Fillon hetimi për kreun e AMA. Të mërkurën gjyqi në Komisionin e Medias

 

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë  (ILDKPKI) fillon kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala.

Si e bëri pasurinë dhe hetimi i ILDKPI

Dokumentet e publikuara dhe në Ora News tregojnë një pasurim të beftë ë Kryetarit të AMA-s dhe bashkëshortes së tij me 164 mijë euro gjatë vitit të parë në detyrë (dhjetor 2015-dhjetor 2016), ndërkohë që të ardhurat vjetore të deklaruara nga dy bashkëshortët janë vetëm 17 280 euro.

Dhe ILDKPI informon se kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur

“Nisur nga njoftimet në media në lidhje me pasurinë e zotëruar nga Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Z. Gentian Sala dhe nga bashkëshortja e tij Znj. Dorela Sala, Inspektori i Përgjithshëm bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Gentian Sala” thuhet në njoftimin për media të publikuara sot, 23 janar 2017.

Objekt kontrolli do të jetë dhe gjendja e konfliktit të interesit

“Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur” 

Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.

Inspektorati i Lartë gjithashtu falenderon median për bashkëpunimin e deritanishëm me ILDKPKI, dhe i fton ato si dhe çdo person tjetër që zotëron informacione për pasuri të fshehura, të padeklaruara dhe të vëna në kundërshtim me ligjin për subjektin e mësipërm, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë, duke j’u garatuar konfidencialitetin si një prej parimeve më të rëndësishme të punës së ILDKPKI-së.

Si u pasurua brenda 1 viti, gruaja e Gentian Salës, kreut të AMA-s

Në formularin e deklarimit te pasurisë të vitit 2015 Gentian Sala ka deklaruar se zotëron një apartament në zonën e ish-Bllokut, njëkohësisht edhe 4700m2 tokë arë në Kruje – Mazhe e Madhe.

Çuditërisht sapo vihet në krye të AMA-s familjarët i dhurojnë një orë Perrelet Chronograph GMT Skeleton e cila kushton 19 mijë dollarë, ose e konvertuar në lekë rreth 25 milionë lekë.

Pronat e bashkeshortes 

Më 5 shkurt 2015 bashkëshortja e Gentian Salës, ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 217.5 metra katror në “Rezidencen Platea” që ndodhet rrugës për në Dajt.

Njëkohësisht tek e njëjta zonë deklaron dhe blerjen e dy vendeve të parkimit. Shuma e paguar për blerjen e shtëpisë dhe te garazhit është 97,000 euro (nëntëdhjetë e shtatë mijë euro).

217.5m 2 x 400 euro/m2=87000 euro ndërsa vendet e parkimit kushtuan 10.000 euro. Çmimi në këtë rezidencë në rrugë zyrtare konfirmohet nga firma se është 600 euro metri katror. Pra vlera normale e shtëpisë do të ishte 130 500 euro. Por përtej kësaj, a e justifikon burimin e 97.000 euro-ve bashkëshortja e Kreut të AMA-s?

Dorela Sala bashkëshortja e kryetarit të AMA deklaron në formularin e deklarimit të pasurisë se të ardhurat e saj vijnë nga puna në firmën “Delioitte Albania” me një rrogë mujore 700 euro, (vjetore 8 400 euro) dhe pranon se në këtë kompani ka afro 22 muaj që nga 1 marsi 2013 deri në 1 janar 2015.

Absurditeti arrin me faktin se këto dy vite punë nuk justifikojnë blerjen e apartamentit 217 metra2 dhe të 2 garazheve. Nga një matematike e thjeshte del se zonja Sala duhet të punonte 25 vjet, me rrogë mujore 700 euro që të blinte apartamentin të cilin zotëron tani. Pra, praktikisht këtë super shtëpi ajo do të mund ta blinte në vitin 2038.

Debati në Komisionin e Medias

Komisioni Parlamentar i Medias i drejtuar nga deputeti Genc Pollo kërkoi me urgjencë mbajtjen e një seance dëgjimore me drejtuesin e AMA-s, Gentian Sala.

