Fjalim i fortë i Metës te forumi rinor. Mesazh të egër Ramës dhe Bashës
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1520547571291829/
Edhe një ditë mbetet nga kriza finale, pasi me datë 10 prill sipas Kodit Zgjedhor është afati i fundit i regjistrimit të partive në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit. Edhe takimi i shumëpritur Basha-Rama nuk po duket në horizont, çka do të thotë se opozita nuk do regjistrohet dhe nuk do marrë pjesë në zgjedhje. Por zgjedhje parlamentare pa opozitë nuk ka ndodhur asnjëherë në botën demokratike dhe kjo do sjellë konflikte dhe përplasje të madhe, edhe fizike, midis militantëve të PD dhe PS.
Sot LSI kishte një takim me të rinjtë e LRI, organizatës rinore më të madhe dhe më të gjallë e krejt spektrit politik. Ilir Meta, ndër të tjera theksoi me zë të lartë se “Të rinjtë nuk do të lejojnë që të merret peng demokracia e vendit”, bëri thirrje Ilir Meta në një takim me të rinjtë e LRI-së, duke thumbuar Edi Ramën, i cili pretendon se zgjedhjet në Shqipëri do jenë zgjedhje të standarteve europiane, por pa opozitën.
Ilir Meta ka kërkuar që edhe Basha, edhe Rama të ulen për te gjetur një kompromis për vendin. Kur thuhet kompromis nënkupton se sejcili heq diçka nga vetja, ka deklaruar Meta.
Kryeparlamentari ka sjellë në vëmendje lëvizjen e studentëve të vitit 1991 që rrëzuan “regjimin komunist më mizor në Europë”. “Rinia hodhi regjimin komunist më mizor në Europë. Edhe sot të rinjtë nuk do të lejojnë të merret peng demokracia e vendit. Demokracia në Shqipëri nuk do të jetë një one-man show, por një shans për të gjithë”- deklaroi Ilir Meta.
“Vendi asnjëherë nuk mund të mbetet peng nga askush. Nga askush që mendon më shumë për karrigen e tij sesa për paqen sociale, stabilitetin e mirësinë e vendi të tij e qytetareve. Ndaj nuk kemi asnjë minute për të humbur, as me arrogancën e njërës pale as me ultimatumet e palës tjetër për ti dhëne Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Meta.
“Nuk na dhimbsen karriget e Ilir Metes e LSI-së për ti dhenë një zgjidhje krizës politike dhe shqiptareve e Shqipërisë e për të mos u bërë turpi i Europës në vitin 2017”, theksoi Meta.
“Synojnë një Shqipëri pa drogë…Demokracia në Shqipëri nuk do të jetë më “one man show” por një shans për të gjithë”, tha kreu i LSI-së. Ai shtoi se Shqipëria nuk ka nevojë për deputetë me rekorde kriminale, që vijnë për t’i vënë gjoba qeverisë e parlamentit.
Ilir Meta kritikoi reformën në arsimin e lartë. Ai iu premtoi të rinjve se kjo forcë do të rrisë buxhetin për arsimin.
Duke sulmuar Ministrinë e Arsimit për këtë reformë, Meta tha se do ketë lehtësi për maturantët që nuk e përballojnë dot për shkak të pamundësisë ekonomike dhe nuk do çohen tek universitetet private.
“Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më çlodh më shumë se më krijon bindjen që puna dhe sakrificat e gjithë këtyre viteve nuk kanë shkuar dëm. Kur dëgjoj gjithë këto të rinj dhe të reja që tregojnë se Shqipëria ka të ardhme. Asnjë maturanti të talentuar nuk mund t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij nuk ka të ardhura të mjaftueshme dhe ta detyrojmë të shkojmë në universitetet private. Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat studentore për t’iu dhënë shansin studentëve dhe familjeve të tyre të përballojnë koston. Do rrisim buxhetin për arsimin”, tha Ilir Meta.
Meta shtoi se LSI ka një plan integral për arsimin. Ai tha se të rinjtë e të rejat nuk duhet të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë.
“Për ne si LSI dhe LRI deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe një familje të shëndetshme. Ndaj të rinj dhe të reja kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Atyre që dinë të ndezin dhe mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim i thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit. Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën sepse kanë lindur në pluralizëm që nuk pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë”, deklaroi Ilir Meta.
