Gjosha: Qeveria e re e Ramës e nisi me këmbën mbrapsht, harroi Integrimin

“Qeveria e re e nisi me këmbën mbrapsht duke lënë mënjanë procesin e integrimit”, kështu e përshkuan ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, kabinetin e ri të propozuar nga Kryeministri Edi Rama.

Gjosha, ministrja me moshën më të re në qeverinë “Rama 1”, por me peshën e madhe të integrimit të vendit, sot shprehet e befasuar se si ky proces kaq i rëndësishëm për hyrjen në BE është lënë në qeverinë “Rama 2” vetëm dorë të një drejtorie.

Duke folur për integrimin e vendit, ajo shprehet se në katër vitet e shkuara ka qenë kryeaxhenda e qeverisë, por që befas është veshur me një tymnajë. “Me arritje të mëdha dhe ndërkohë befas, shohim jo vetëm një tymnajë për mënyrën si do të jetë vijimësia e këtij procesi, por edhe më shumë se kaq, duke e anashkaluar deri në atë pikë sa të mos përmendet si një prej objektivave apo prioriteteve të qeverisë së re”-shton më tej Gjosha.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, kryesuesja e listës së LSI-së për Qarkun e Tiranës, tashmë në rolin e një deputeteje opozitare flet dhe për qëndrimin që do të mbaj LSI ndaj reformave kryesore. “Disa axhenda prioritare për vendin duhet të jenë mbi axhendat partiake dhe sa më bashkëpunues të jemi aq më mirë do të mund të kryejmë detyrën për të cilën na kanë votuar”,- shprehet Gjosha.

Në Tiranë LSI mori 5 mandate deputetësh por a është shifër e kënaqëshme për Gjoshën, e cila ishte kryesuesja e listës? Ministrja e bën të qartë se “mënyra sesi u zhvilluan zgjedhjet, ku nuk munguan presionet ndaj administratës, ku ne patëm edhe një marrëveshje surprizë e shumë e shumë problematika të tjera”.

E pyetur për pozicinonin e LSI-së si forcë opozitare, dhe çfarë pret nga PD-ja, Gjosha shprehet se: “LSI-ja është një parti politike që bën opozitarizmin e saj të pavarur nga cilado parti tjetër politike. LSI-ja edhe në opozitë marrëveshjen e vetme që ka e ka me qytetarët”.

Intervistoi: Redjon Shtylla

Znj.Gjosha, pas katër vitesh si Ministre e Integrimit, do të uleni në kuvend si një deputete opozitare. Si e prisni këtë ndryshim? Besoni se si deputete do të keni lirinë për tu shprehur pa protokoll?

Natyrisht që janë pozicione të ndryshme dhe një deputet ka lirinë që të shprehet shumë më lirshëm se një ministër që është pjesë e një kabineti qeveritar. Unë e kam mirëpritur këtë ndryshim, pasi mendoj  se opozitarizmi konstruktiv është thelbësor për rritjen e një politikani. Mendoj, se opozita ka misionin që të jetë zëri i qytetarëve, i problemeve më të mprehta që ata kanë dhe në këtë kontekst besoj se do të jetë një ekpseriencë e vlefshme. Unë kam mbajtur postin e ministres së Integrimit dhe në respekt të këtij procesi, jam përpjekur që këto katër vite të ruaj balancat mes palëve dhe t’i qëndroj  asaj çka besoj: Disa axhenda prioritare për vendin duhet të jenë mbi axhendat partiake dhe sa më bashkëpunues të jemi aq më mirë do të mund të kryejmë detyrën për të cilën na kanë votuar.

Në Tiranë LSI arriti të marrë 5 mandate deputetësh. Ju si kryesuese e listës jeni e kënaqur me rezultatin?

LSI-ja është e vetmja parti politike që në zgjedhjet e 25 qershorit shënoi rritje të elektoratit të saj në të gjithë vendin. Natyrisht që jam e kënaqur me rezultatin edhe të Tiranës, aq më tepër po të marrësh parasysh mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet, ku nuk munguan presionet ndaj administratës, ku ne patëm edhe një marrëveshje surprizë e shumë e shumë problematika të tjera. LSI-ja në fakt ka dëshmuar se di t’i tejkalojë dhe ti bëjë ballë të gjitha forcat e saj, duke bërë siç duhet tashmë edhe opozitën, për të cilën vendi ka nevojë.

Për z.Rama, procesi i anëtarësimit në BE-në i besuar Ministrinë së Integrimit, ka qenë një proces që kalonte mes burokracive. Sakaq, ju jeni shprehur se Integrimi ka nevojë për një koordimin procesesh dhe ka një mori kriteresh. Si e shihni tashmë që qeveria “Rama 2”, Integrimin në BE do t’ia besojë një zv/Ministri? Besoni se BE-ja nuk do jetë prioritet i qeverisë?

