Firmoset kontrata mes artistëve dhe opozitës për mbrojtjen e Teatrit

Firmoset kontrata mes artistëve dhe opozitës, ku sipas memorandumit të bashkëpunimit, artistët angazhohen për betejë të pandërprerë për mbrojtjen e Teatrit, ndërsa opozita për mbështetje dhe restaurim të Teatrit, kur të vijë në pushtet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në emër të opozitës, firmosi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar një kontratë që e angazhon opozitën të mbështesë veprimet e Aleancës për të mbrotjur Teatrin Kombëtar.

Kontrata përmban 6 pika, në të cilat Aleanca angazhohet të vijojë pa ndërprerje mbrojtjen për Teatrin, ndërsa PD dhe opozita për të mbështetur këto aksione në mbrojtje të ndërtesës dhe pronës publike.

PD angazhohet gjithashtu, se në muajin e parë të qeverisë së saj, kompleksit Skanderbeg, ku bën pjesë Teatri, do t’i rikthehet statusi Ansambël Monument Kulture dhe do t’i nënshtrohet menjëherë ruajtjes dhe restaurimit.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, angazhohen të shfuqizojnë ligjin special antikushtetues “Rama-Fusha” që shemb Teatrin dhe të vendosë para përgjegjësisë penale çdo person të përfshirë në grabitjen kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar.

Kontrata me artistët, opozita angazhohet për buxhetin më të lartë për artin në rajon

Kontrata publike mes artistëve dhe opozitës në sallën kryesore të Teatrit Kombëtar përfshin angazhimin e PD jo vetëm në opozitë me mbështetjen e betejës së Aleancës në Mbrojtje të Teatrit, por edhe në qeveri me mbështetjen e artit dhe të kulturës. Partia Demokratike angazhohet që, brenda vitit të parë nga momenti kur opozita të jetë në drejtimin e vendit, të rrisë buxhetin për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit. Gjithashtu, PD në qeveri angazhohet që, në konsultim më artistët, të reformojë sektorët e artit dhe të kulturës, nëpërmjet decentralizimit të institucioneve kulturore, reformimin e ligjeve për shpërblimin e drejtë financiarë të artistëve dhe garantimit të të drejtave të autorit.

II. Lidhur me nevojën për një Reformë të vërtetë në art dhe kulturë:

Brenda 1 viti nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë parlamentare, në konsultim me komunitetin e artistëve, do të nisë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës, për reformimin e sektorit të artit dhe kulturës në vend që synon:

1. Decentralizimin e institucioneve kulturore në dakordësi me komunitetin artistik dhe shndërrimin e institucioneve buxhetore të artit e kulturës në institucione të pavarura publike;

2. Reformimin e kuadrit ligjor për të garantuar statusin dhe të drejtat e profesionit të artistit, përfshi shpërblimin monetar të tyre;

3. Garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të autorit në Shqipëri;

4. Rritjen e buxheteve për artin dhe kulturën në nivelet më të larta të rajonit.

SHKARKO APP