Kombëtarja/Frikë për përleshje mes tifozorisë shqiptare dhe maqedonase

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar lajmin që ka qarkulluar sot në media se ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk do të luhet në Shkup, por në Strumicë. Sipas FSHF-së, ky vendim është marrë nga UEFA me qëllimin kryesor ruajtjen e sigurisë së tifozëve, pavarësisht se stadiumi “Mlladost” nuk i plotëson të gjithë kushtet e nevojshme për të pritur një ndeshje ndërkombëtare të këtij niveli.

Njoftimi i plotë i FSHF-së

“Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të bëjë me dije edhe opinionin publik në lidhje me problemin e vendit të zhvillimit të ndeshjes zyrtare eliminatore, për Botërorin “Rusi 2018”. FSHF ka ndjekur me shumë prioritet edhe çështjen e vend-zhvillimit të ndeshjes zyrtare eliminatore në Maqedoni në shtator, duke realizuar edhe korrespondencën e duhur dhe të menjëhershme zyrtare me UEFA-n.

Nisur nga specifika e ndeshjes, por edhe nga praktika e zakonshme për informacionin e duhur disa muaj para, për vendin e zhvillimit të ndeshjes, FSHF i është drejtuar vetë homologëve maqedonas në fillim të muajit qershor në lidhje me vendin e zhvillimit të ndeshjes.

Përpos kësaj, nisur edhe nga rrethanat e një ndeshje delikate UEFA ngriti një grup inspektimi të sajin për të parë edhe stadiumin e Strumicës, një impiant që nuk përputhet aspak për standardet ndërkombëtare të zhvillimit të ndeshjes eliminatore zyrtare.

Në konfirmimin e tyre të mëvonshëm, si dhe pas inspektimit të grupit të punës, UEFA vendosi që për arsye sigurie ndeshja zyrtare eliminatore e shtatorit MAQEDONI-SHQIPËRI të luhet në stadiumin e Strumicës, dhe jo në Shkup, pasi në argumentin e tyre, ata kishin më shumë primare garancinë e sigurisë për tifozët, gjë për të cilën ishin më shumë të sigurt në Strumicë, se sa në Shkup, në stadiumin ‘Filipi i 2-të’. Dhe për këtë ajo ka marrë garancitë përkatëse.

FSHF ndërkaq i është drejtuar vetëm para pak ditësh Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, për këtë shqetësim, më pas edhe Drejtorisë për Sigurinë e Stadiumeve në UEFA, ku i përcolli edhe shqetësimin në lidhje me këtë vendim, për zhvillimin e ndeshjes, në një impiant ku nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, por që sipas korrespondencës, dhe pas inspektimit u vendos që për arsye sigurie të luhet atje.”

SHKARKO APP