Gazetari i ndaluar nga SPAK: Nëse hapen bisedat e SKY në Shqipëri shpërthen vullkan i madh!
Gazetari i “OraNews” Elton Qyno ka treguar në ‘Task Force’, se materialet që ai kishte publikuar, prokurorët e prokurorisë së posaçme nuk i kanë prekur me dorë fare.
Qyno është shprehur se nëse hapen bisedat e SKY në Shqipëri do të shpërthejë një vullkan i madh.
‘Sot për sot në SPAK dosjet më të nxehta janë ato të bisedave të SKY. Nëse hapen bisedat e SKY, aty do të shpërthejë një vullkan. Dhe për të ndaluar këtë, me forcë, dhunë, u bë kjo lloj forme që të mos dalë asnjë bisedë pa u seleksionuar nga prokuroria e SPAK, për zyrtarë apo grupe kriminale.
Unë kisha përparuar me këto biseda të SKY, dhe ata nuk i kishin prekur me dorë këto biseda dhe ata ndërhynë në këtë mënyrë të dhunshme, në mënyra që nuk i është bërë ndonjëherë ndonjë gazetari.
Më kanë kontrolluar në shtëpi, makinë, jam kontrolluar fizikisht në zyrë dhe më pas në ambientet e punës. Janë 4 kontrolle të bëra.
Edhe vendimet i kanë nxjerrë brenda ditës. Unë rrija në zyrë i mbyllur, këta bënin shkresa dhe më pas gjyqtarja Atalanta Zeqiraj i firmoste me të shpejtë dhe më pas shkuan e bënë kontrolle e sekuestrime’, deklaroi gazetari Elton Qyno.
Por ajo që deklaron gazetari se “shpërthen vullkan” po u hapen bisedat, e mira e do që SPAK-u t’i hapë. Të dalë pisllëku njëherë e mirë.