Të mërkurën, kreu i institucionit Sala do të japë llogari para Komisionit për mbledhjet ilegale për dhënin e licencave kombëtare, monopolizimin e tregut ndaj operatorëve ku Sala është në konflikt interesi dhe pasurimin në mënyrë të beftë të familjes së tij gjatë kohës së drejtimit të këtij institucioni.

Duke e akuzuar për monopolizim të tregut, deputeti demokrat  Luçiano Boci tha se AMA nuk mund të organizojë mbledhje informale për të ndarë në fshehtësi licenca kombëtare për sa kohë që është në proçes gjyqësor me Ora News.

Luçiano Boçi: Sot media shqiptare është e monopolizuar falë AMA-s dhe nuk mund të përjashtohesh nga gara për arsye dokumentare, as operatori Ora,  Tring apo ABC News dhe të mbeteshin në garë dy operatorë. U ndërpre procesi sepse pati ankimim gjyqësor. Sot kemi ankimim gjyqësor nga Ora s’mund të nisë ndarja e licencave se është alogjike. Të zgjidhet çështja gjyqësisht për ndarjen e licencës nr 6 dhe më pas AMA të hapë procedura për 7″. 

Për kreun e Komisionit, Genc Pollo, është detyrë e Komisionit trajtimi i shqetësimeve që vijnë nga operatorët televizivë, si dhe të shqyrtojë rastet e abuzimeve me licencat dhe të kërkojë sqarime për pasurinë e Gentian Salës.

Genc Pollo: “Kur kemi një pasurim të paligjshëm, dhjetëfish i të ardhurave zyrtare, kur kemi dyshim të bazuar në dokumenta për këto dhe nuk kemi një hetim të institucioneve, nuk mund të themi që është çështje private”.

Pikërisht për pasurinë e familjes Sala pati debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe maxhorancës në këtë Komision.

Luçiano Boçi: “Nuk e ka private”.

Genc Pollo: “Operon në publik ai. Është pasuruar. Është ligjore nuk është private”.

Fatmir Toçi: Çfarë kërkon ti o zotëri? Që të vijë këtu kryetari i AMA të jemi dakort? Nuk mund ta ngarkojmë këtë komision të merret me çështje që nuk i kanë hijen këtij komisioni edhe prekin jetën personale të personave kur ka institucione.

Demokratët kërkuan që Komisioni ti drejtohej ILDKPI për hetim administrativ të Gentian Salës, ndërsa socialistët thanë se kjo çështje i tejkalon kompetencat e tyre.

Edhe deputetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi, u kërkoi deputetëve që ky Komision të jetë i ndjeshëm ndaj çështjeve të tilla siç është selektiviteti i drejtuesit të AMA për ndarjen e licencave kombëtare si dhe pasurimin e tij.

Mimoza Hafizi: “Kemi për detyrë të ndjekim çdo problem që prek barazinë mediatike në Shqipëri”.

Hafizi kërkoi që deputetët t’i drejtohen ILDKPI për të verifikuar çështjen e të ardhurave të familjes Sala.

Edhe deputetët Myqyrem Tafaj dhe Bedri Hoxha kërkuan mbajtjen e një seance degjimore me Gentian Salën.

Bedri Hoxha: “Pas gjithë këtyre presioneve, metodave për të kontrolluar dhënien e licensave, del që familja e këtij personi është e pasuruar në mënyrë të shpejtë. Por në qoftë se ka ndonjë metodë le të na japi ndonjë metodikë se si mund të pasurohen gratë tona”.

Myqyrem Tafaj: “Duhet të informohemi plotësisht për të gjitha procedurat e dhënies së licensave”.

Komisioni i Medias vendosi që ditën e martë në këtë Komision të diskutohet me shoqatën e mediave lokale për problemet që ky grup interesi ka dhe më pas  t’i parashtojë të mërkurën në orën 10:00  në seancë dëgjimore me kreun e AMA Gentian Sala për licencat kombëtare.

Në përfundim të mbledhjes, në Kryesinë e Kuvendit, deputeti Pollo e konsideroi skandal pasurimin e beftë të kreut të AMA, i cili në çift ka të ardhura vjetore gati 17 mijë euro, ndërsa pasuria e vënë prej tij është dhjetëfishuar brenda vitit.

 Zbardhet debati ne komision

Kryetari i komisionit të Medias, Genc Pollo, deklaroi se nuk mund të lejohen skandale të tilla me AMA.

