Foreign Policy: Ja si përgjohen ambasadat e vendeve të NATO në Tiranë
Nga Adam B. Fermont/Përgjimet telefonike dhe elektronike të drejtuara nga ministria e Brendshme shqiptare janë dy praktikat më efikase të mbikëqyrjes elektronike që diskutohet rëndom në çdo emision televiziv sot në Shqipëri.
Për ta qartësuar:
- Përgjimet telefonike përfshijnë përdorimin e mjeteve të fshehta për të gjurmuar, monitoruar dhe regjistruar bisedat telefonike të personave.
- Përgjimi elektronik mund të përfshijë vendosjen e një çimke në një pronë private, kështu që përgjuesit mund të regjistrojnë në mënyrë sekrete bisedat.
Të dyja llojet e përgjimeve i kanë mundësuar qeverisë shqiptare për të monitoruar bisedat dhe aktivitetet pa e deklaruar prezencën e pajisjeve të përgjimit që janë në posedimin e qeverisë.
Sipas zotit Çako, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, zyrtarët e zbatimit të ligjit i kanë përdorur këto teknika të fshehta për qëllime të ndryshme hetimi, veçanërisht në hetimin e krimit të organizuar dhe luftës kundër trafikut të drogës. Megjithatë, sipas agjencive të besueshme të inteligjencës së huaj, qeveria shqiptare ka dështuar qëllimisht që të pranojë se ministria e saj e Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë vendosur çimka dhe dëgjojnë vazhdimisht bisedat telefonike dhe shohin e-mailet e një shumë ambasadave në Tiranë, disa prej të cilave janë edhe anëtare të NATO-s.
Ndërsa mbikëqyrja elektronike rrit padyshim aftësinë e qeverisë për të hetuar krimin e organizuar, gjithsesi, natyra e qenësishme e këtyre teknikave, është një ndërhyrje e mundshme në jetën private të një individi. Në të vërtetë, siç vënë në dukje edhe ekspertët e këtyre çështjeve, “mbikëqyrja elektronike ka shkaktuar prej një kohe të gjatë një përplasje klasike mes interesave të privatësisë dhe nevojës për zbatimit efikas të ligjit” (Goldsmith).
Për shkak të këtij kërcënimi, përgjimi dhe përgjimi telefonik dhe ai elektronik, kanë qenë objekt i hetimeve të rëndësishme kundër policisë së shtetit shqiptar të udhëhequr nga zyra e kryeprokurorit të përgjithshëm. Këtë herë, diçka shkoi keq kur zyra e prokurorit nuk i mori seriozisht dyshimet e ngritura nga SHISH.
Gjithçka nisi në tetor 2015, kur Presidenti Nishani deklaroi në televizionin publik se Dega e Ekzekutivit Shqiptar po e spiunonte atë dhe familjen e tij. Në nëntor 2015, ai zbuloi një çimkë në zyrën e tij dhe kërkoi zyrtarisht nisjen e një hetimi që do të drejtohej nga zyra e kryeprokurorit.
Më vonë, ndërsa skandali i përgjimit zgjerohej në shtrirje dhe rëndësi, zyra e kryeprokurorit të Përgjithshëm lajmëroi se kryetari i Policisë së Shtetit, zoti Haki Çako, pezullohej nga detyrat e tij pasi po hetohej për përdorimin e paligjshëm të pajisjeve të përgjimit.
Zyra e Kryeprokurorit të Përgjithshëm lëshoi një deklaratë për shtyp ku thoshte se zoti Çako ishte seriozisht i dyshuar për abuzim me pushtetin dhe gjykata vendosi që edhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të mbaheshin nën arrest shtëpie derisa të përfundonte hetimi.
Prokurorët shqiptarë nisën të hetojnë pasi mësuan se agjentët e policisë kishin përdorur pajisje përgjimi kundër diplomatëve dhe familjes presidenciale, ndërsa kishin përdorur edhe një pajisje, e cila kishte hyrë në Tiranë “pa autorizimin përkatës”. Ata po kontrollojnë gjithashtu nëse ka emra të tjerë zyrtarësh të lartë të përfshirë në këtë çështje.
Më 11 mars 2016, në portin e Durrësit, Tirana zbuloi një makinë italiane me targa diplomatike, brenda së cilës ishte fshehur një valixhe e zezë, përmbajtja e së cilës shkaktoi një krizë të brendshme politike, ndërsa qeveria italiane luan një rol kyç. Në të vërtetë, ishte një pajisje që monitoronte bisedat telefonike dhe quhet “IMSI Catcher”.