Pak me para tij kanë folur me radhë drejtues të LRI. Në takimin e LRI, salla e mbushur plot e përplot me të rinjë, ka folur edhe Monika Kryemadhi. Ajo ka thënë ndër të tjera se “LSI ka një derë të madhe dhe të hapur kurdoherë për këdo që do të vijë tek ajo. LSI-ja është një parti e njerëzve të thjeshtë. Kemi nevojë për një politikë të thjeshtë, një ëndërr të thjeshtë, të vogel, të bukur, të jetojmë të lumtur në vendin tonë të bukur. Piktura jonë është një Shqipëri evropiane dhe një Shqipëri e shqiptarëve.”
Ilir Meta: Demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë.
Lëvizja Rinore për Integrim organizoi sot “Takimin me rininë”. Në aktivitetin e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë morën pjesë Kryetari i LSI-së, Ilir Meta si edhe personalitetet kryesore të kësaj force politike.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti Ilir Meta u shpreh se të rinjtë janë forca më frymëzuese, transformuese dhe motivimi i përditshëm për një Shqipëri më të sigurt e më të drejtë që u jep shanse të gjithëve dhe në radhë të parë të rinjve dhe të rejave tona.
“Çdo politikan mund të jetë peng i të kaluarës së tij, por kjo asnjëherë nuk mundet të jetë një fatkeqësi për vendin. Pra, e ardhmja e atij vendi nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin e tij se sa për paqen sociale, për stabilitetin dhe përmirësimin e vendit të tij dhe të qytetarëve të tij. Ndaj nuk kemi asnjë minutë për të humbur, as me arrogancën e njërës palë, as me ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të gjithëpranuara nga të gjithë”, – tha Meta, teksa u shpreh se LSI-ja nuk do të kursejë energjitë e saj për t’i dhënë një zgjidhe të ndershme politike Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Ne duam të bëjmë dhe kemi detyrim të bëjmë çdo gjë për të rinjtë tanë. Për fëmijët tanë. Duhet t’i japim një shans të gjithë të rinjve dhe të rejave të këtij vendi që nuk e kanë njohur diktaturën. Që e ardhmja e tyre të mos shqetësohet nga hijet e së kaluarës. Që e ardhmja e tyre të mos pengohet nga arroganca dhe njëkohësisht nga kokëfortësia, që vetëm e vonon Shqipërinë dhe shqiptarët të jenë një vendin normal, një vend në paqe, një vend i stabilizuar dhe një vend funksional”, – shtoi Kryetari i LSI-së.
Ndërkaq,Meta theksoi se LSI-ja është krenare, sepse është forca politike që ka investuar dhe promovuar më shumë te të rinjtë për përfaqësimin e tyre në Parlament dhe në pushtetin vendor.
“Mjafton të kujtojmë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës për të kuptuar besimin që LSI u jep të rinjve, por edhe modelin shembullor që përfaqësojnë të rinjtë e LRI-së dhe LSI-së kudo ku ata janë. Unë kam besuar gjithmonë te të rinjtë, te forca dhe energjia e tyre transformuese dhe i kam nxitur gjithmonë që të marrin përgjegjësi. Ishte fuqia e të rinjve dhe studentëve që ndryshoi regjimin më të izoluar dhe më të ashpër të Evropës në vitin 1990 dhe jam i bindur se është fuqia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që nuk do të lejojë askënd që të marrë peng demokracinë dhe zgjedhjet e lira në këtë vend”, – deklaroi Ilir Meta.
Duke u ndalur te çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë të rinjtë, Kryetari i LSI-së vlerësoi projektin për arsimin që kanë hartuar të rinjtë e LRI-së për një Maturë Shtetërore që u jep shansin të rinjve të shkojnë në universitetet që ata duan.
“Ju keni hartuar një manifest vizionar për arsimin dhe punësimin e të rinjve dhe ne e mbështesim atë plotësisht. Ju keni qenë dhe do të jeni gjithmonë zëri i gjimnazistëve për një Maturë Shtetërore, që i jep shansin çdo të riu dhe të reje që të shkojë në universitet sipas meritës dhe dëshirës pas një procesi të drejtë dhe transparent provimesh dhe testesh pranimi. Ekonominë e dijes që duhet të përqafojmë dhe të zhvillojmë vendin tonë nuk mund ta realizojmë nëse vrasim edhe ëndrrën e një maturanti të vetëm për të patur shansin të studiojë në profilin që dëshiron dhe meriton. Ashtu sikurse asnjë maturanti të talentuar nuk mund të t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij apo e saj nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të vazhduar studimet dhe t’i detyrojmë të shkojnë në universitete private. Jo!”, – nënvizoi z. Meta, duke shtuar se LRI dhe LSI janë të bindur se reforma në arsim nuk është thjesht një set ligjesh dhe rregullash në letër, por mbi të gjitha duhet të jetë një reformë e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë sonë për 20-30 vitet e ardhshme.