Genc Pollo: “Para se te diskutojme për çështjen e dites dua te them se s’mund te lejojme skandale te tilla me AMA.Shqetesimi eshte ngritur nga operatoret lokalë. Mediat kane publikuar pasurimin e familjes Sala. Pasuri e pajustifikuar nga të ardhurat zyrtare të tij në masën 10 fish.Kjo na bën të shqetësohemi për institucionin publik, nuk mund të lejojmë që skandalet të vijojnë njëri pas tjetrit, duhet të ketë pasoja. Kjo jo mbi bazë paragjykimi, por hetimeve serioze.Shpresojmë të kemi konsensusin çfarë do bëjmë si Komision”.

Deputeti socialist Toçi propozoi seancë me Drejtorin e AMA-s.

Fatmir Toçi: “ Të bejme dhe seance dhe me Drejtorin e AMA. Nese ka çështje qe eshte per diskutimin ne Komision e Medias, ta shqyrtojme ate edhe ketu”.

Luçiano Boçi: Gentian Sala po monopolizon tregun, përjashtoi pa të drejtë Ora News.

Musa Ulqini: Komisioni nuk është institucioni që jep konkluzionin për pasurinë.

Genc Pollo: Komisioni ka detyrë të veprojë me uficarë që abuzojnë me detyrën. E vetmja gjë që kërkojmë është duam qartësi të pozicionti të AMA, për çështjen personale por dhe çështjen e licencave digitale.

Mimoza Hafizi: Shumë forca politike kanë kërkuar në komisionin e reformës zgjedhore që të ketë një ndërhyrje në ligj që të ketë një farë barazimi në trajtimin mediatik në fushatën e ardhshme zgjedhore. Jemi në momentin e duhur për të trajtuar jo vetëm problemin konkret të televizioneve lokale. Lidhur me çështjen konkrete, Komisioni duhet të jetë i ndjeshëm nëse përflitet një çështje që prek funksionimin e AMA. Do kisha propozuar që ti drejtohemi ILDKPI, pavarësisht se kemi informacione që e ka marrë vetë inciativën. Ne si Komision kemi për detyrë të ndjekim çdo problematikë që prek barazinë e mediave, mund ti drejtohemi ILDKPI që ky institucion duhet të bëjë detyrën e tij për të verifikuar çështjen që ka dalë në media.

Bedri Hoxha: Unë jam i mendimit që ditën e mërkurë ne të thërrasim kryetarin e AMA për problematikën që kanë televizionet, rrjetet kabllore etj.Është një fenomen i përhapur në gjithë Shqipërinë, televizionet lokale janë drejt falimentit për shkak të vendimarrjes që AMA ka marrë vitin e kaluar, problematika është e gjerë. Unë mendoj që duhet ta dëgjojmë në një seancë të posaçme një ditë tjetër që ky Komision do të bjerë dakord për problemin e licencave dhe problemet që televizionet kombëtare kanë, për njëanshmërinë që AMA ka treguar duke shkuar deri tek të dhëna korruptive që janë hasur, ne i kontaktojmë televizionet lokale për shantazhin që u bën AMA që nga koha që ka ardhur Sala në drejtimin e AMA. Pas gjithë këtyre presioneve për të kontrolluar dhënien e licencave del që familja e këtij personi është pasuruar në mënyrë të shpejtë.Nuk kam asgjë personale. Por nëse ka ndonjë metodë, të na japë ndonjë metodikë Sala sesi mund të pasurohen gratë tona, për ne që i kemi pas asnjë grosh. Ne si komision kur shohim se gjithë televizionet janë vënë në kontroll nga qeveria ky është alarm që duhet të na shqetësojë pafund.Ky është problemi ynë. Ne nuk kemi asnjë punë tjetër, vetëm të mbrojmë median e lirë, gazetarët.Mos të ngatërrojmë çështjet, të bëjmë dy dëgjesa. Sala të na sjellë informacion paraprak me shkrim për çështjen e licencave.

Musa Ulqini: AMA është garant i zbatimit të ligjit, duhet ta shihinm çështjen në dy anët, prandaj kërkuam dy seanca dëgjimore.AMA është institucioni garant i zbatimit të ligjit të mediave, në mënyrë të padrejtë është sulmuar vetëm se ka kërkuar të zbatohet ligji.Nuk duhet të jemi të njëanshëm. Është krejt e padrejtë. Ka media të lira që shkelin ligjin.