Zoti Adriatik Llalla, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë tha: “Kjo pajisje ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri”. Kjo pajisje nuk kishte marrë kurrë një autorizim nga zyra e kryeprokurorit siç e kërkon ligji shqiptar. Sinjalizimin e kishte dhënë SHISH.
Më 17 mars, pas largimit të shefit të policisë italiane nga ambasada italiane në Tiranë, Alesandro Pansa, ai dërgoi një letër sqaruese në zyrën e prokurorit.
Mesazhi i tij u përcoll edhe nga ambasadori italian në Tiranë, Alberto Kutilo, i cili tha se për momentin, “IMSI Catcher” ishte në zotërimin e ambasadës italiane, kështu që nuk kishte arsye për t’u shqetësuar. Por këto deklarata prodhuan akoma më shumë konfuzion dhe e ngritën stekën e dyshimit edhe më lartë. Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ngrenë vetullat me mosbesim dhe ngrenë pyetje nëse mekanizmat brutale të spiunazhit të trashëguara nga Regjimi Totalitar Shqiptar 26 vite më parë, po rikthehen në tokën e shqiponjave.
Sipas ish-shefit të policisë italiane, pajisjet e përgjimit ishin prodhuar nga “Vortex Aircube”, një kompani prodhimi izraelite që në Europë importohet nga “Ercom”, një kompani franceze, ndërkohë që në Itali distribucionin e kësaj pajisje e bën “ITALARMS”.
Pansa shton në letrën e tij se pajisja ishte e destinuar për t’u përdorur “për qëllime trajnuese” të forcave lokale të policisë.
Lidhur me këtë çështje, në qendër të skandalit ndërkombëtar është numri 1 i policisë shqiptare, zoti Haki Çako, i cili e shmangu qëllimisht hetimin dhe sekuestrimin e valixhes së zezë të paligjshme me vetëm një justifikim: “Çdo send i cili del nga një ambasadë dhe i destinuar për një të shkuar në një vend diplomatik, ka një komunitet diplomatik të brendshëm për ta hetuar”. Pyetja një milionë dollarëshe është nëse zoti Çako veproi i vetëm, apo përpara se të merrte një vendim të tillë ka marrë më parë bekimin e ministrit Tahiri.
Por nëse kjo pajisje përdorej për trajnim, përse autoritetet lokale dhe zyra e prokurorit nuk janë njoftuar përpara në lidhje me mbërritjen e “IMSI Catcher”-it?!
Intriga ndërkombëtare vazhdon të diskutohet në parlamentin shqiptar. Ish-kryeministri i sinqertë, Sali Berisha, publikoi një deklaratë në faqen e tij personale të “Facebook”, së bashku me një listë me 375 emra figurash publike që ishin përgjuar, përfshirë edhe kryetarin e Parlamentit, kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe biznesmenë dhe njerëz të tjerë të cilët janë kundërshtarë politik të zotit Rama. Por këto akuza u hodhën poshtë në mënyrë të dyshimtë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Bazuar në rezultatet e deritanishme të hetimit, faji bie edhe mbi misionin e Inter Forcës, një task forcë e përbashkët e forcave italiane dhe shqiptare të policisë, të cilat supozoheshin të ishin në krye të trajnimit me “IMSI-Catcher”-in. Brenda kësaj çështjeje, një diskutim përfshin në këtë skandal edhe gruan e shefit të policisë së misionit, zotin Majkëll Grillo, e cila akuzohet se është përfshirë në shitjen e valixhes së lartpërmendur.
Skandali alarmues i spiunazhit të Shqipërisë është organizuar në mënyrë sekrete nga ministri i Brendshëm shqiptar, nën udhëzimet e kujdesshme të kryeministrit Edi Rama: ndërkohë që gruaja e zotit Grillo ishte një drejtore e lartë e kompanisë “ITALARM”. Në vitin 2015 ajo erdhi në Tiranë më shumë se pesë herë, por në këtë kohë ajo e kishte mbyllur marrëveshjen sekrete me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa i kishte siguruar kompanisë së saj edhe fitoren në ofertën e prokurimit që ministria e Brendshme bëri me qëllimin për të instaluar kamera në qytetin e Tiranës, proces i monitoruar nga policia shqiptare.360Grade.al
Artikullin e revistës mund ta lexoni në anglisht në këtë link: Albanian government is spying on NATO member countries