Gjeni zgjidhjen ose java tjetër, pas përplasjes, do të sjellë ndërkombëtarët!
Dy muaj pas djegies së mandateve të opozitës dhe thellimit të një krizë politike që po bëhet shpërthyese, Presidenti Ilir Meta është i vetmi zë institucional që ka bërë apele të përsëritura për uljen e palëve në dialog. Në mbledhjen e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që u mbajt në Danimarkë, Presidenti Ilir Meta ka shprehur shqetësimin për mënyrën sesi po precipiton situata politike në Shqipëri, pak muaj para se BE të jap vendimin për çështjen e negociatave. “S’e fsheh dot faktin që nuk jam i kënaqur me situatën aktuale, për të cilën shpresoj të marrë një kthesë 180 gradëshe të arsyeshme sa më shpejt të jetë e mundur dhe më mirë herët, se sa më vonë, duke pasur parasysh gjithashtu rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria duhet të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një faktor vendimtar për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta. Po dje, pas fjalimit në tryezën e rëndësishme të OSBE, Presidenti Meta ka ripërsëritur mesazhin e tij në rrjetet sociale, duke theksuar se dialogu mes palëve është i domosdoshëm dhe duhet të jetë realist.
“Situata aktuale politike në Shqipëri duhet të marrë një kthesë 180 gradë, më mirë herët, se sa më vonë! Dialogu realist, i përgjegjshëm dhe efektiv është i domosdoshëm!”,- deklaroi kreu i shtetit. Në mënyrë të qartë, Presidentit u bën thirrje të gjitha palëve që të ndryshojnë pozicionet e tyre, para se kriza të sjellë pasoja më të rënda për vendin. Gjithashtu, në mesazhin e tij, vihet re se Presidenti flet për nevojën e një “dialogu real dhe të përgjegjshme”, ç’ka nënkupton se dy kampet politike nuk duhet të bëjnë sikur, por të ulen seriozisht për t’i dhënë zgjidhje situatës.Thirrja e kreut të shtetit për dialog të domosdoshëm vjen pas një sërë apelesh të përsëritura nga ana e tij, ndërkohë që nga vet palët në konflikt duket se nuk ka asnjë lëvizje nga pozicionet e tyre që në nisje të krizës. Opozita duket e vendosur në vijimin e aksionit të saj për qeveri tranzitore dhe zgjedhje te parakohshme. Kryeministri Edi Rama edhe pse gjendet në qendër të krizës dhe akuzohet si personi që ka sjellë situatën aktuale, nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të pranojë negociata me opozitën. Përkundrazi, me qëndrimet e tij, provokimet publike si dhe projektin për të hyrë në zgjedhje pa opozitën vetëm sa kanë përshkallëzuar acarimin e situatës që mund të sjellë edhe skenarë të padëshiruar për asnjë palë. Ndërkombëtarët, që zakonisht janë aktorët që ndërhyjnë për të shuar konflikte dhe për të mos lejuar shpërthimin e situatës, këtë herë me heshtjen e gjatë dhe mbështetjen ndaj qeverisë, vetëm sa kanë ndikuar në përkeqësimin e krizës dhe përplasjes civile. Qëndrimet e ndonjë ambasadori, ku kritikohet vetëm opozita, por nuk thuhet asgjë për punën e qeverisë dhe arsyet se përse opozita doli jashtë Kuvendi, kanë krijuar përshtypjen e gabuar se kriza është vetëm “tekë” e partive opozitare dhe jo shprehje e një shqetësimi real të gjithë shoqërisë dhe bllokim i sistemit demokratik. Aq më keq ku votat dhe qeverisja del se është e blerë nga mafia.
Sot nuk kemi vetëm një parlament që nuk funksionon, por edhe zgjedhjet vendore janë të pamundura të zhvillohen, pasi pa opozitën nuk kanë kuptim zgjedhjet. Ndërkohë çelja e negociatave në BE është venë më në pikëpyetje se kurrë dhe gjithë reformat e tjera janë bllokuar. Efekti i kësaj krizë të rëndë që qeveria po e fsheh dhe vëzhguesit e huaj bëjnë sikur nuk e shohin ka nisur të jap pasoja edhe në ekonomi, turizëm dhe në largimin e atyre pak investimeve që ishin në vend. Seriozitetin e situatës kritike që kryeministri Edi Rama e mohon, e konfirmoi dje dhe vizita e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Mattheë Palmer. Edhe pse bëhet fjalë një vizitë e planifikuar rajonale që më parë, konflikti i ndezur në Tiranë e bën të pashmangshëm që në axhendën e tij të mos jetë dhe negocimi i krizës. Zyrtari i DASH u takua dje më kryeministrin Edi Rama dhe sot pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta dhe drejtuesit e opozitës, kreun e PD, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Cilado qofshin sugjerimet për daljen nga kriza, të gjitha rrugët e zgjidhjes nisin te apeli i Presidentit Ilir Meta: “palët politike të ulen në bisedime”.
Nëse nuk ulen këtë javë atëhere të shtunën me datë 13 prill opozita ka skenar të paparashikuar nga asnjë ndërkombëtar e do të jetë shumë vonë.
Qamil Xhani