhjet s’më kanë thënë asnjë gjë. Për dosjen e vjedhjeve unë jam thirrur vetëm një herë në prokurori. I kam thënë të gjitha këto që pretendoni, është loja e Policisë së Himarës. Hetimi vazhdon, unë s’kam informacion se ç’bëhet me atë dosje. Unë komunikoj me prokurorinë nëpërmjet avokatit, Vladimir Sadikaj. Është avokat në qytetin e Vlorës, kurse në Tiranë kam Baftjar Rusin. Unë s’kam tërhequr asnjë dokument nga prokuroria dhe s’kam asnjë info nga prokuroria. Prandaj ju drejtova dhe emisionit tuaj se unë s’kam besim te kjo prokurori dhe te kjo polici,” shprehet më tej qytetari./ Marrë nga Top Channel