Ishte e habitshme dhe këtë e kam shprehur edhe publikisht, për qasjen që qeveria e re pati ndaj procesit të integrimit, gjatë prezantimit që iu bë nga Kryeministri. Në katër vitet e shkuara kjo ka qenë kryeaxhenda e qeverisë, me arritje të mëdha dhe ndërkohë befas, shohim jo vetëm një tymnajë për mënyrën si do të jetë vijimësia e këtij procesi, por edhe më shumë se kaq, duke e anashkaluar deri në atë pikë sa të mos përmendet si një prej objektivave apo prioriteteve të qeverisë së re. Ishte surprizë të them të drejtën, pasi mendoj që në prag të çeljes së negociatave  duhet të kishim një tjetër vizion. Unë mendoj se integrimi shkon përtej zhurmës së politikës. Është një mori kriteresh e detyrimesh që vendi duhet të plotësojë, qeveria duhet të koordinojë dhe mbetet e vetmja busull orientimi për të arritur ato standarde që  fëmijët tanë meritojnë dhe Shqipëria meriton.

Gjithashtu z.Rama është shprehur se kur të hapen negociatat do të ketë një kryenegociator, e nëse ju ofrohet ju ky post, do të bashkëpunonit me kryeministrin?

Si Ministre e Integrimit e kam shprehur qartë qëndrimin tim . Kryenegociatori duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jo politike. Kryenegociatori në vizionin tonë duhet të jetë një person me integritetin e duhur. Por nga ana tjetër zgjedhja e Kryenegociatorit, nuk mund ta zhbëjë punën e qindra punonjësve të dedikuar prej vitesh ndaj procesit të integrimit që akoma nuk e dinë se ku dhe si do të pozicionohen.

Gjatë mandatit si Ministre e Integrimit, e keni pasur mbështetjen e plotë nga Kryeministri për plotësimin e kriterëve të anëtarësimit? Kur e shihni finalizimin e procesit të integrimit të vendit në BE?

Gjatë mandatit të kaluar Shqipëria pati dy arritje madhore me procesin e integrimit që janë statusi i vendit kandidat dhe rekomandimi për hapjen e negociatave. Integrimi ka qenë një prioritet shumë i rëndësishëm dhe për mua hapat përpara që janë bërë kanë më shumë rëndësi se gjithçka tjetër. Në lidhje me finalizimin e këtij procesi, besoj se do të varet nga vullneti që e gjithë shoqëria shqiptare e udhëhequr nga ata që e drejtojnë ka për të avancuar me reformat e vërteta që i shërbejnë qytetarëve.

Qeveria e re ka shkrirë 8 Ministri dhe kjo do të thotë “rrjedhje” dhe mijëra punonjës do të marrin statusin e të papunit. A rrezikon vendi që me këtë skemë të re, të nxisë shtimin e largimeve dhe rritje të emigracionit?

 Është e vërtetë që qindra punonjës do të mbeten pa punë. Sa i përket emigracionit ai ka një tendencë në rritje prej kohësh tashmë edhe tek ato familje të cilat kanë një vend pune. Një pjesë e mirë e shqiptarëve sot duan të ikin pas kanë jo vetëm pasigurinë e vendit të punës, por mbi të gjitha pasigurinë për të ardhmen e fëmijëve që rrisin në këtë vend dhe kjo është e dhimbshme.  

Si e keni parë qeverinë e re, ku numri i ministrive reduktohet në 11 nga 16 të tilla që janë aktualisht. Si e shihni ju këtë vendim të kryeministrit?

Nuk më takon mua të gjykoj mbi vendimet e Kryeministrit, pavarësisht se në lidhje me Ministrinë e Integrimit kam shprehur mosdakordësinë për shkrirjen e saj dhe kthimin në një drejtori.

Duke kaluar tek opozita, LSI-ja ka premtuar se do të jetë në krye të aksionit opozitar në kuvend. Nuk prisni që këtë mision ta udhëheqë PD-ja, si partia më e madhe në opozitë?

LSI-ja është një parti politike që bën opozitarizmin e saj të pavarur nga cilado parti tjetër politike. Misioni ynë në opozitë është të ngremë zërin për qytetarët, të cilëve u detyrohemi për  besimin që na kanë dhënë. Nga ana tjetër mendoj se vetë qytetarët janë të ndërgjegjshëm se vendi ka nevojë për një opozitë të mirëfilltë e cila është konstruktive.

Kreu i qeverisë është shprehur se do t’i shtrihet dora e bashkëpunimit opozitës, ndërsa uroi që marrëveshja e arritur mes tij dhe kreut Basha të mos ketë vdekur. Si e gjykoni gjuhën e zbutur të kryeministrit në raport me PD dhe cili do të jetë qëndrimi i LSI-së ndaj maxhorancës?

Unë e thashë dhe më sipër. LSI-ja edhe në opozitë marrëveshjen e vetme që ka e ka me qytetarët. Çdo marrëveshje tjetër në dëm të tyre, vullnetit të tyre është një marrëveshje të cilën koha do ta gjykojë.

Në fund, si e parashikoni qeverinë e re të z.Rama. Si do të jetë Shqipëria pas katër vitesh, nëse qeveria e çon deri në fund mandatin?

Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë parashikimet, por mund të them se kjo mbetet për tu parë, pavarësisht se  qeveria e re e nisi me këmbën mbrapsht duke lënë mënjanë procesin e integrimit.

SHKARKO APP