Gjermania rrëzon Edi Ramën për negociatat: Plotëso kushtet!

Dje, një deklaratë e Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar qeverisës në Gjermani, CDU/CSU, tregonte se në rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë nuk kishte shumë gjëra për t’u mburrur. Përkundrazi, deputeti gjerman, që është dhe kryetar i grupit parlamentar në Bundestag për Ballkanin, argumenton se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet që BE i vendosi një vit më parë, si detyrim për të marrë statusin. Duke krahasuar raportin e vitit 2018 me dokumentin e publikuar të mërkurën, deputeti gjerman thotë se “sipas një analize fillestare Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, më 26 qershor 2018”. Në deklaratën që bëri kryeministri Edi Rama, komisionerja e BE Federika Mogerini dhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca vlerësohej si arritja më e madhe e Shqipërisë reforma në drejtësi. Pikërisht për këtë pikë, deputeti gjerman jep një pikëpamje që kundërshton gjithë qëndrimet e mbajtura nga zyrtarët e BE. Ai thotë se sistemi i drejtësisë nuk funksion, vendi nuk ka Gjykata Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe gjatë një viti nuk ka asnjë procedim serioz të zyrtarëve të lartë për korrupsion. “Nuk janë krijuar ende as organi i posaçëm antikorrupsion e as Byroja kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak procedura gjyqësore për raste korrupsioni të nivelit të lartë dhe asnjë dënim. Kjo ishte një nga kërkesat e ministrave të jashtëm të BE-së, në qershor të vitit 2018”,- shkruan në deklaratën e tij deputeti kristiandemokrat.

Veç kritikave për reformën në drejtësi, për të cilën Ëadephul deklaron se nuk po funksionon deri më tani, deputeti gjerman ndalet dhe në mungesën e reformës zgjedhore dhe mos ndëshkimin e zyrtarëve që janë faktuar në manipulim zgjedhjesh. “Nuk është hapur asnjë proces gjyqësor kundër politikanëve dhe kriminelëve, që në fillim të vitit dolën se kishin të bënin me blerjen e votave. Tjetër mangësi është mospërfundimi i ligjit zgjedhor, një kusht ky i vënë nga ministrat e jashtëm një vit më parë”,- deklaron politikani i lartë. Kur flitet për dosje që kanë të bëjnë blerjen e votave, dosja e Dibrës, Shijakut dhe Durrësit janë ato më kryesoret, për të cilat prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim. Qëndrimi i deputetit gjerman dhe drejtuesit të koalicionit që ka shumicën qeverisëse në Gjermani është një dush i ftohtë për gjithë ata që dje deklaronin se Shqipëria do të marrë hapjen e negociatave. Sinjale të tilla tregojnë se hapja e negociatave mund të shtyhet dhe ky është një zhvillim negativ. Por sado i hidhur dhe jo diplomatik të duket qëndrimi i Gjermanisë, deklarata e Johann David Ëadephul tregon se qeveria dhe një pjesë e burokratëve të BE-së po tallen rëndë me shqiptarët. Sepse të mërkurën si në konferencën e Mogerinit në Bruksel, ashtu dhe në konferencën e Edi Ramës me ambasadorin e BE asnjë prej tyre nuk foli për kushte të reja. Shqipëria u vlerësua për reformat dhe sipas zyrtarëve të KE meritonim hapjen e negociatave. Sigurisht s’ka lajm më të mirë se ky, por sot po rezulton se të gjithë kanë mashtruar duke fshehur pjesën më serioze të raportit të Komisionit Europian dhe pjesa më e nxehtë për Shqipërinë  është ajo çfarë thotë deputeti gjerman, i cili ndryshe nga Rama dhe zyrtarët e BE, deklaron hapur se “nuk keni plotësuar asnjë kusht në një vit”. Praktikisht Rama dhe zyrtarët e BE që realisht janë në ikje pas zgjedhjeve, kanë kopjuar raportin e një viti duke shmangur nga publiku pjesën që lidhet me detyrat që duhet të kishte bërë qeveria Rama.

Në këtë mënyrë, të gjitha konferencat që u bënë dy ditë më parë ishin një spektakël i shëmtuar që fshihte të vërtetën e hidhur lidhur me negociatat. Vendet e Bashkimit Europian do të marrin të njëjtin raport, po veç rekomandimit do të shohin se çfarë ka bërë qeveria “Rama” në një vit. Sigurisht që reformën në drejtësi nuk e quajnë dot të suksesshme kur të shohin se nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. Po ashtu dhe çështja e vjedhjes së zgjedhjeve që lidhet me krizën politike aktuale, korrupsionin dhe trafiqet janë një problem që nëse në Tiranë dhe Bruksel disa zyrtarë nuk i shohin, në Berlin, Paris  dhe Londër janë kushte të patolerueshme.

 

 

 

SHKARKO APP