Fol Sali! “Troja”(PD) po digjet!
Themelet e Partisë Demokratike janë tronditur gjatë 48 orëve të fundit si asnjëherë tjetër gjatë historisë së saj 27- vjeçare. Pas publikimit të listës së kandidatëve për deputet firmosur nga Lulzim Basha, pakënaqësitë kanë arritur kulmin. Nuk janë vetëm thirrjet e një pjese të PD-së kundër Lulzim Bashës ato që kanë trazuar opozitën. Kritikat ndaj Bashës u zyrtarizuan dje në një fraksion të fortë që përfaqësohen nga emrat më me peshë në PD, pas Sali Berishës, Jozefina Topalli dhe Arben Imami. Në një reagim të paprecedentë, Topalli dhe Imami, akuzuan Lulzim Bashën për uzurpim dhe fshirje të historisë së Partisë Demokratike. Akuzat e të dyve ishin shumë të rënda. E akuzuan se po përdor listën dhe PD-në për interesa familjare dhe biznesi, e akuzuan se ka bërë Pazar me Edi Ramën, e akuzuan siç nuk e ka akuzuar as Edi Rama.
“Zonja e Hekurt” e PD-së, Jozefina Topalli, tha se, partia dhe listat e kandidatëve të Bashës nuk ka asnjë lidhje me vlerat e së djathtës dhe idealet që themeluan opozitën e parë shqiptare në vitin 1991. Në krah të saj ishte një nga themeluesit e PD-së, Arben Imami, me të cilin Topalli nuk ka pasur marrëdhënie normale politike. Por dje Topalli dhe Imami ishin bashkë, si për të dhënë një sinjal se aleanca e re kundër Bashës në PD është më e madhe sesa ajo që shfaqet në media dhe rrjetet sociale. Pas qëndrimit të Topallit nisi braktisja e garës nga kandidatët që ka propozuar Basha. Në Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Kukës kandidatët e PD-së deklaruan se nuk marrin pjesë në garë pasi ndjeheshin të “fyer” nga mënyra sesi ka hartuar listat kreu i PD-së. Emra të tjerë të pakënaqur nga renditja pritet të largohen në ditët në vijim. Pas sulmit frontal u bashkuan në kafe dhe me pjesën tjetër të grupit antiBasha si Majlinda Bregu, Astrit Patozi etj. Në të vërtetë Patozi ishte më i ekuilibruar pas takimit, kur shkroi në Facebook se tashmë fushata ka filluar dhe duhen mbështetur kandidatët.
Ndërkohë, Topalli dhe Imami nuk u mjaftuan vetëm me sulme të forta verbale. Që dje kanë nisur mbledhjen e firmave të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për të kërkuar shkarkimin e Lulzim Bashës. Kur mbetën më pak se 25 ditë nga mbyllja e fushatës elektorale, në PD ka nisur sherri më i madh që rrezikon të asgjësojë gjithë opozitën dhe vetë të djathtën. Për herë të parë, PD-ja po shkon në fushatë me një ndarje kaq të thellë kundër drejtuesit të saj kryesor. Pavarësisht se kush do të jetë fituesi i këtij sherri, humbja e zgjedhjeve duket e sigurt që tani.
Në PD gjithçka është në kaos total. Këtë luftë në PD mund ta ndalë vetëm një njeri. Ai është Sali Berisha. Është koha që lideri historik i Partisë Demokratike të mos vëzhgojë më nga zyra e tij në katin e 14 sesi digjet Partia Demokratike. Berisha duhet të flasë jo vetëm si ish-kryetar, por edhe si njeriu që gjatë 4 viteve të fundit e mbështeti Bashën në çdo qëndrim dhe çdo aksion opozitar. Sot është koha të flasë publikisht nëse PD-ja që po hyn në zgjedhje e përçarë dhe me shumicën e figurave të saj historike të nxjerra jashtë, pra është PD-ja e Bashës, apo është edhe PD-ja që ka në mendje Berisha.
Berisha ka detyrimin të flasë për t’u dhënë fund thashethemeve lidhur me drejtimin real të PD-së. Sepse mbështetësit e Bashës thonë se për hartimin e listës ka dhënë miratimin dhe ish-kryetari Berisha. Ndërsa, kundërshtarët e Bashës që po shtohen në numër çdo orë kanë nisur të flasin se pas “shpërthimit” të tyre qëndron Berisha.
Mbi të gjitha Berisha ka përgjegjësinë si lider historik i PD-së të qartësojë atë që po ndodh sot te opozita dhe te partia që ai themeloi. Është koha të flasë nëse Basha ka të drejtë në projektin e tij, apo shqetësimet e Jozefina Topallit janë të njëjtat me ato që ka Berisha për drejtimin e PD-së. Realisht pakkush e mendon se Lulzim Basha ka guxuar të largojë kundërshtarët e tij pa lejen e Berishës. Ka informacione se pakti i fshehtë Rama-Basha është bërë me lejen e Berishës, pakt që pas zgjedhjeve do nxjerrë krye, por që pa grupin Topalli, është më i lehtë për t’u realizuar si bashkëqeverisje PS-PD.
Reagimi i Berishës duhet bërë sa më parë. Nëse nuk flet kuptohet se ai është pas Topallit dhe Imamit. Po që kështu, ditët e PD-së janë të numëruara, sepse do të digjet si Troja, dikur.
Informacionet nga selia blu thonë se Berisha akoma nuk ka vendosur të flasë, por pritet të “presë kokën” e dikujt apo disa koka njëherësh.
Ka dorë të rëndë Saliu!
Qamil Xhani