Frika “Kokëdhima”. Edi Rama rikthen në krye të PS në Vlorë, Shpëtim Gjikën
Në shkurt të vitit 2015, Shpëtim Gjika, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Vlorës u arrestua dhe ndaj tij nisi një proces i gjatë me akuzën për shpërdorim detyre. Pavarësisht padive, shumë kush në PS mendonte se ndaj Gjikës kishte nisur një “persekutim” politik, jo dhe aq për shkak të detyrës, sesa zhvillimeve të brendshme në selinë rozë.
Si fillim, arësyet e sulmit ndaj Gjikës u shpjeguan me ngritjen politike të deputetit të Vlorës, Koço Kokëdhima. Mes Gjikës dhe Kokëdhimës marrëdhëniet nuk kishin qenë asnjëherë të mira dhe nuk kanë munguar as përplasjet e ashpra publike për drejtimin e partisë në Vlorë.
Por veç Kokëdhimës, socialisti 24 -karatsh Shpëtim Gjika indirekt nuk i kurseu dhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili dikur e vlerësonte në mënyrë të veçantë punën e kryebashkiakut të Vlorës në PS, ndërsa në fund nuk e mbrojti politikisht. E hodhi, sapo Kokëdhima deshi kokën e tij të prerë politikisht. Pas zgjedhjeve të vitit 2015 duket se marrëdhëniet mes Gjikës dhe Edi Ramës kishin marrë fund. Së fundi, u fol dhe për një afrim të Shpëtim Gjikës në Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës.
Por duke parë zhvillimet në PS, lëvizjet politike të Koço Kokëdhimës dhe fuqizimin e partive të tjera në Vlorë, Edi Rama ka vendosur që ta rikthej sërish shpëtim Gjikën në krye të strukturave në Vlorë. Dhe ka bërë mirë. Shpëtim Gjika do ta kthej PS-në e Vlorës në rrugën e traditës. Veprimi i Edi Ramës për rikthimin e Shpëtim Gjikës në krye të socialistëve të Vlorës është veprimi më i saktë dhe më i drejtë që ka bërë lideri i PS-së në këto vite të fundit. Praktikisht Vlorën, si qark, e ka blinduar Edi Rama dhe rrezikun Kokëdhima që mund ti merrte deri në dy deputetë PS-së e ka zbehur në minimum. Por ka informacione se Koço Kokëdhima do kandidoj si i pavarur ose në emër të një force politike serioze dhe, nëse është kështu, beteja Gjika-Kokëdhima kthehet në betejë epike.
Por si ndodhi rikthimi i ish-kryetarit të PS-së dhe ish-kryebashkiakut Gjika. Mësohet se pas disa takimeve konsultuese me kryetarin e partisë, Edi Rama dhe drejtuesin politik të qarkut Vlorë, Damian Gjiknuri, ish-kryetarit Gjika i është besuar detyra e koordinatorit politik. “De facto” drejtues real. Por kryesisht po përqëndrohet në zonat rurale të Vlorës ku ka me shumë influencë ish-deputeti Kokëdhima. Ai do të punojë në këtë zonë me deputetin aktual Fatmir Toçi për forcimin e kapaciteteve drejt zgjedhjeve të 18 qershorit dhe do të jetë në krah të Gjiknurit për gjithë qarkun e Vlorës. Lidhja e Gjikës me këtë zonë është e fortë për shkak edhe të origjinës së tij. Ky vendim përbën kthesën e fortë të marrëdhënieve të ish-kryetarit të Vlorës prej 12 vjetësh.
Arsyeja kryesore e rikthimit të Gjikës ka të bëjë me nisjen e Lëvizjes politike të Kokëdhimës. Qarku i Vlorës është zona më me ndikim e Kokëdhimës dhe kandidimi i tij mund t’i prish jo pak punë selisë rozë. Për këtë qëllim, Rama ka vendosur të rikthejë një socialist të vjetër si Shpëtim Gjika, për të minimizuar efektin Kokëdhima.
Shenja se marrëdhëniet mes Gjikës dhe Edi Ramës se po zbuteshin ishin dhënë nga kryetari i partisë që prej kohës kur Koço Kokëdhima u “divorcua” nga Partia Socialiste. Në darkën e fundvitit me socialistët në Vlorë, Rama ngriti një dolli të veçantë për ish-kreun e Bashkisë, duke thënë se Shpëtim Gjikën mund ta heqësh nga “mendja, por jo nga zemra”. Një veprim i zgjuar i Edi Ramës, i cili ka nevojë të rikthehet edhe me saktë dhe besueshëm tek aleatët e prillit 2013, të cilët e sollën në pushtet e jo te partiza që lëvizin si Kokëdhima.
Nëse Edi Rama vjen më me kthjellësi nga Singapori, ku ndodhet këto ditë, duke gjetur rikthimin te aleati i tij LSI, por edhe Ilir Meta me qartësinë e Presidentit të ri amerikan Donald Trump, besohet se koalicioni PS-LSI bëhet fitues. Por pa ferra të tjera politike në mes. Partitë e tjera të bashkëqeverisjes duhen , por nuk kanë pse futen në mes të sofres Rama-Meta.
Po u futën me spica e sikur kanë vota për të bërë numrin 71, atëhere Edi Rama le të kthehet te Koço Kokëdhima- thonë drejtues seriozë në selinë rozë, të cilët pohojnë nën zë se “ia kemi thënë Ramës që pa LSI nuk mbajmë pushtetin, sikurse nuk vinim në pushtet”.