Fol Doktor! PD-ja po të shkërmoqet

Sali Berisha akoma nuk po flet. Po lëviz, po takon, po kthjellohet se si ndodhi gjithë kjo katrahurë në partinë që drejtoi 23 vite, ndërkohë që demokratët duan të dijnë mendimin e tij direkt dhe jo nëpërmjet emisarëve.

Tashmë Lulzim Basha humbi. Humbja do ishte një humbje me dinjitet, nëse do të kishte luftuar dhëmbë për dhëmbë kundër kryeministrit Rama siç deklaronte në çadër. Por ajo natë e datës 17 majit, kur u gdhinë bashkë me kryeministrin në një takim sekret mbi tre orë, e mori në qafë kryetarin e PD-së. E ofertoi apo i bëri shantazh kryeministri, Lulzim Bashës, asnjeri nuk e thotë dot, pasi kanë qenë vetëm ata të dy, vetëm e në errësirë. Por nisur nga faktet e pas takimit të tyre kur ra hovi, entuziazmi dhe ofensiva e PD-së, bile shkuan edhe në “martesë” qeveritare; tregon se Lulzim Basha ndryshoi krejtësisht. Kjo u pa në fushatën elektorale. Edi Rama nuk ishte më kundërshtari i PD-së, por LSI-ja. Edi Rama nuk ishte më ai “kryeministri kriminel që financohet nga bandat e drogës”, por njeriu i mirë që edhe buzëqeshte demokratëve nëpër fshatra dhe u përlau simbolin me dy gishta të demokratëve, duke e kthyer shpirtin dhe simbolin demokrat, në një ushkure brekësh, sa tallej me ironinë e tij më këdo në selinë blu.

Fushata e PD-së, siç u bë, mund të bëhej në një vend tjetër europian, por jo në Shqipëri, ku siç thoshte Basha e siç dihet ku “bandat e drogës blejnë votat”. Asnjë fjalë nuk u tha gjatë fushatës apo edhe ditën e dielë me datë 25 qershor për presionet, shantazhet, blerjet e votave, etj nga selia blu. Bile njërëzit pyesnin nëse “ ka njeri të gjallë në selinë e PD-së”?!

Ndërsa pas humbjes, selia blu i mëshon faktit se votat u blenë nga mafia e drogës. Po ku ishte PD-ja? Pse nuk foli? Kishte bërë pazar Republika e Re me Rilindjen?! Apo e kishin hallin se si të copëtonin LSI dhe më pas “tepsinë” ta ndanin Rama dhe Basha?

Basha iku me ngrirje. PD-ja është e paralizuar. Opozita më e vjetër në Shqipëri e shkatërruar. Nuk dihet se si do përfundojë fati i partisë më të madhe opozitare në vend, nëse akoma vazhdon duke heshtur para publikut Sali Berisha.

Partia e tij, të cilën e drejtoi për 23 vite, duke shënuar një histori të madhe, po venitet, po copëtohet, ndërkohë që Berisha nuk po flet.

 

SHKARKO APP