“Për ne si LSI dhe LRI, deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe për një familje të shëndetshme. Prandaj të dashur të rinj dhe të reja të LRI-së, kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. E atyre që dinë të ndezin dhe të mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim u thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit”, – tha Kryetari i LSI-së.
Sa i përket aktualitetit politik, Ilir Meta theksoi se është koha për të goditur një herë e mirë apatinë dhe mosbesimin për t’i dhënë një shans të gjithë shqiptarëve për të folur me votën e tyre se si duan të qeverisen.
“Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën, sepse kanë lindur në pluralizëm dhe që nuk mund të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë, ku kanë të drejtë vetëm të votojnë formalisht, por jo të zgjedhin. Ndërsa politikanët zihen, shahen e harxhojnë energji të pashtershme me retorikat e tyre boshe, njerëzit e thjeshtë, prindërit tuaj, por edhe ju vetë kërkoni një shans për një edukim më të mirë dhe për punësimin tuaj për të mundur varfërinë dhe kostot e jetesës. Më 18 qershor qytetarët shqiptar kërkojnë një shans që pas 4 vitesh politikanët të heshtin dhe ata të dëgjohen dhe ata të vendosin, – shtoi z. Meta. – Ndaj kjo është koha juaj, e të rinjve dhe të rejave. Lum kush e dëgjon zërin e tyre dhe reflekton se ne kurrë nuk mund të lejojmë që zgjedhjet e lira dhe demokracia të bëhen kurban në këtë vend. Në mënyrë që drejtësia e pavarur të mos kapet nga askush. Ndaj jemi sot më të vendosur se kurrë që vendin ta çojmë drejt zgjedhjeve të lira e të gjithëpranuara dhe kurrsesi drejt një zgjedhjeje arrogante dhe arbitrare. Sepse demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë”, – deklaroi ndër të tjera Ilir Meta.
Ndërsa Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, në fjalën e saj e vuri theksin te programi i LRI-së për arsimin , që do të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies duke u dhënë shanse të gjithë nxënësve dhe studentëve në vend. “Ne kemi një alternative: zgjidhjen që do të krijojë një shans për të gjithë dhe kjo është Lëvizja Rinore për Integrim. Plani ynë i arsimit do të ngrejë në themel sistemin tonë arsimor, nisur nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, nga gjimnazet, nga universitetet, do të rrisë cilësinë e mësimdhënies, duke i ndihmuar mësuesit me trajnime dhe kualifikime të nevojshme dhe të vendosim tekste dhe kurrikula bashkëkohore dhe të certifikuara. LRI-ja do ta bëjë rininë shqiptare më të fortë, për arsimin që nuk është sa duhet, për tarifat e larta të arsimit që nuk lejojnë të rinjtë të shkollohen. Alternativa dhe programi ynë politik është shumë i qartë, është shumë i thjeshtë, është pranë çdo të riu, pranë çdo familjeje, pranë çdo qytetari për të krijuar një shans për të gjithë”, u shpreh kryetarja e LRI-së.
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, në fjalën e saj përpara theksoi se LSI dhe LRI punon për të rinjtë dhe të rejat e vendit. “Secili prej jush sot duhet të ndihet krenar për veten e tij, për atë çka përfaqëson, sepse ne të LRI nuk e kemi hallin kush do të dalë të flasë e të marrë vëmendjen e publikut, por kemi hallin që gjithsecilit prej jush tu ofrohet më shumë shanse në jetën e tij. Secili prej jush këtu është i jashtëzakonshëm. Secili prej jush këtu ka thyer një mentalitet. Secili prej jush ka ndryshuar diçka për komunitetin e tij. Secili prej jush këtu sot duhet të ndjehet krenar, sepse ne në LSI punojmë që të rinjtë të jenë të mirë në sjellje, punojmë që të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre, punojmë që të rinjtë të kenë mundësi të përfaqësohen realisht. Për ne të rinjtë janë të parët”, – u shpreh deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj.
Fjala e plotë Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta
Jam shumë i lumtur dhe shumë i frymëzuar si gjithmonë kur jam midis jush. Dhe dua t’ju falënderoj jo vetëm juve, që keni ardhur sot këtu, por dua të falënderoj edhe ata dhjetëra-mijëra të tjerë që nuk mund të vinin sot këtu, jo për shkak të dëshirës së tyre.
Ju keni qenë dhe jeni gjithmonë, forca jonë më frymëzuese, forca jonë më transformuese, më lëvizëse, forca e ndryshimit dhe motivimi ynë i përditshëm për një Shqipëri më të sigurt, për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të begatë që u jep shanse të gjithëve dhe në radhë të parë të rinjve dhe të rejave tona.
