Gabimi i LSI me Gramoz Ruçin!

Po nis zyrtarisht sezoni i ri politik. Pas betimit të deputetëve të rinj do të bëhet dhe përballja e parë pozitë-opozitë në Kuvend. Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri. Partia më e madhe në pushtet ka propozuar vetëm një kandidatur, atë të Gramoz Ruçit. Përvoja për 26 vitesh në politikë, drejtimi për 8 vite i grupit parlamentar të PS dhe drejtimi i forumeve më të larta të PS e bëjnë zgjedhjen e Ruçit një proces të natyrshëm që nuk mund të kontestohet lehtë. Tek e majta kanë mbetur shumë pak emra që kanë karrierën e Ruçit në politikë dhe në organet ligjvënëse të shtetit.

Kundërshtarët e mëdhenj të kësaj kandidaturë janë demokratët. Javët e fundit kanë shpikur një tezë të re për të mos pranuar drejtimin e Kuvendit nga Ruçit. I janë rikthyer kauzës antikomuniste duke parë tek figura e tij të kaluarën gjatë sistemit komunist. Bëhet fjalë për të njëjtin politikan me të cilin Sali Berisha ka zbatuar marrëveshjet politike. Është i njëjti person që për PD është cilësuar si garanti i qëndrueshmërisë në PS edhe kur kryetarët, Fatos Nano dhe më pas Edi Rama ndryshonin mendje brenda natës për vendimet. Sigurisht demokratët e kanë kundërshtar politikë, por edhe si “armik” e kanë vlerësuar jo pak herë. Ndaj sot sulmet me komunizmin nuk qëndrojnë dhe janë jashtë kohe. Është e drejtë e PD-së që të mos e votojë Gramoz Ruçin. Vota e PD kundër duhet të jetë një qëndrim politik dhe kaq mjafton. Argumentet me ballistë dhe partizanë vetëm e bëjnë qesharake seancën e pare, kur do flasin demokratët në drejtim të Ruçit për komunizëm, ndërkohë që vetë në PD kanë plot komunistë që kanë bërë histori demokratike. PD-ja duhet ti bëjë opozitë të fortë kryeministrit Edi Rama. Dhe jo të merret me “komunizmin” e Ruçit.

Nën euforinë e opozitarizmit të fortë të PD duket se ka rënë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Dje kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili deklaroi votën kundër qeverisë “Rama 2” dhe personalisht Gramoz Ruçi si kryetar i ri i Kuvendit. Qëndrimet e LSI kundër Ruçit janë të ndryshme nga ato të PD. Sigurisht LSI nuk bie në naivitetin e PD për të sulmuar Ruçin si komunist. Por rezultati është i njëjtë, 19 votat e LSI do të jetë kundër kreut të Parlamentit.

Mirëpo me këtë qëndrim, pa dashje, LSI ka rënë në kurthin e Partisë Demokratike. Së pari, të votosh për çdo gjë kundër nuk je realist. PD e ka pasur sjelljen e saj katër vjeçare që si opozitë votimin kundër ndaj çdo ligji dhe çdo emri.

Kur votat e opozitës nuk kanë asnjë peshë në vendimmarrjen, votimi kundër sidomos ndaj emrave kandidatë, vetëm tregon mllef dhe jo qëndrime politike. LSI mund të ketë rezerva ndaj Ruçit, por emri dhe përvoja e tij në politikë është garancia e vetme se ky parlament do të funksionojë normalisht. Me numrat që ka PS dhe me arrogancën që ka zakonisht Kryeministri Edi Rama, i vetmi person që mund të amortizojë përplasjet pozitë-opozitë në Kuvend është Gramoz Ruçi. Nuk po themi që vota pro ti të jepet si shkëmbim favoresh. Por qëndrimi i LSI ndaj tij dhe postit të kreut të Kuvendit do ishte një gjest për ti dhënë seriozitetin e duhur Parlamentit. LSI-ja nuk është PD e cila mbylli kryetarin e saj Lulzim Bashën natën e 17 majit me Edi Ramën duke hartuar një pazar që duket se vazhdon Akoma. LSI mbetet forcë e re politike me tipare integrimi.

Së dyti, vota kundër e LSI-së për Ruçin indirekt i jep forcë kauzës së PD për anti-komunizmin. LSI është një parti me program të majtë elektoral që ka bashkëpunuar me Ruçin dhe PS. Votimi kundër ndaj kandidaturës së tij mund të jetë një sinjal i gabuar që LSI dërgon tek të majtët tradicionalë që janë edhe votues të saj. Abstenimi do të ishte një qëndrim më parimor për LSI, sesa deklarimi kundër për një emër që ka jo pak peshë te e majta. LSI përherë me ish-liderin e saj themelues është shquar si parti e dialogut, integrimit, mirëkuptimit për hir të stabilitetit të vendit.

Gabimi i tretë i LSI-së, në këtë rast, ka të bëjë me kompleksin e opozitarizmit të ri. Për shkak se është në opozitë pas tetë vitesh, LSI i duhet të japë shenja të qarta se është opozitë e fortë. Por për të bindur njerëzit për cilësinë e opozitës nuk mjafton një votim. Janë katër vite para ku votat e partive do të testohen dhe ku LSI-së do t’i duhet të mbajë qëndrime të qarta. Si për fillim të sezonit të ri parlamentar mjafton të votojë kundër Qeverinë “Rama 2”. Është gjesti më i fortë politikë dhe distancues nga emrat me të cilët bashkëqeverisi katër vite.

Së fundi, bashkimi i qëndrimeve PD-LSI pa kushte dhe pa marrëveshje nuk e bën opozitën e vendit më cilësore. Sepse PD-ja ka provuar se voton kundër Ruçit, por nuk e ka problem të qeverisë bashkë me Edi Ramën dhe të miratojë çdo projekt kur qeveria e PS është në hall për vota. Aq më tepër që sezoni i ri politik nis me disa pikëpyetje dhe dilema të mëdha. Ndërsa Basha dhe PD deklarojnë se do bllokojnë Kuvendin dhe nuk do lenë Qeverinë e re të punojë normalisht, nën zë flasin se kanë rënë dakord dhe për ndryshimin e Kushtetutë dhe reformën zgjedhore, edhe kundër LSI. Kur në PD janë gati të bashkojnë votat me PS dhe “komunistët” për gjëra kaq të rëndësishme, çfarë vlere ka opozita kundër Gramoz Ruçit?

LSI-ja është opozita e re, e cila nuk ka asnjë gjynah si PD-ja ndër vite. E pse duhet të kopjojë PD?! Mjafton të shikosh vendimet e grupit parlamentar të PD-së ditën e premte, e cila mori për vete “gjellën” që i ofroi Edi Rama si nënkryetar parlamenti dhe krejt kryesimin e komisioneve parlamentare opozitare dhe nuk tha asnjë fjalë se pse PS nuk ia dha LSI një nënkryetar Kuvendi apo një komisioni parlamentar.

E pse LSI duhet të ndjekë PD-në, e cila e ka mbyllur pazarin me Edi Ramën që me 17 maj? LSI opozitën e ka, siç ka deklaruar kryetarja e partisë Monika Kryemadhi, me Edi Ramën dhe keqqeverisjen e tij.

 

SHKARKO APP