Genc Pollo: Dhënia e licencave dixhitale, a lidhet kjo me pasurinë  e Gentian Salës? Po të mos ishin dokumentet eprsonale nuk do kisha marrë mundimin, por më detyruan faksimilet. Është pasuruar 10 herë më shumë. Mund të jetë pasuruar nga një gjyshe e pasur, por duhen dokumentet për të verifikuar.  Duhet të jemi hulumtues, por nuk mund të flemë gjumë. Si komision kemi përgjegjësinë për të mbikqyruar AMA-n. Në shkelje të ligjit 62 duan një ooperatori të vetëm ti japin të gjitha licencat dixhitale dhe pasurimi i menjëhershëm i tij. Presioni që bën komisioni ynë është për të zbardhur cështjen. Prandaj nuk shoh arsye që të na pengojë të veprojmë. T’i drejtohemi ILDKP-së dhe prokurorisë dhe ta hetojë. Por ne duhet ta çojmë si komision ti drejtohemi për të hetuar dhe raportuar

Luçiano Boçi:Duhet të bëjmë seancë të veçantë dëgjimore me kryetarin e AMA. Kam bërë kërkesë për dorëzimin e materialeve të mbledhjes së 29 dhjetorit dhe 19 janarit. Materialet nuk kanë ardhur. Duhet të bëjmë seancë të veçantë dëgjimore për ndarjen e rrjeteve frekuencore, si janë zhvilluar mbledhjet dhe si janë dhënë licencat.Krahas dokumentave ka dhe një datë tjetër të përcaktuar për mbledhje, data 29 janar. Edhe kjo datë me gjasa është krejtësisht e paligjshme.Nuk mund të ketë AMA mbledhje për ndarjen e licencës me tre seanca. Ka garë ose nuk ka garë.Duhet ta thërrasim patjetër në seancë të posaçme. Çështja e televizioneve lokale nuk mund të konfondohet me çështjen e licencave, megjithëse kanë lidhje në raport me tarifën që do paguajnë dhe që i çon drejt falimentimit. Çështja kryesore është pse s’duhet të veprojë AMA dhe duhet të ketë mbledhje tjetër të ndarjes së licencave. Ka pasur një preçedent që në 2014, sapo u miratua ligji në bazë të dispozitave kalimtare dhe rregullores u hap gara dhe televizionet kombëtare morën pjesë në garë. Pati një ankimim gjyqësor.U ndërpre proçesi se pati një ankimim gjyqësor. Sot kemi një ankimim gjyqësor nga Ora, nuk mund të vazhdojë proçesi i ndarjes së licencave se është alogjike.Të zgjidhet çështja gjyqësisht për ndarjen e licencës numër 6 dhe pastaj AMA të hapë procedurën për 6 dhe 7. Nuk duhet të vazhdojë në mënyrë absolute.Arsyetimi i AMA për vonesën në ndarjen e licencave ka qenë ankimi gjyqësor që shoqëritë përkatëse bënë në gjykatën administrative. AMA vetë e ka zbatuar ligjin. Por e zbaton me dy standarte, kur do thotë këta nuk e kanë shkelur ligjin se ka ankimim gjyqësor, kur nuk do akuzon të tjerët, Orën e me rradhë se kanë shkelur ligjin, ka zaptuar frekuencën sepse kështu i do qejfi i AMA.Nuk mund të veprojë me dy standarte.Prandaj kërkoj që seanca me kryetarin e AMA për çështjen e konfkliktit, mënyrës së ndarjes, krijimit të monopoleve të jetë krejtësisht e veçantë.

Genc Pollo: Komisioni të hartojë një shkresë të kërkojë informacion nga AMA dhe me pyetje konkrete

Neser seance tjeter

Komisioni për Median do të zhvillojë nesër në orën 11:00 një mbledhje me Shoqatën e televizioneve rajonale dhe lokale.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme, ndërsa të mërkurën në orën 10:00 ky Komision do të ketë seancë dëgjimore me kreun e AMA.

 /Oranews.tv/

SHKARKO APP