Gjyqtari Artan Gjermeni plagoset apo vetëplagoset, mbetet dyshim
Gjyqtari Artan Gjermeni është dërguar sonte me urgjencë në spital i plagosur me thike. Ai ka marrë 4 plagë me një mjet të mprehtë, por nuk ka pranuar të japë sqarime për atë që ka ndodhur. Burime policore sqaruan se po hetohet në dy pista. E para ka të bëjë me detyrën. Persona ende të paidentifikuar mund ta kenë qëlluar dhe i kanë bërë presion për të mos treguar. E dyta pistë që po hetohet është ajo e një konflikti personal. Një prokuror i çështjes dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes. Artan Gjermeni është gjyqtar i gjykatës së Tiranës prej me shumë se 10 viteve. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të drejtësisë dhe kryetar gjykate në Lushnje.
Pas lajmit për plagosjen e gjyqtarit Artan Gjermeni ka reaguar policia që ka shpërndarë për mediat një njoftim paraprak. Sipas saj shtetasi A.Gj, ka shkuar te marre mjekim ne spitalin “Nene Tereza”, pasi ka deklaruar se aksidentalisht është prere me një mjet prerës (llamarinë) në shtëpinë e tij. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë. Gjermeni u dërgua në spital për të marrë mjekime pasi kishte disa plagë. Policia gjithsesi po heton për çështjen pasi ka informacione se plagët janë në disa vende të trupit gjë që ka shtuar dyshime te prokurori dhe hetuesit.
Gjyqtari Artan Gjermeni u paraqit me disa të prera të një mjeti të mbrehtë mbrëmjen e së dielës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjekët panë se ai kishte disa plagë dhe se i plagosuri nuk kishte pranuar të jepte shumë detaje. Duke parë plagët ata kanë njoftuar policinë pasi e kanë detyrim të bëjnë një gjë të tillë sa herë ka dyshime. Përpara policisë dhe oficerëve të policisë gjyqësore, gjyqtari Gjermeni fillimisht nuk ka pranuar të japë detaje. Më pas ai ka deklaruar se është plagosur aksidentalisht në garazhin e shtëpisë së tij ku është rrëzuar. Megjithatë ai ka plagë në disa vende në trup. Nga burime të besuara nga spitali mësohet se ai ka plagë në këmbë, në shpatull, në hije dhe bark. Duke parë llojin e prerjeve mbi hetuesit ka dyshime ndaj ata nuk e kanë mbyllur çështjen dhe po hetojnë mbi të. Së pari po shikohen lidhjet e tij për shkak të detyrës dhe së dyti konfliktet personale. Vetë gjyqtari i ka mohuar këto pista çka po e vështirëson punën e grupit hetimor. Pas marrjes së ndihmës së parë gjyqtari i Gjykatës së Tiranës ka kërkuar të shkojë në shtëpi. Ai është prej më shumë se 10 vitesh gjyqtar në këtë gjykatë. Më herët ka qenë kryetar i Gjykatës së Lushnjes.
Diçka ka ndodhur pasi mbetet e vështirë që njeriu të plagoset vetë, pa dashje, në katër vende. Hetimet vazhdojnë.
Por duke dalë nga spitali atij i dukeshin vetëm dy gishta të fashuar. Dhe ka shprehur habi për gjithë stuhi lajmesh ndërkohë që nuk ka gjë të vertetë, sipas atij.
Ndërkohë në orët e fundit plagosja e gjyqtarit të gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni është marrë në dorëzim nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ajo ka nisur punën për shkak të dyshimeve që burojnë nga kjo çështje, por edhe pasi personi i lënduar ka një status të veçantë për shkak të detyrës së tij. Përveç prerjeve me një mjet prerës, Gjermeni ka edhe shenja goditjesh në trup. Kjo ka shtuar dyshimet se ai është përfshirë në një konflikt fizik ose është ushtruar dhunë ndaj tij. Të njëjtat burime i thanë lapsi.al se janë marrë në pyetje familjarë të tij dhe është ushtruar kontroll në banesën që ka në rrugën e Elbasanit në Tiranë. Gjermeni ka vijuar t’i qëndrojë variantit të parë se është plagosur aksidentalisht në garazh. Aktualisht ai ndodhet në një spital privat ku po mjekohet për plagët e marra.