Gjykatat familje ! Burri gjyqtar, gruaja notere, djali avokat, nipi prokuror
Arrestimi i një gjyqtari në Tiranë teksa merrte zarfin me lekë ( i biri) nga një prej palëve në proces gjyqësor ka rikthyer në vëmendje problemin e korrupsionit në gjykata. Rasti i gjyqtarit Ibrahim Hoxha është ndër më flagrantët. Një përfaqësues i sistemit të drejtësisë kapet në flagrancë, njolloj si një pazarxhi i rëndomtë që nuk shiste domate, por vendime gjykate. Të paktën këtë ka dhënë policia deri tani dhe që KLD i dha leje prokurorisë ta hetojë si pa imunitet. Ajo çka e bën më të rëndë ngjarjen është se i njëjti gjyqtar ka pasur vërejtje dhe masa disiplinore ku aludohej se kishte dhënë vendime të padrejta, e megjithatë kishte arritur të punonte i qetë dhe të bënte karrierë. Rasti i gjyqtarit Hoxha nuk është i vetmi. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani paralajmëroi dje në analizën e punës së Gjykatës Administrative të Apelit arrestime të tjera në radhët e sistemit gjyqësor. Sipas ministrit Prokuroria do të ketë sërish reagime të tilla ndaj elementëve të korruptuar dhe ftoi qytetarët që denoncimet t’i bëjnë në organet kompetente.
Korrupsioni në gjykata është një fenomen i njohur nga qytetarët. Kjo dëshmohet në çdo sondazh të qytetarëve dhe çdo raport të ndërkombëtarëve. Së fundi edhe vetë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë pranojnë se mes radhëve të tyre ka element si rasti i gjyqtarit Hoxha që punojnë me lekë në dorë. Por dje ministri Manjani foli dhe për një fenomen të ri, që ka të bëjë me korporatën familjare të gjykatave. Është nga ato raste kur cikli i gjithë sistemit të drejtësisë mbyllet në një familje dhe jo mes kushërinjsh, por mes prindërve dhe fëmijëve. Ka raste kur burri është anëtar i një gjykate, ndërsa gruaja anëtare e gjykatës së Apelit apo edhe më lart. Rrethi zgjerohet me një fëmijë avokat dhe një familje tjetër notere. Në këtë rast, sado profesionistë të jenë jurist, është pak të thuash se nuk ka konflikt interesi. Ka raste që nga një familje njeri gjyqtar, tjetri noter, tjetri avokat dhe tjetri prokuror! Rrethi mbyllet dhe vendimet jepen që në shtëpi !
“Unë e kuptoj që ka hapësira ligji dhe që ligjet procedurale do t’i rregullojmë, duhet t’i fiksojmë se s’bën, sepse nuk ka kuptim që fëmija noter, gruaja gjykatëse, burri gjykatës apeli dhe mbyllet historia me absolutisht çelësa në dorë”,- tha dje Ministri Manjani. Pavarësisht se është një fenomen jo shumë i njohur, rezulton se edhe në gjykatat ka rrjete nepotike që krijojnë një qark të mbyllur. Në këtë cikël të mbyllur, pala që fiton në një proces, sigurisht është ajo që njeh “familjen e duhur” të juristëve. Në këto raste nuk mund të flitet më për drejtësi, por për gjykata familjare që pazarin për vendimin e kanë bërë që te noteri apo avokati. Derisa kjo çështje përmendet edhe nga vet Ministri i Drejtësisë si një problem shqetësues, atëherë familjet brenda gjykatave duhet të kenë zgjeruar territorin në të gjitha gjykatat e vendit. Sigurisht të jenë anëtarë të një familje në sistemin e drejtësisë, në vetëvetë nuk përbën krim. Por në një vend si Shqipëria, ku të gjithë i njohin të gjithë, të kanalizosh një sistem edhe me lidhje gjaku është njëlloj si privatizim i drejtësisë dhe patjetër do të prodhojë korrupsion dhe vendime të padrejta.
Që situata të ndryshojë dhe rastet flagrante me gjyqtarë që bëjnë pazare kriminale të marrin fund është emergjente miratimi i reformës në drejtësi. Është e vetmja mënyrë për ti dhënë fund korrupsionit dhe korporatës së gjyqtarëve që kontrollin gjithë sistemin. Sepse është krijuar një kastë juristësh që mbështesin karrierat e njëri-tjetrin, promovojnë kolegët në detyra madje arrijnë të kenë ndikim dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke garantuar paprekshmërinë nga sistemi. Politika në këtë histori ka mëkatin kryesor, është ajo që e ka aplikuar këtë sistem dhe ka sjellë shkallmimin e drejtësisë. Por brenda vetë mëkateve të politikës duket se është dhe korporata dhe familjet e drejtësisë, që kanë krijuar skemën e tyre.
Prokuroria dhe policia po punojnë për një një gjykatës apeli dhe një më lart se apeli, të cilët janë filmuar duke shpërdoruar detyrën dhe nuk dihet pse i vonojnë ti bëjnë publike? Për shantazh apo për ti arrestuar në ditët e debatit të madh të reformës apo pasi të miratohet reforma?
Ka nevojë për ndryshime drastike në drejtësi,pasi ka gjyqe të cilat kanë mbi 20 vite të cilat sillen e pështillen gjykatave vetëm e vetëm se nuk marrin dot para në dorë. Ka gjyqe të cilat prekin politikën dhe shtetin nëse jepen, porse gjyqtarët vendosin sipas preferencës së politikës në fuqi e jo në bazë të ligjit.
Ka nevojë për shkundje, bile rrëzim të krejt këtij sistemi drejtësie. Gjyqtarët janë bërë jo vetëm të pasur ( jo të gjithë), por edhe shumë të sofistikuar kur japin vendimet. Në jo pak raste vendosin sipas çantës që ofrohet apo të sjellin e sjellin nëpër gjyqe e vite sa qytetarin e kap infarkti.