FinTechs: Një e ardhme pa banka?
FinTechs premtojnë që ta bëjnë më transparente dhe më të lirë botën e parasë. Fundi i bankave? Sipërmarrja e Teknologjisë së Financave bën publicitet para së gjithash me shpejtësi, transparencë dhe kushte të favorshme.
Pak klikime dhe e merr kredinë, investimet i bën rehat që nga shtëpia dhe paratë i dërgon po kaq shpejt sa dërgon një mesazh me WhatsApp: FinTechs – shkurtim për Sipërmarrje të Teknologjisë së Financave – bëjnë publicitet para së gjithash me shpejtësi, transparencë dhe kushte të favorshme. Ofertat online të përgatitura në mënyrë të kuptueshme duken të afërta me konsumatorin. “Të gjitha FinTechs kanë të përbashkët se ato shikojnë nga perspektiva e klientit dhe e zgjidhin një problem të caktuar nga perspektiva e konsumatorit. Shumica e modeleve online janë të thjeshta dhe më të afërta me klientin, kjo i bën ato tërheqëse”, thotë Oliver Vins, zëvendëszëdhënës në Shoqatën Federale të sipërmarrjeve gjermane Startups.
Bizneset e parave bazohen edhe më tej te besimi
“FinTechs mund të shihen si vala e dytë ose madje e tretë e digjitalizimit në ekonominë e financave”, deklaron Jörg Müller – Lietzkow, Profesor i Ekonomisë së Medieve dhe i Menaxhimit në Universitetin e Paderbornit. Edhe nëse FinTechs karakterizohen nga ide inovative, ato nuk duket se do t’i spostojnë krejt bankat. Sepse megjithë krizën financiare, bankat si institucione gëzojnë një bonus besimi te klientët. Një emër me traditë, një numër i madh klientësh dhe konsulenca personale shpesh janë vendimtare, kur bëhet fjalë për një temë të ndieshme si biznesi i parave.
Transferwise – një alternativë për përcjelljet bankare jashtë vendit
Një nga konkurentët e rinj është TransferWise. Kjo sipërmarrje është specializuar për përcjelljet bankare online jashtë vendit. Kjo kryhet me ndihmën e të ashtuquajturit model Peer-to-Peer. Sipërmarrja e sheh veten shpesh në një pozicion ndërmjetësimi. Kur dikush nga Gjermania kërkon të përcjellë para në SHBA, TransferWise kërkon një ose disa persona, që po nga SHBA duan të përcjellin të njëjtën shumë parash për në Gjermani.
“Në këtë mënyrë ne jemi në gjendje që t’i ofrojmë përcjelljet bankare me kursin përkatës aktual të devizave. Kjo deri tani është unikale, sepse bankat fitojnë në rastin e përcjelljeve bankare në botën e jashtme në radhë të parë me kursin e papërshtatshëm për klientët,” deklaron Taavet Hinrikus, themelues dhe CEO i TransferWise.
Startup, që punëson 400 punonjës në të gjithë botën, cakton për përcjelljet një taksë prej 0,5 përqind në shumicën e itinerareve të përcjelljes bankare, në një bankë të zakonshme një transaksion i tillë shpesh është gjashtë herë më i shtrenjtë. Në bazë të të dhënave të firmave, me teknologjinë Peer-to-Peer çdo muaj përcillen 700 milionë euro dhe kursehen 31 milionë euro taksa bankare.
Të mos kënaqesh me statuskuonë
Ky shërbim ndërkohë ofrohet për 30 monedha të ndryshme, kështu që klientë nga 36 vende mund të përcjellin para në 52 vende. Një ndërthurrje në rrjet, e cila përforcohet përmes teknologjive të reja në tregun financiar dhe që mund të gjejë mbështetje edhe më të madhe për shkak të shoqërive gjithnjë e më shumë multikulturore në Evropë. Vetëm në Gjermani, sipas Hinrikus jetojnë më shumë se dhjetë milionë njerëz me origjinë migranti nga një shtet jo anëtar i BE, duke qenë kështu klientë potencialë për shërbimin e përcjelljes së parave online.
Po për të ecur në një hap me nxitësit e inovacioneve, institucionet tradicionale bankare duhet të riorientohen, për të fituar si klient edhe brezin e ri. Deutsche Bank do të investojë deri në 2020-ën një miliardë euro në orientimin e saj digjital.
“Ne e dimë se duhet të bëhemi më të shpejtë në vënien në jetë të shërbimeve të reja digjitale për klientët tanë”, thotë Jana Brendel, Head of Digital Solutions në Deutsche Bank. Kjo bankë sapo ka hapur një të ashtuquajtur Innovation Lab në Silicon Valley, të tjera janë hapur në Berlin dhe në Londër.
13 milionë klientë privatë dhe të firmave në Evropë flasin për suksesin e institucioneve tradicionale si Deutsche Bank. Kur vjen puna për sigurinë e të dhënave dhe administrimin e pasurisë, pjesa më e madhe e klientëve do të dijë se me cilin partner e mbyll biznesin. Mbetet të shihet si do të zhvillohen në plan afatgjatë FinTechs dhe sa të hapur do të jenë njerëzit për biznese financiare digjitale.