Të dashur të rinj dhe të reja! Çdo politikan mund të jetë peng i të kaluarës së tij, por kjo asnjëherë nuk mundet të jetë një fatkeqësi për vendin. Pra, e ardhmja e atij vendi nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin e tij se sa për paqen sociale, për stabilitetin dhe përmirësimin e vendit të tij dhe të qytetarëve të tij.
Ndaj nuk kemi asnjë minutë për të humbur, as me arrogancën e njërës palë, as me ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të gjithëpranuara nga të gjithë.
Ndaj ne nuk do të kursejmë të gjitha energjitë tona, nuk na dhimbsen as karriget tona, që nga karrigia e Ilir Metës, Ministrave të LSI-së, për t’i dhënë një zgjidhe të ndershme politike Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe për t’u mos u bërë turpi i Evropës në vitin 2017.
Ne duam të bëjmë dhe kemi detyrim të bëjmë çdo gjë për të rinjtë tanë. Për fëmijët tanë. Duhet t’i japim një shans të gjithë të rinjve dhe të rejave të këtij vendi që nuk e kanë njohur diktaturën. Që e ardhmja e tyre të mos shqetësohet nga hijet e së kaluarës. Që e ardhmja e tyre të mos pengohet nga arroganca dhe njëkohësisht nga kokëfortësia, që vetëm e vonon Shqipërinë dhe shqiptarët të jenë një vendin normal, një vend në paqe, një vend i stabilizuar dhe një vend funksional.
LSI është krenare, sepse është forca politike që ka investuar dhe promovuar më shumë te të rinjtë për përfaqësimin e tyre në Parlament. Dhe unë dua të falënderoj Kejdin dhe Silvën për përfaqësimin, që ata u kanë bërë të gjithë juve. Për përfaqësimin në pushtetin vendor. Mjafton të kujtojmë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës për të kuptuar besimin që LSI u jep të rinjve, por edhe modelin shembullor që përfaqësojnë të rinjtë e LRI-së dhe LSI-së kudo ku ata janë.
Unë kam besuar gjithmonë te të rinjtë, te forca dhe energjia e tyre transformuese dhe i kam nxitur gjithmonë që të marrin përgjegjësi. Të krijojnë modelet shembullore, sociale dhe politike të suksesshme, bazuar në aftësitë e tyre profesionale, në meritokraci dhe në vendimmarrje. Ishte fuqia e të rinjve dhe studentëve që ndryshoi regjimin më të izoluar dhe më të ashpër të Evropës në vitin 1990 dhe jam i bindur se është fuqia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që nuk do të lejojë askënd që të marrë peng demokracinë dhe zgjedhjet e lira në këtë vend.
Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më çlodh më shumë, sepse më krijon bindjen, se puna dhe sakrificat që unë kam bërë gjithë këto vite në politikë nuk kanë shkuar dëm.
Gëzohem kur dëgjoj Floidën, kur dëgjoi Klevin, kur dëgjoi Fionën, kur dëgjoj gjithë këto të rinj dhe të reja të cilët tregojnë se Shqipëria ka të ardhme, se rinia e Shqipërisë do të marrë në dorë fatet e saj dhe fatet e vendit.
Ju keni hartuar një manifest vizionar për arsimin dhe punësimin e të rinjve dhe ne e mbështesim atë plotësisht. Ju keni qenë dhe do të jeni gjithmonë zëri i gjimnazistëve për një Maturë Shtetërore, që i jep shansin çdo të riu dhe të reje që të shkojë në universitet sipas meritës dhe dëshirës pas një procesi të drejtë dhe transparent provimesh dhe testesh pranimi. Ekonominë e dijes që duhet të përqafojmë dhe të zhvillojmë vendin tonë nuk mund ta realizojmë nëse vrasim edhe ëndrrën e një maturanti të vetëm për të patur shansin të studiojë në profilin që dëshiron dhe meriton.
Ashtu sikurse asnjë maturanti të talentuar nuk mund të t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij apo e saj nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të vazhduar studimet dhe t’i detyrojmë të shkojnë në universitete private. Jo!
LRI dhe LSI janë të bindur se reforma në arsim nuk është thjesht një set ligjesh dhe rregullash në letër, por mbi të gjitha duhet të jetë një reformë e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë sonë për 20-30 vitet e ardhshme.
Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat studentore në universitetet publike për t’u dhënë një shans më shumë të gjithë studentëve dhe familjeve të tyre, të përballojnë kostot e studimeve, duke rritur ndjeshëm buxhetin për arsimin si një nga prioritetet tona absolute për të ardhmen.
