Fitore e Presidentit Meta në komisionin hetimor

-Pas dëgjimit të Ilir Metës në komisionin hetimor, disa ministra dhe deputetë të PS, thanë se “në vënd që t’i hiqnim vetullat, na nxori sytë ne si mazhorancë!”.

-A kishte në plan qeveria “Rama” të digjte Kuvendin dhe më pas të akuzonte opozitën?  Është një pyetje për të cilën, me të drejtë, analisti Fatos Lubonja tha dje se nëse politikanëve u intereson e vërteta duhet të ngrenë një komision hetimor për këtë çështje.

Ilir Meta është i pari President në historinë e Republikës së Shqipërisë, pas pluralizmit, që është përballur me një komision hetimor që kërkon shkarkimin e kreu të shtetit. Socialistët e thirrën presidentin si të “dyshuar” për shkeljen e Kushtetutës dhe kërkuan sqarime lidhur me dekretin që anuloi zgjedhjet e datës 30 qershor. Sjellja e mazhorancës me këtë komision është një tjetër farsë mes shumë skandaleve të Partisë Socialiste.

Të njëjtët deputetë që janë anëtarë të komisionit kanë votuar javë më parë rezolutën e Kuvendit ku kërkohej shkarkimi i kreut të shtetit. Në këtë mënyrë, komisioni e ka mbyllur punën që pa nisur, pasi dihet qëndrimi i deputetëve dhe procedura e verifikimit është thjesht propagandë. Megjithatë, kreu i shtetit u paraqit dje para deputetëve të mazhorancës duke e disktretituar farsën që ka nisur prej muajsh Partia Socialiste. Vetë paraqitja e Ilir Metës duke respektuar institucionet, pavarësisht raporteve që dihen mes mazhorancës dhe Presidencës, si dhe argumentet që dha për vendimet që ka marrë shënuan një fitore të kreut të shtetit.

Presidenti argumentoi nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese vendimmarrjen për anullimin e datës 30 qershor. Lidhur me debatin nëse kreu i shtetit ka të drejtë të anulojë një dekret, Presidenti solli në vëmendje veç Kushtetutës së Shqipërisë dhe një vendim të Gjykatës së Straburgut që vlen edhe për Shqipërinë. “Në vitin 2015 Gjykata e Strasburgut vendosi në një çështje të ngjashme kundër Bullgarisë, ku disa shtetas bullgarë me origjinë turke pretenduan shkeljen e të drejtës së votës së tyre. Gjykata ka arsyetuar se: e drejta e votës e garantuar nga neni 3 i Protokollit nr.1 nuk është e limituar në veprimin e zgjedhjes së një kandidati dhe hedhjen e votës në kutinë e votimit. Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, në të kundërt e drejta e votës, procesi i zgjedhjeve dhe për rrjedhojë edhe rendi demokratik në përgjithësi, do t’i mungonte e drejta në substancën e saj. Të thuash zgjedhje me një kandidat do të thotë të bësh një proces fiktiv, pra qytetarëve u mohohet e drejta për të zgjedhur. Për këtë çështje, Bullgaria u dënua me një gjobë të caktuar”, – tha Presidenti Meta. Vendimet e Strasburgut vlejnë dhe për Shqipërinë e me anulimin e 30 qershorit Presidenti kërkoi pikërisht anulimin e votimeve fiktive të cilat ishin si votimet komuniste të kohës së diktatorit Hoxha. Presidenti argumentoi se me anulimin e 30 qershorit mbrojti të drejtën e shqiptarëve për të bërë zgjedhje normale si dhe u dha mundësinë palëve që të negocionin në interest të hapjes së negociatave me BE. Por një tjetër element i rëndësishëm, i dalë nga mbledhja e Komisionit Hetimor, ka të bëjë me skenarët për destabilizimin e Shqipërisë. Presidenti Ilir Meta tha se dekreti për anulimin e 30 qershorit u nxor edhe për shkak të informacioneve që erdhën nga një institucion i rëndësishëm, të cilat flisnin për djegien e institucionit të Parlamentit të Shqipërisë. “Një ditë para se presidenti të bënte publik vendimin e tij ose paralajmërimin e tij për shfuqizimin e datës 30 qershor, ka marrë një informacion, i cili natyrisht ishte sekret dhe i kualifikuar, nëse komisioni dëshiron të njihet sigurisht mund të ndodhë, i cili bënte të qartë që persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e caktuar nga opozita më 8 qershor, përveç akteve të tjera edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë”,- tha kreu i shtetit.

Në lidhje me këtë çështje, kreu i shtetit shtoi më pas që nuk mund të lejonte përsëritjen e Rajshtagut gjerman. Presidenti tha se detajet dhe burimin e këtij informacioni, për djegien e Kuvendit, mund t’ua jepte deputetëve të komisionit vetëm pas procedurave që garantojnë ruajtjen e sekretit shtetëror.

Përmendja e Rajshtagut jep një tjetër panoramë të asaj që dimë deri më sot. Mazhoranca ka akuzuar opozitën se kishte plan dhune para 30 qershorit dhe donte destabilitet, por historia e Rajshtagut gjerman është pak më e komplikuar. Rajshtagu gjerman u dogj pak javë pasi Adofl Hitler kishte ardhur në pushtet dhe në atë kohë akuzoi kundërshtarët e tij. Ndërkohë historianët njohin si autorë të këtij krimi vetë qeverinë dhe partinë e Hitlerit. Çdo aludimi se pas skenarit për djegie ishte opozita, Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi iu përgjigj dyshuesve se duhet ta lexonin më mirë deklaratën e Presidentit, pasi dhunën e kërkonte qeveria dhe jo partitë e opozita. Nga ajo çfarë u deklarua dje në komisionin hetimor shtrohet pyetja: A kishte në plan qeveria “Rama” të digjte Kuvendin dhe më pas të akuzonte opozitën?  Është një pyetje për të cilën, me të drejtë, analisti Fatos Lubonja tha dje se nëse politikanëve u intereson e vërteta duhet të ngrenë një komision hetimor për këtë çështje. Por parlamenti që mund të hetojë çdo skenarë të ngjashëm sot drejtohet nga PS dhe deputetët, përfshirë dhe gjasme opozitën e re, janë shtojca të qeverisë. Komisioni hetimor që kanë ngritur nuk ka lidhje me të vërtetën dhe as me ligjin. Komisioni është ideuar si një mekanizëm për të goditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe ka funksionuar si një strukturë e posaçme kundër Ilir Metës, sepse kryeministri ka zhbërë çdo institucion, e vetmja pengesë në rrugën e tij antiligjore ka qenë dhe është Presidenca.

Dje me përballjen në komision, Ilir Meta çmontoi me argumente dhe me qetësi gjithë mekanizmin antiligjor që PS-ja ka vënë në zbatim, për 30 qershorin, krizën politike dhe shkarkimin e tij. Presidenti mbrojti zbatimin e Kushtetutës dhe argumentoi se përse kishte të drejtë në dekretet që ka nxjerrë.

Dje Presidenti doli më i fortë nga kjo përballje, ndonëse kryeministri e kishte menduar se do ta dërmonte Ilir Metën me seancën e dëshmisë. Në fakt, pas dëgjimit të Ilir Metës në komisionin hetimor, disa ministra dhe deputetë të PS thonin se “në vënd që t’i hiqnim vetullat, na nxori sytë!”.

Dhe kështu ndodhi!

Mili Xhani

SHKARKO APP