Florida Peraj, e reja nga Vermoshi që shndërroi shtëpinë e saj me dy dhoma në bujtinë të njohur
Në episodin e gjashtë të podkastit “Flasim – Zëdhënës malesh”, Kryeministri Edi Rama solli historinë e Florida Perajt, një të reje nga Vermoshi, e cila ka zgjedhur të qëndrojë në vendlindje dhe të ndërtojë vetë rrugën e saj në fushën e agroturizmit.
Florida, e diplomuar në administrim biznesi, tregoi se në vitin 2013 nisi punën në një bujtinë në Vermosh. Ndërsa kërkesat për turizëm po rriteshin, ajo u gjend përballë një vendimi të rëndësishëm: të largohej si shumë të rinj të zonës, apo të hapte një biznes të sajin.
“Vendosa të mos largohem, të qëndroj aty ku më takon. Vendosa që shtëpinë tonë ta ktheja në shtëpi pritje”, rrëfeu ajo.
Ky vendim, sipas saj, ishte një thyerje tabush për zonën, ku të marrësh pagesë nga mysafirët në mjediset familjare apo të shërbesh si vajzë e re për të huaj që nuk i njeh, nuk ishte diçka e zakonshme.
Florida kujtoi se fillimet nuk qenë të lehta. Ajo dhe familja e nisën rrugën në fushën e agroturizmit vetëm me dy dhoma, duke liruar hapësirat e tyre dhe duke fjetur në dysheme apo në divan, në mënyrë që turistët të kishin komoditetin e nevojshëm.
“Nuk ishte e lehtë, sidomos për prindërit e mi, pasi puna ishte e lodhshme ditë e natë dhe sakrifica shumë e madhe, për një të ardhme më të mirë”, tha ajo.
Pas shumë vitesh përkushtim dhe pune të pandërprerë, bujtina “Peraj” është sot një nga adresat e njohura të agroturizmit në Vermosh, duke u bërë shembull i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i forcës së iniciativës së të rinjve në zonat malore.
Florida tregoi se puna në bujtinë jo vetëm e rriti profesionalisht, por edhe e formoi, pasi me të ardhurat nga bujtina e saj ajo edhe kreu studimet e larta.
Ajo ka kontribuar edhe në sektorin publik, si punonjëse sociale pranë njësisë administrative, duke mbetur e lidhur ngushtë me komunitetin e saj.
KOHA JONË SONDAZH

