Fillon kundërsulmin total ish-Guvernatori Ardian Fullani
Kryesore E Martë, 20 Prill 2021 00:11
Nuk tërhiqet Fullani. Përdori taktiken partizane që “prit, duro e sulmo!” dhe tani ka të gjitha të drejtat për të filluar sulmin total me ” pushkë, mitralozë, bomba, artileri të rëndë, raketa,etj”. Fitoi betejën ! Tani ai nuk mbahet më. U kuptua se ishte lojë për ti marrë karriken e Guvernatorit. Fullani tashmë është në sulm frontal.
Ish Guvernatori, Ardian Fullani, ka paditur në Gjykatën Administrative, Bankën e Shqipërisë dhe Kuvendin për shkarkimin nga detyra, duke kërkuar dëmshpërblim.
Sipas televizionit AbcNews, ish guvernatori Fullani, pas vendimit të pafajësisë që mori formë të prerë, nëpërmjet avokatit të tij i është drejtuar Gjykatës Administrative me një padi ndaj dy institucioneve. Sipas padisë, që shihni në foto, ish guvernatori ka paditur Bankën e Shqipërisë dhe Kuvendin për shkarkimin e padrejtë nga detyra.
Kjo padi është hedhur në short dhe do të gjykohet nga gjyqtari i Gjykatës Administrative, Bezart Kaçkini. Abcnews tha se me anë të kësaj padie, ish guvernatori kundërshton aktin administrativ të shkarkimit nga detyra nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me propozimin e të cilëve edhe Kuvendi miratoi shkarkimin e tij nga detyra. Ish guvernatori, nëpërmjet këtij procesi, kërkon të dëmshpërblehet me pagat e mohuara për shkak të shkarkimit të padrejtë.
Sipas padisë, Fullani rezulton i arrestuar me vendim gjykate më 5 shtator të vitit 2014, pasi iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. 10 ditë më pas, kjo masë iu ndryshua nga Gjykata Apelit në kryeqytet, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Masë kjo që ndryshoi me vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë më 5 nëntor, duke i caktuar masën “detyrim për paraqitjeje”.
Me këtë masë sigurie, ish guvernatori Fullani u hetua dhe më pas u gjykua nga dy shkallët e gjyqësorit. Fillimisht në Gjykatën e Tiranës, ku prokurori kërkoi dënimin e tij me 5 vjet burg. Kërkesë kjo që u kundërshtua nga avokati që pretendoi se klienti i tij ishte i pafajshëm. Gjyqtari Artan Gjermeni, pasi dëgjoi palët dhe argumentet e tyre, u shpreh se Fullani nuk ka kryer asnjë vepër penale, për këtë fakt u deklarua i pafajshëm më 12 tetor të 2015.
Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit e cila me 28 dhjetor të po atij viti la në fuqi vendimin e pafajësisë për ish guvernatorin. Për këtë vendim prokuroria nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke marrë kështu formën e prerë pafajësia e Fullanit.