Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhër-arrest për Kryeministrin izraelit Netanyahu dhe zyrtarët e Hamasit

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi të enjten urdhër-arrest për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish Ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarët e Hamasit, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën në Gazë dhe sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit që u bë shkas për fillimin e luftës.

Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të tjerët në persona të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht dhe mund të shkaktojë izolimin e mëtejshëm të tyre, duke ndërlikuar përpjekjet për të negociuar armëpushimin që do t’i jepte fund luftës 13 mujore. Por ndikimi i këtij urdhër-arresti mund të jetë i kufizuar ngaqë Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtete e Bashkuara nuk janë anëtarë të gjykatës dhe disa nga zyrtarët e Hamasit tashmë janë vrarë gjatë konfliktit.

Kryeministri Netanyahu dhe udhëheqësit e tjerë izraelitë i kanë kritikuar në të kaluarën përpjekjet e Kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan si të turpshme dhe antisemite. Presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu e ka kritikuar prokurorin ndërkombëtar dhe ka shprehur përkrahje për të drejtën e Izraelit që të mbrohet kundër Hamasit. Hamasi po ashtu e kritikoi kërkesën për urdhër-arrestet.

“Dhoma e gjykatësve konsideron se ka bazë të mjaftueshme për të besuar se, të dy individët, qëllimisht dhe me njohuri të plotë, i kanë mohuar popullsisë civile në Gazë gjërat e domosdoshme për të mbijetuar, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, thuhet në vendimin unanim të panelit prej tre gjykatësish për urdhër-arrestin ndaj zotit Netanyahu dhe ish Ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Ministria e Jashtme e Izraelit në shtator njoftoi se kishte dorëzuar argumentet ligjore që sfidojnë juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke argumentuar se gjykata nuk i dha Izraelit mundësi t’i hetojë akuzat përmes institucioneve të saj, para se të lëshonte kërkesën për urdhërarrest.

“Asnjë demokraci me një sistem të pavarur dhe të respektuar të drejtësisë, siç e ka Izraeli, nuk është trajtuar kaq padrejtësisht nga Prokurori”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Oren Marmorstein në platformën X. Ai tha se Izraeli mbetet i “palëkundur në angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë” dhe se do të vazhdonte t’i mbrojë banorët e tij kundër/VOA/ militantizmit.

SHKARKO APP