Gjergj Bojaxhi krijon parti politike
Rikthehet Bojaxhi. Kandidoi në Bashkinë e Tiranës ku mori shumë vota si i pavarur. Në kohën kur klasa politike në vend është përfshirë nga debati e ndoshta dhe nga frika prej reformës në drejtësi, një lëvizje e re politike do të nisë këtë pranverë. Në skenë është sërish Gjergj Bojaxhi, ai që provoi të fitonte Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2015 si kandidat i pavarur. Përmes një shënimi të gjatë në faqen e tij në Facebook, Bojaxhiu paralajmëron krijimin e një lëvizje të re politike, tek e cila i fton të gjithë.
“Bashkëqytetarë! Ka ardhur dita t’u themi “NDAL!” të korruptuarve e të paaftëve që po na drejtojnë. Bashkëqytetarë! Ka ardhur dita të kuptojmë se Shqipërinë nuk e rrënon vetëm veprimi i maskarenjve, por edhe mosveprimi i shumicës së ndershme. KA ARDHUR DITA QE TE VEPROJMË! Të bëhemi bashkë, të organizohemi dhe t’ua heqim nga duart të paaftëve dhe të korruptuarve Shqipërinë tonë, për ta zhvilluar atë siç e meriton. Duhet ta hedhim këtë hap së bashku për fëmijët tanë dhe për veten tonë. Jemi Ne që, me veprimin tone, duhet të tregojmë se për Shqipërinë ka mbërritur një epokë e re.Ftoj cilindo që ndihet njësoj dhe shpreson njësoj që të bashkohet me nismën tonë të re politike”, shkruan Bojaxhi.
Në zgjedhjet lokale në Tiranë Bojaxhi mori rreth 16 mijë vota, por kandidatura e tij shihej gjithashtu edhe si aleancë e heshtur me Edi Ramën. Votat e marra nga Bojaxhi ishin më së shumti nga elektorati i djathtë, i zhgënjyer me Partinë Demokratike dhe lidershipin e saj. Por këtë rradhë si nisëm për këtë parti të re pritet të shikohet cilit elektorat do t’i drejtohet ai.