Duka u merr FSHF, por edhe fiton 9 me 0 me grupin e kryeministrit

Gara për zgjedhjen e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ishte vetëm një ngjarje sportive. Futbolli është sporti më i ndjekur në Shqipëri dhe e vetmja fushë ku, me të mirat dhe të këqijat, na ka bërë të ndihemi europian. Si e tillë, gara për “qeverinë e futbollit” nuk ishte vetëm një betejë presidentësh ekipesh dhe skuadrash. Ishte shumë më shumë se kaq. Gara ishte një përballje mes modelit që po instalohet në vend, pas fitores së qeverisë së Edi Ramës në vitin 2017. Është modeli i “TepsiPolitikës”, ku partia që fitoi zgjedhjet politike i njeh vetes të drejtën të marrë çdo institucion shtetëror; gjykata, prokurori, media dhe në fund tentoi të futej edhe në lojën e futbollit. Por këtu filloi fillimi i fundit të Tepsipolitikës.

Arroganca dhe mania e Edi Ramës për ti marrë të gjitha në tepsinë e tij, me sa duket, solli humbjen e parë të qeverisë Rama.

Fitorja e Armando Dukës, sado kritika që të ketë për shkak të një mandati të tejzgjatur, sërish është një lajm i mirë për futbollin. Me zgjedhjen e Dukës, futbolli sot mbajti larg nga fusha e lojës politikën dhe qeverinë. Në fund të gjithë këtij debati, kemi një President dhe Asamble ku FSHF-ja do të merret me problemet e sportit dhe jo me axhendën e kryeministrit dhe me hallet e mazhorancës. Apo me bastet ku duheshin pastruar paratë e drogës.

Prova më e mirë filozofisë së TepsiPolitikës ishte fakti që në garë për kreun e FSHF nuk u fut një profesionist i menaxhimit të futbollit dhe as një ekspert i lojës së futbollit. Shqipëria ka lojtarë me karrierë ndërkombëtare dhe menaxher klubesh futbolli që mund të jepnin me shumë për FSHF. Por jo, asnjë emër i tillë nuk u lejua të vendosej përballë Armando Dukës. As Igli Tare e Lorik Cana. Në vend të këtyre emrave, PS-ja zgjodhi njeriun më politik të mundshëm, ish-kryeministrin, ish-zëvendëskryeministrin dhe deputetin aktual të saj, Bashkim Fino. E vetmja lidhje e Bashkim Finos me futbollin është se dikur luante ndeshje amatore me shokët e gjimnazit, në lagjen “18 shtatori” të Gjirokastrës apo siç i tha Armando Duka te emisioni i Ylli Rakipi se ti luan bukur tavëll. Për të qenë korrekt, Bashkim Fino është një politikan karriere, por nuk kishte asnjë lidhje me botën e futbollit, ku donte të fuste duart. Kishte zëra se pas deputetit Fino ishte direkt Olsi Rama, vëllai i ish-kryeministrit dhe biznesmenë shumtë të afërt të Edi Ramës, ndaj kandidimi i deputetit të PS ishte direkt kandidim i një njeriu të qeverisë. Fushata për Finon ishte një aksion i qeverisë dhe PS. Mjafton të kujtojmë se në takimet e tij ishin deputetë të Partisë Socialiste, kryebashkiakët e zgjedhur nga PS, mediat e njohura si mbështetëse të Edi Ramës dhe biznesmenë që janë të lidhur me mijëra fije ekonomike me pushtetin dhe qeverinë “Rama”. Kryeministri mjeshtërisht lante duart duke thënë se nuk kam asnjë lidhje me këtë kandidim, por ndërkohë drejtori sportiv i klubit “Partizani” është vëllai i tij, Olsi Rama. Dhe jo vetëm kaq.

Po përse i duhej futbollit “TepsiPolitikës”?

Sigurisht jo për socialistët dhe as për një qeverisje më të mirë. Tepsisë nuk i duhet futbolli si lojë dhe as shqetësohet për tifozët apo kombëtaren. Më shumë se kaq, i interesojnë sasitë mëdha monetare, terrenet sportive për pallatet e ardhshme dhe interesat ekonomike që qarkullojnë në këtë sport. Kjo shpjegon dhe faktin që në takimet e kandidatit të PS shikoje biznesmenë, deputetë dhe njerëz që këto vite e shohin futbollin si një makineri parash. Kjo është dhe arseja se përse Fino humbi. Askush nuk u lodh të lexonte platformën e tij. Askush nuk mund të ishte naiv sa të merrte seriozisht një kandidim që nuk vinte nga sporti, por direkt nga zyra e kryeministrit. Sepse Fino nuk hyri në garë për të zgjidhur hallet e futbollit, por për të zgjidhur hallet e “Tepsipolitikës”, siç ka thënë Armand Shkullaku, derisa nuk dorëzoi mandatin e deputetit të PS-së. Nëse do ta kishte dorëzuar mandatin e deputetit dhe të mos shikohej si pjesë e Tepsipolitikës, sot edhe mund të kishte fituar.

Kjo e sotmja është më shumë se një fitore. Simbolikisht fitorja e sotme e futbollit është dhe humbja e parë e Edi Ramës, që pas marrjes së gjithë tepsisë në zgjedhjet e fundit. Sot Rama mori leksionin politik që nuk ia kanë dhënë dot këto muaj as opozita e Partisë Demokratike dhe as Lëvizjes Socialiste për Integrim. Futbolli i tha “Mjaft” Tepsipolitikës.

Pas fitores së Dukës është krijuar një situatë ironike. Kritikët e Dukës po ankohen se Presidenti i FSHF është më jetëgjati në detyrë. Në fakt, Duka ka në FSHF me pak vite në FSHF se sa Edi Rama që ka fiks 20 vite në pushtet e asnjëherë në opozitë direkte personale, përjashtuar vitet e Saliut të I-rë.

Përveç fitores së Dukës si President për grupin Fino and co ka ardhur një tjetër humbje dërmuese. Nuk morën asnjë nga 9 anëtarët për Komitetin Ekzekutiv, i cili mund të quhet qeveria e futbollit.

Pas votimit për zgjedhjen e kreut të FSHF-së, që përfundoi me rikonfirmimin e Armand Dukës përkundrejt kandidatëve të tjerë, deputetit socialist Bashkim Fino dhe ish-gjyqtarit Shpëtim Hala, delegatët e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore votuan edhe për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Edhe në këtë rast u deshën dy raunde votimi, pasi në të parin nuk mundën të siguronin votat e mjaftueshme, kandidatët që duhej të plotësonin 9 vendet e Komitetit Ekzekutiv.

Anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv janë: Arben Dervishaj, Abdyl Kuriu, Bardhyl Jera, Lutfi Nuri, Vasil Bici, Enkelejd Alibeaj, Edvin Libohova, Bardhyl Minxhozi dhe Edmond Spahiu; të gjithë antiFino dhe pro Dukës.

Nga sot ka filluar fillimfundi i Tepsipolitikës.

Marko Ferrera

SHKARKO APP