Bojaxhiu hetohet nga Prokuroria për skemën fine të pastrimit të parave
Prokuroria ka filluar hetimin e Gjergj Bojaxhiut. Qindra fletë në dosjen e tij të sjellë nga Policia. Dosja e Gjergj Bojaxhi është një ndër më voluminozet mes atyre që Prokuroria e Tiranës po shqyrton këto ditë. Qindra faqeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave dhe policia po u shtohen edhe dhjetëra dokumenta të tjerë.
Pas regjistrimit të procedimit penal, prokuroria e Tiranë po kërkon zyrtarisht informacione në të gjitha institucionet shtetërore e private që monitorjnë apo kryejnë transaksione të parave. Policia dhe Parandalimi i Pastrimit të Parave e akuzojnë ish –funksionarin e lartë për pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.
Gjergj Bojaxhi dyshohet se qëndron në krye të një skeme të krijuar për pastrimin e parave, e cila vihet në lëvizje nga kompania “Everest Oil”; një sistemi të quajtur atell, që policia thotë se funksionon ‘jashtë syrit të shtetit dhe brenda besimit reciprok të një grupi njerëzish, që realizojnë fitimet dhe qëllimet e tyre në formën e një rrjeti merimangë, duke njohur mjaft mirë vakumet ligjore të tregut bankar e financiar’.
Prokuroria i ka dërguar një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të parë të gjitha pasqyrat e veprimeve që Bojaxhi ka kryer si administrator i “Everest Oil”, të krijuar prej tij në vitin 2012. Bojaxhi është edhe aksioner i kësaj kompanie.
Tatimet rezulton ta kenë gjobitur “Everest Oil” me 13 milionë lekë të reja për shkak të parregullsive.
Një tjetër kërkesë i është dërguar ILDKPI për pasurinë e Bojaxhi. Krimi Ekonomik po heton edhe pasurinë e të afërve të Bojaxhi. Bashkëshortja e tij, Jola Bojaxhi, është aksionere e kompanisë “Superga SRL” që ka në pronësi kompaninë “Everest Oil”. Vjehrra e Bojaxhi, Lumturi Hasmataj ka qenë aksionere e “Everest Oil”. Për shkak të këtyre të dhënave janë në verifikim pasuritë e të afërmve të Bojaxhi. Për bashkëshorten dhe vjehrrën ka dyshime se janë të implikuar në skemën e pastrimit të parave, mashtrimit me kreditë dhe fshehjes së pasurisë. Policia thotë vjehrra e Bojaxhi i ka shitur aksionet 26 mijë euro. Por veprimi ngjan i dyshimtë në sytë e ekspertëve të krimit ekonomik. Kjo për faktin se fitimi që ajo ka marrë nga të ardhurat e “Everest Oil” është më i lartë se shuma e aksioneve. Përse duhet të shiten aksionet për 26 mijë euro kur vetëm fitimi prej tyre është 60 milionë lekë të reja ose 430 mijë euro?
Aksionerë të “Everest Oil” rezultojnë edhe Oltion Spiro dhe Altin Fani. Edhe pasuria e tyre mësohet se po shqyrtohet.
Specialistët e Krimit Ekonomik e shohin të dyshimtë faktin se “Everest Oil” u krijua në korrik 2012 dhe vetëm në 4 muaj, deri në nëntor 2012, ka qarkulluar mbi 29 milionë dollarë. Këtu nuk llogariten shumat e tjera të qarkulluara në llogari bankare në euro e lekë.
Vetë Bojaxhi ka depozituar cash në llogari të “Everest Oil” 26 milionë dollarë në 3 vjet (2012 – 2015). 100 milion dollarë përllogariten paratë hyrëse nga llogari të tjera të kompanise, në sistemin atell.
Edhe fitimet e kompanisë shihen si të dyshimta. “Everest Oil”, në vitet 2013 ka fituar mbi 200 milionë lekë. Në vitin 2014 ka patur një xhiro prej 18 miliardë lekësh. Ajo ka patur 11 punonjës në vitin 2013 dhe e ka pakësuar në 6 numrin e tyre një vit më pas. Fitime për aksionerët (dividend) janë shpërndarë 223 milionë lekë.
Në deklarimin e pasurisë së Bojaxhi dhe familjes së tij, si zyrtar i asaj kohe (ai ka qenë zëvendësministër i ekonomisë, drejtor i KESH dhe drejtor i INUK) shihet se pasuria nuk i kalon 50 mijë euro në vit.
“Everest Oil” ka kreid në vlerësn e 170 milion dollarëve.
“Everest Oil” ka në pronësi edhe Petroliferën në Vlorë. Së fundi Bojaxhi është akuzuar nga biznesmeni vlonjat Sulo Shehu, se kur ishte zëvendësministër i Ekonomisë, i ka marrë dokumentacionin e një prone prej 30 mijë metra katrorë, me vlerë 25 milionë euro për t’ia tjetërsuar. Ai i bëri thirrje prokurorisë të hetojë.
Bojaxhi është shprehur i hapur për hetim përsa i përket “Everest Oil”. Ai pretendon se akuzat vijnë për shkak të angazhimit të tij politik, por pa thënë se si u pasurua.
Prokurori Gjergj Tako, ka regjistruar kallëzimin penal të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe drejtorisë së Tatimeve ndaj ish-kandidatin për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Në kallëzim, thonë burimet Gjergj Bojaxhiu akuzohet për “mashtrim me kredi”, “fshehje të ardhurash” dhe “pastrim të parave” në bashkëpunim.
Sipas prokurorisë, materiali kallëzues është depozituar në prokurori më 4 mars të këtij viti dhe është mjaft voluminoz. Në këtë material, thonë burimet nuk figuron vetëm emri i Gjergj Bojaxhiut, por edhe shumë biznesmenëve të njohur në vend, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Të gjithë dyshohen nga drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave, për skema mashtruese për të arritur qëllimin e fshehjes së të ardhurave dhe mos pagim taksash.
Sipas prokurorisë bashkë me Bojaxhiun do të hetohen edhe të afërmit e tij, vjehrri dhe bashkëshortja si dhe ortakët e kompanisë “Everest Oil” ku administrator është vet ish-kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Objekt i këtij hetimi, thonë burimet është aktiviteti i Bojaxhiut dhe kompanisë ku është administrator ga vitit 2012 deri në mars të 2016, pasi dyshohet se janë qarkulluar shuma të mëdha parash nëpërmjet bankave të ndryshme në vend dhe nga jashtë Shqipërisë. Në kallëzim thuhet se gjatë kësaj periudhe janë qarkulluar në llogarit e kompanisë bankare të administruar nga Bojaxhiu shuma të mëdha parash, në formën edhe të kreditimit që shkon në shifrën e rreth 172 mln dollar amerikanë. Shoqëria Everst Oil ku administrator është Bojaxhiu eshtë themeluar nga shoqëria “Superba SRL’ me seli në Napoli të Italisë. Nga ana tjetër vet kompanisë “Superba SRL” është krijuar në korrik të 2012 dhe pikërisht gjatë kësaj kohe, korrik-nëntor 2012 kompania “Everst Oil” ka qarkulluar rreth 30 mln dollar, por që shumica e parave kanë ardhur apo janë transferuar nga banka të ndryshme të vendeve të njohur si parajsa fiskale. Ky hetim, po kryhet për të parë nëse ka element të veprës penale në materialet referuese ndaj Gjergj Bojaxhiut.