Është obligimi ynë më madhor të investojmë sot tek edukimi i rinisë dhe të krijohen modele sociale të suksesit për të rinjtë tanë se vetëm kështu ju do të jeni të aftë t’i fitoni sfidat e ardhshme dhe Shqipëria të jetë e sigurt në lidershipin tuaj.
LSI ka një plan integral investimesh për arsimin ku synohet ringritja dhe fuqizimi infrastrukturor dhe akademik i gjithë sistemi tonë, nga ai parashkollor deri te kampuset universitare moderne, që ende na mungojnë. Për ne, politika jonë për arsimin nuk do të ishte e plotë nëse nuk do t’i kushtonim rëndësinë që meriton revolucioni të dijes, inovacionit dhe mbështetjes financiare për sipërmarrjet e reja të drejtuara nga të rinjtë dhe të rejat në të gjithë Shqipërinë.
Për ne si LSI dhe LRI, deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe për një familje të shëndetshme.
Prandaj të dashur të rinj dhe të reja të LRI-së, kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.
E atyre që dinë të ndezin dhe të mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim u thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit.
Është koha për të goditur një herë e mirë apatinë dhe mosbesimin për t’i dhënë një shans të gjithë shqiptarëve për të folur me votën e tyre se si duan të qeverisen.
Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën, sepse kanë lindur në pluralizëm dhe që nuk mund të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë, ku kanë të drejtë vetëm të votojnë formalisht, por jo të zgjedhin.
Ndërsa politikanët zihen e shahen dhe harxhojnë energji të pashtershme me retorikat e tyre boshe, njerëzit e thjeshtë, prindërit tuaj, por edhe ju vetë kërkoni një shans për një edukim më të mirë dhe për punësimin tuaj për të mundur varfërinë dhe kostot e jetesës.
Të gjithë ju dhe të gjithë ne kërkojmë një Shqipëri pa drogë, dhe një Parlament që të përfaqësojë qytetarët dhe jo krimin e organizuar apo lobet ekonomike, që po atrofizojnë lirinë ekonomike dhe të sipërmarrjes në vend përmes monopoleve, përmes koncesioneve dhe ekraneve të kapura.
Në 18 qershor qytetarët shqiptar kërkojnë një shans që pas 4 vitesh politikanët të heshtin dhe ata të dëgjohen dhe ata të vendosin. Ndaj kjo është koha juaj, e të rinjve dhe të rejave. Është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Lum kush e dëgjon zërin e tyre dhe reflekton se ne kurrë nuk mund të lejojmë që zgjedhjet e lira dhe demokracia të bëhen kurban në këtë vend.
Në mënyrë që liria e medias dhe e fjalës së lirë të mos kthehet në një farsë. Në mënyrë që liria ekonomike të mos mbetet në letër. Në mënyrë që drejtësia e pavarur të mos kapet nga askush. Ndaj jemi sot më të vendosur se kurrë që vendin ta çojmë drejt zgjedhjeve të lira e të gjithëpranuara dhe kurrsesi drejt një zgjedhjeje arrogante dhe arbitrare.
Sepse demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë.
Faleminderit për gjithë mbështetjen që i jepni LSI-së, që i jepni LRI-së dhe ju ftojmë që sa më shumë përfaqësues të LRI-së të jenë në Parlamentin e ardhshëm, sepse Shqipëria ka nevojë për deputet të rinj dhe të reja me vizion, me pasion dhe atdhedashuri. Ka nevojë për intelektualë, nuk ka nevojë Shqipëria për deputetë me rekorde kriminale, nuk ka nevojë Shqipëria për deputet biznesmenë, që vijnë vetëm për tendera dhe për t’i vënë gjoba qeverisë dhe Parlamentit. (Kjo është fjala e Ilir Metës)
Ndërkohë e reja e LRI, nga me të zonjat e forumit rinor Floida Kërpaçi ka theksuar në fjalën e saj që “LSI, partia e vetme në politikë që fuqizon të rinjtë”.
Në foto:Floida Kërpaçi
Klevi Pojana ka folur para mijëra të rinjve të LRI duke theksuar se “Ne besojmë te ëndrra e të rinjve. Të jemi të përgjegjshëm, kemi në duar të ardhmen”.
Në foto: Klevi Pojana
Deputetja me e re e parlamentit dhe e LSI Kejdi Mehmetaj ngriti peshë të rinjtë e forcëse politike, e cila te rinia ka bazën e saj me te fortë. Deputetja tha se:”LSI dhe LRI janë kthyer në një shkollë që përgatit brezat e politikanëve të mirë në Shqipëri”.
Në foto duke folur deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj