Gazmend Bardhi: Nuk duket se do kemi bashkim me grupin e Berishës për zgjedhjet!
U tha dhe u fol se do të ketë bashkim mes PD së Berishës dhe grupit të Enkelejd Alibeaj. Por asgjë nuk do të ndodhë në sensin pozitiv, pra drejt një bashkimi për zgjedhjet vendore te 14 majit 2023.
Burime nga mbledhje e grupit parlamentar bëjnë me dije se Bardhi u ka shpërndarë kolegëve draft propozimin që ka bërë me shkrim.
“Deri më tani nuk kam një përgjigje, por në parim më është thënë që është e vështirë për tu pranuar”, është shprehur Bardhi.
Bëhet me dije se shumica e deputetëve kanë kërkuar që Bardhi të deklarojë publikisht menjëherë pas mbledhjes, refuzimin e palës tjetër dhe përfundimin e bisedimeve, pasi sipas tyre duket qartë që pala tjetër kërkon zvarritjen e zgjidhjes dhe vendosjen para faktit të kryer.
“Duke mirëkuptuar shqetësimin tuaj të nderuar kolegë, ju lutem të më jepni edhe 24 orë kohë për të bërë edhe një përpjekje të fundit për të gjetur rrugët e bashkëpunimit”, mësohet të jetë shprehur Bardhi. Për këtë arsye mbledhja e Grupit Parlamentar është shtyrë për nesër në orën 15:00.